4 shtatori dhe rikthimi i betejës për (ç)njohje
Më 4 shtator të këtij viti skadon zyrtarisht Moratoriumi njëvjeçar i nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë, si pjesë e Marrëveshjeve për Normalizimin Ekonomik. Në kuadër të kësaj pike, Kosova zotohej të mos aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një periudhë njëvjeçare, ndërkaq për po atë periudhë, Serbia zotohej ta ndalte lobimin për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës te shtetet e treta.
Edhe pse në rrafshin e kushtetutshmërisë kjo pikë binte ndesh me Nenin 17 të Kushtetutës së Kosovës, i cili shprehimisht parasheh anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në rrafshin politik nënshkrimi saj mundësoi që për një periudhë 12-mujore të ndalet hovi i letrave të çnjohjeve ndaj Kosovës.
Çnjohjet e Kosovës nga vendet e treta kishin nisur në vitin 2018 si pasojë e fushatës agresive kundëlobuese të Serbisë dhe nga ajo kohë diku rreth 15 shtete kanë marrë pozicion të ri, duke deklaruar se kanë tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës ose e kanë ngrirë atë. Më pas, në muajin shtator 2020, erdhi Moratoriumi, i cili ofroi një qetësi të përkohshme, e cila nga Kosova të paktën në letër do të mund të shfrytëzohej për rigjenerim dhe themelim të relacioneve dypalëshe.
Sa i përket zbatimit, Moratoriumi si i tillë ishte penalizues për Kosovën në raport me natyrën e aktiviteteve që parashiheshin për të dy shtetet. Kjo pasi aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare është proces që doemos duhet ta ndjekë një procedurë të caktuar, me përfshirjen e shteteve ose mekanizmave të tjerë shumëpalësh – pra ai nuk mund të mbetet sekret.
Në krahun tjetër, është thuajse e pamundur të sigurohen dëshmi për përmbajtjen e takimeve midis dy shteteve. Me një fjalë, kush mund të garantojë se brenda takimeve mes zyrtarëve serbë dhe shtetit X nuk është lobuar për çnjohjen e Kosovës në mënyrë të fshehtë, apo se nuk janë përdorur mekanizma apo shtetet e treta për një gjë të tillë?
Me skadimin e Moratoriumit është e pritshme që institucionet serbe të aktivizohen për ta ringjallur plotësisht fushatën e çnjohjes ndërkombëtare të Kosovës, ndër të tjerash si tentim për ta forcuar pozicionin e saj në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE), si dhe duke marrë parasysh zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në vitin 2022.
Nga një kënd më i gjerë, ekzistojnë dy dinamika kryesore të cilat duhet pasur parasysh se mund ta ndikojnë këtë ndërmarrje.
Së pari, nga viti 2018 ka pasur vullnet të paktë nga ana e aleatëve të Kosovës, të cilët ishin përfshirë drejtpërdrejt në zgjerimin e njohjes diplomatike të Kosovës në periudhën e paspavarësisë, për ta stopuar përnjëmend këtë kampanjë të Serbisë. Sa për ilustrim, edhe pse kjo fushatë shkon kryekëput në të kundërt të synimit themelor të procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që është normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, deri tash fushata nuk është parë me aq shqetësim në Bruksel.
Në planin e jashtëm, arsyet për këtë reagim kursimtar të aleatëve të Kosovës mund t’i përfshijnë ndryshimet rapide në sistemin ndërkombëtar viteve të fundit me kriza më urgjente në pjesët e tjera të globit, si dhe çarjet brenda bllokut transatlantik, me ç’rast është zvogëluar mundësia e koordinimit për agjenda të përbashkëta brenda boshtit. Gjithashtu, mbyllja e njërit sy nga Perëndimi për këto veprime të Serbisë është pjesë e një politike ekzistuese e cila synon të shmangë lëvizje të cilat potencialisht mund t’i japin shkas Serbisë për të lëvizur në drejtim të Rusisë dhe Kinës.
