Arti i mveshur me diskriminim gjinor
Në fjalimin që aktorja Meryl Streep mbajti në ceremoninë e diplomimit të shkollës së Barnardit në Columbia University, ajo tregoi se si ka ndryshuar perceptimi i burrave ndaj roleve të saj. Vite më parë, presidenti Bill Clinton i kishte thënë se burrat më së shumti e preferojnë rolin e saj të Lindës, nga filmi i nominuar për Oskar në vitin 1978, The Deer Hunter (Gjuetari i drerëve). Linda ishte një vajzë e urtë, e bukur, e dëgjueshme, e dashur (dhe lista vazhdon), roli i së cilës konsiston në pritjen e të dashurit që luftonte në Vietnam.
Sot, burrat më së shumti e duan Meryl Streep në rolin e Miranda Priestly nga filmi i realizuar në vitin 2003, The Devil Wears Prada (Djalli vishet me Prada). Miranda Priestly, kryeredaktorja e revistës Runway, e pamëshirshme, e ashpër, nënshtruese, arrogante. Këtij ndryshimi preferencial, aktorja ia jep një shpjegim interesant. Ajo thotë se me personazhin e parë, Lindën, burrat mund të dashurohen ose të ndjejnë keqardhje për të. Me fjalë të tjera, e shohin si inferiore. Kurse tek personazhi i dytë, Miranda, ata gjejnë veten. Identifikohen me dikë që përjeton suksesin, që vendos standarde të larta për të arritur, që jep urdhra, që nuk është e pëlqyeshme, që njeh vetminë…
E në fakt, kur e mendon, ka shumë pak personazhe femërore me të cilat shumë djem e vajza mund të personifikohen. Kurse e kundërta konsiderohet normale. Gati të gjithë, pa dallim gjinie, jemi ndjerë si Harry Potter e Peter Pan. Gati të gjithë kemi kërcyer nëpër pemë ose vrapuar nëpër oborr e shtëpi duke u ndjerë si Tarzani. Gati të gjithë kemi zbuluar mistere duke u shtirur si Sherlock Holmes. Unë dhe motra ime të paktën, i kemi bërë të gjitha. Është shumë e lehtë të identifikohesh me personazhe mashkullore, sepse ato dominojnë si në letërsi, në filma apo forma të tjera të artit. Nuk është problem të shohim përmes këtyre personazheve, sikur të ishim vetë ata.
E me personazhe femërore? A mund të themi se të gjithë, pa dallim gjinie identifikohemi me Lizën në botën e çudirave? Përveç Katniss Everdeen nga Hunger Games që ka dalë tash vonë, sa prej tyre përballen me sfida të vështira e arrijnë t’i kalojnë ato me forcat e tyre? Në anën tjetër, sa prej tyre përkëdhelin egot mashkullore dhe i përgatisin ata për të shpëtuar njerëzimin?
Shumë prej nesh nuk arrijnë të identifikohen me shumicën e personazheve femërore për shkak se në pjesën më të madhe të kohës, këto personazhe definohen nga një lidhje me dikë tjetër-kryesisht i gjinisë mashkullore. Shembull tipik, Ana Karenina. Një prej romaneve më të famshme të Tolstoy-t dhe shumë i lexuar në Kosovë, së fundmi i bërë edhe film fitues i çmimit Oskar, flet për një shtëpiake që tradhëton të shoqin dhe në fund bën vetëvrasje nga gjithë lëmshi dashuror i krijuar. Prandaj, nuk është çudi që shumë prej nesh nuk arrijmë të përçajmë e depërtojmë në personazhe të tilla; përkundrazi, i shohim nga jashtë, si të panjohur.
Për të trajtuar problemin e diskriminimit gjinor në kinematografi, në botë përdoret Bechdel testi si matës i mirënjohur i diskriminimit gjinor në filma. I krijuar nga Alison Bechdel në komedinë e saj të vitit 1985 të quajtur “Dukes to Watch Out For” dhe i popullarizuar nga stripi “The Rule” (Rregulli), për të kaluar këtë test, një film duhet të përmbajë tri elemente kryesore:
-Të ketë të paktën dy personazhe gra të emërtuara,
-Të cilat komunikojnë me njëra tjetrën,
– Për diçka që nuk ka të bëjë me burrat.
Në shikim të parë, ndoshta duket se shumë filma e kalojnë këtë test. E në fakt, nuk është edhe bash ashtu. Sipas statistikave të përmbledhura nga testi, janë gjithsej 6595 filma të testuar, prej të cilëve 3816 (57.9%) i kalojnë të tri kushtet, 667 (10.1%) i kalojnë dy kushte, 1435 (21.8%) e kalojnë një kusht dhe 677 (10.3%) nuk e kalojnë asnjërin prej kushteve. Me fjalë të tjera, vetëm pak më shumë se gjysma e filmave e kalon testin plotësisht, kurse pjesa tjetër pjesërisht ose fare. Filma të famshëm si ata të James Bond, Lord of the Rings, Avatar, A Beautiful Mind, Shrek, Lara Croft: The Tomb Raider e shumë e shumë të tjerë nuk e kalojnë këtë test (shiko listën e plotë).
Megjithatë, këto statistika tregojnë përmirësim-të paktën në kinematografinë amerikane. Sipas tyre, për periudhën Janar-Qershor 2015, prej 10 filmave më fitimprurës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 9 prej tyre e kanë kaluar testin. Shpresë! Filma si Suffragette, Hunger Games, Joy, e shumë të tjerë janë të nevojshëm në rrugën drejt barazisë gjinore. Ata arrijnë të krijojnë shembuj për vajzat dhe gratë por edhe të ndryshojnë perceptimin e burrave rreth rolit të gruas në shoqëri.
Në një botë ku gratë janë duke udhëhequr shtetet më të fuqishme ose janë duke luftuar në atë garë, ne meritojmë personazhe artistike që na inspirojnë të kërkojmë më shumë, të punojmë më shumë, në çdo sferë të jetës. Në këtë kohë më shumë se kurrë meritojmë të kemi personazhe femërore që kanë të njëjtin ndikim te fëmijët tanë ashtu si Harry Potter-i, James Bond-i, e Sherlock Holms-i, përndryshe diskriminimi gjinor në botën fiktive të artit e konsolidon diskriminimin gjinor në botën reale.
________________
Ky tekst është mbështetur nga United Nation Democracy Fund (UNDF) – Am I equal in Kosovo society