Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dështimet e BE-së rizgjojnë fantazmën e ndryshimit të kufijve

Dështimet e BE-së rizgjojnë fantazmën e ndryshimit të kufijve

Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan. Më pak se një vit pasi u përmbyll zhurmnaja në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, tashmë duket sikur një tjetër stuhi do përplaset në brigjet ballkanike, kësaj radhe duke prekur thuajse të gjithë rajonin.

Një letër jo-zyrtare e pakonfirmuar, e qarkulluar dhe publikuar fillimisht në mediat sllovene, paraqiti një të ashtuquajtur propozim për të rivizatuar kufijtë e vendeve të Ballkanit. Sipas letrës, autorësia e së cilës i është atribuar qeverisë sllovene, për të zgjidhur problemet e mbartura rekomandohet bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Në të njëjtën kohë, aty ngrihet ideja e bashkimit të Republikës Srpska me Serbinë dhe mundësia e asimilimit të disa kantoneve të Bosnjës dhe Hercegovinës nga Kroacia, duke shënuar dhe shpërbërjen efektive të Bosnjës.

Kryeministri slloven Janez Janša nuk e pranoi fillimisht ekzistencën e këtij propozimi, dhe mbi të gjitha, mohoi se letra ishte përgatitur dhe shpërndarë nga qeveria e tij në zyrat evropiane. Megjithatë, kryeministri Edi Rama konfirmoi se në fakt e kishte parë këtë propozim dhe e kishte biseduar me homologun slloven në një takim të mëparshëm. Konfirmimi i kryeministrit Rama se ishte në dijeni të asaj letre dhe se e kishte diskutuar atë me kryeministrin Janša kundërshtoi në mënyrë të drejtpërdrejtë pretendimet e këtij të fundit, por zyrtarisht nuk pati koment.

Publikimi i propozimit informal ngjalli reagime të forta në rajon dhe në Bruksel. Presidenti krolat Zoran Milanovic e kritikoi atë dhe përjashtoi kategorikisht mundësinë e shpërbërjes së Bosnjës dhe Hercegovinës. Në Sarajevë, publikimi i letrës iu shtua skepticizmit dhe turbullirës së krijuar pak ditë më parë nga vizita e Presidentit slloven, Barut Pahor. Ky i fundit, pyeti në mënyrë të drejtpërdrejtë anëtarët e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës nëse mund të shpërbëhej shteti i tyre në mënyrë paqësore.

Sikurse raportohet, përtej rajonit, dokumenti informal shkaktoi njëfarë konfuzioni edhe në Bruksel. Ndërsa një pjesë e madhe e diplomatëve dhe e përfaqësuesve të Komisionit Evropian nuk ishin në dijeni të ekzistencës së letrës, zyra e Presidentit të Komisionit Evropian, Charles Michel, nuk mohoi dyshimin se një kopje kishte vajtur tashmë tek ata.

Pavarësisht seriozitetit që mund të ketë në vetvete një iniciativë e tillë, duket sikur ka një përpjekje të koordinuar për të futur në rend dite diskutime të cilat janë refuzuar kategorikisht deri pak kohë më parë. Prandaj besoj se vlejnë një sërë konsideratash paraprake.

Fillimisht, përtej diskutimit rreth seriozitetit të një “non-paper” të tillë, duhet analizuar përpjekja e viteve të fundit për të rifutur në diskutim kufijtë aktualë në Ballkan. Nëse përgjithësisht është folur për ndryshime të vogla, si demarkacionet e nevojshme për të saktësuar hartat, ose qoftë edhe për “korrigjime të kufijve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje për konfliktin, tashmë paraqitet një axhendë e re sugjestionuese në një shkallë shumë më të lartë. Një ide e tillë risjell në mendje dhe krijon reminishenca me ndodhitë e shek. XIX dhe të fillim-shekullit XX.