Më tutje, viteve të fundit, pozicioni ndërkombëtar i shtetit të Kosovës është dobësuar me depërtimin e jostabilitetit të politikës së brendshme partiake në tema që do të duhej të përbënin interesa nacionalë. Nga plani i brendshëm, një gjë e tillë ia ka vështirësuar Kosovës edhe mundësitë për të artikuluar kërkesa serioze karshi aleatëve të saj. Në përgjithësi, këto ndërveprime kanë pasur ndikim që fushata e Serbisë nga viti 2018 deri në nënshkrimin e Moratoriumit të ketë trajtim goxha të heshtur nga jashtë.
Në fakt, presidenti serb në një deklaratë muaj më parë theksoi se nga shtatori Serbia “e di drejtimin se kah duhet shkuar”, kështu duke aluduar në vazhdimin e fushatës së çnjohjeve. Kjo deklaratë duhet lexuar jo vetëm në kuadër të logjikës së zakonshme të Vuçiqit, ku provohet potenciali i një ideje për të nxjerrë pastaj diçka më të madhe në shkëmbim, por edhe si një testim i ujërave në raport me qasjen e aleatëve ndaj Kosovës, pra për të parë se sa larg janë në gjendje të shkojnë për ta mbrojtur njohjen ndërkombëtare të Kosovës kësaj here.
Sigurisht se po nuk e ndjeu presionin e jashtëm, Serbia do të vazhdojë të tentojë ta shfrytëzojë vakumin për aq sa mundet, duke tentuar t’i joshë shtetet e treta për ta çnjohur Kosovën, ose për t’i ngrirë raportet. Në këtë kampanjë Serbia nuk është vetëm, pasi aleatja e saj, Rusia, duket se është e përfshirë aktivisht. Ka pasur disa raste ku marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara midis Rusisë dhe shteteve të treta korrespondonin me letra të çnjohjes të dërguara Kosovës në po atë periudhë.
Dinamika e dytë që mund të ketë ndikim është se kësaj radhe fushata e Serbisë mund të përfitojë një impuls të ri te disa vende me shumicë myslimane, si pasojë e kundërshtimit të tyre për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Siç dihet, ky hap i ndërmarrë nga ana e Kosovës zgjoi një sërë reagimesh, aq sa Turqia, që është shtet aleat, e kishte kushtëzuar Kosovën të tërhiqej nga ky veprim, i cili “mund t’i shkaktonte dëme të mëdha.”
Duke e parë këtë situatë, Serbia do të tentojë ta forcojë pozicionin e saj karshi disa shteteve me shumicë myslimane, rrjedhimisht duke synuar të shtyjë përpara fushatën për çnjohjen e Kosovës. Me një pjesë prej këtyre shteteve Serbia ka pasur raporte tradicionalisht miqësore edhe si pjesë e Lëvizjes së të Painkuadruarve, për 60-vjetorin e të cilës do të ketë një ceremoni të përbashkët në Beograd së shpejti. Në kuadër të Marrëveshjeve për Normalizim Ekonomik, Serbia gjithashtu ishte zotuar ta hapte Ambasadën e saj në Jerusalem, por pastaj ishte zmbrapsur, ndër të tjerash duke pasur në mendje mundësinë për shfrytëzimin e relacioneve me këtë grup shtetesh për ta vazhduar lobimin anti-Kosovë.
Në përgjithësi, sinjalet se me skadimin e Moratoriumit Serbia është e gatshme ta aktivizojë plotësisht fushatën për zvogëlimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, janë të dukshme. Madje, nuk ka dëshmi se që nga koha e nënshkrimit të Moratoriumit Serbia ka pushuar së punuar fshehurazi për këtë synim.
Prandaj, po qe se aleatët e Kosovës nuk alarmohen nga rifillimi i fushatës së Serbisë si një lëvizje që dëmton bashkëpunimin rajonal në planin afatgjatë, ka të ngjarë që Kosova do të përballet me një valë të re të tërheqjeve të njohjeve pas 4 shtatorit.
Megjithatë, do të ishte gabim interpretimi i kësaj situate njëkahshëm, duke abstraguar agjencinë e Kosovës. Po aq me rëndësi, në fund kjo hapmbyllje do të shërbejë për të vlerësuar mendimin strategjik dhe pjekurinë e manovrimit të politikës së jashtme të Kosovës nëpër një mjedis delikat.