Së dyti, ka një paqartësi në lidhje me shkallën e ndryshimeve të propozuara. Në artikullin e necenzurirano, medias sllovene që publikoi fillimisht letrën atribuar qeverisë sllovene, shkrimi u shoqërua me një hartë të Ballkanit. Në këtë hartë, përtej bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, shënohej veriu i Kosovës si pjesë e Serbisë, ndërkohë që Lugina e Preshevës dhe pjesa perëndimore e Maqedonisë së Veriut përfshiheshin si pjesë e Shqipërisë. Megjithatë, asnjë prej këtyre ndryshimeve nuk përmendeshin tekstualisht në letrën e publikuar nga media dhe në fakt harta nuk ishte pjesë integrale e dokumentit, por ishte marrë nga një portal maqedonas. Nuk është çudi që të ketë pasur dhe të vazhdojë të ketë përpjekje për lajme faktike të kryqëzuara me dezinformata të qëllimshme. Ballkani, sikurse dhe vendet e tjera evropiane, janë bërë tashmë subjekt i qartë i fushatave dezinformuese, por nëse perëndimi gëzon më shumë qëndrueshmëri, Ballkani bëhet më lehtësisht pre e tyre dhe prandaj nevojitet një qasje e ftohtë dhe duke u nisur nga analiza se kush financon, orienton dhe përfiton nga fushata të tilla.

Ky nuk është propozimi i parë që kërkon të rishikojë hartën e Ballkanit. Përgjatë viteve, duke përfshirë dhe rishtazi, ka pasur vazhdimisht ide dhe versione të reja për rishikim. Ajo çfarë mbetet relativisht e pandryshuar në të gjitha këto versione është ideja e kompensimit të Serbisë me territore të reja, pavarësisht faktit se nacionalizmi dhe revizionizmi serb, i mbështetur nga fuqi malinje brenda dhe jashtë Ballkanit, mbetet kërcënimi kryesor për paqen dhe stabilitetin.

Në mënyrë të çuditshme, pyetur në lidhje më këtë propozim, zyrtarët rusë nuk e adresuan plotësisht këtë çështje. Përkundrazi, Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, shprehu vetëm shqetësimin për faktin se në atë dokument përmendej bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, duke injoruar elementët e tjerë.

Shpeshtimi i ngritjes së tezave kartografike lidhet pashmangshmërisht me dështimin e të ashtuquajturës perspektivë e Bashkimit Evropian për rajonin dhe zbehjen e imazhit idilik të unionit. Zhgënjimi në lidhje me procesin e zgjerimit, por edhe me bjerrjen e mantelit të demokratizimit me të cilin shoqërohej ky proces, ka shkaktuar një hendek ndërmjet pritshmërive të qytetarëve të rajonit dhe rezultateve të prekshme. Nëqoftëse politika e Bashkimit Evropian në rajon nuk rivitalizohet, duke nisur fillimisht me një analizë autokritike në Bruksel dhe në qendrat e tjera vendim-marrëse, gjasat janë që teza të tilla të vazhdojnë të tërheqin vëmendje. Mbi të gjitha, duket sikur teza të tilla rishfaqen dhe si reagim ndaj një momenti kur duket një aktivizim i ri amerikan në rajonin ballkanik.

Padyshim që nuk mund të anashkalohet dhe një konsideratë mbi kohën dhe kontekstin e zhvillimeve më të gjera, ndërkohë që ky propozim vjen në një moment kritik gjeopolitik. Një krizë e re është profilizuar në lindje të Europës, teksa Rusia ka nisur një mobilizim të rrezikshëm dhe të pashpjegueshëm të trupave ushtarake në kufirin me Ukrainën, duke risjellë në kujtesë agresionin e saj ushtarak të vitit 2014. Ky është një zhvillim që rrezikon të ketë pasoja të thella për Ukrainën, por edhe sigurinë në të gjithë kontinentin evropian, duke përfshirë dhe Ballkanin.

Për ta përmbyllur, vlen të ritheksohet se protagonizmi slloven në këtë çështje vjen i mveshur nën petkun e drejtueses së ardhshme të presidencës së Bashkimit Evropian, por qartësisht liderët sllovenë po shërbejnë si korrierë më shumë se sa nismëtarë. Tirana dhe Prishtina duhet të mbeten syçelëta ndaj të gjitha zhvillimeve që prekin drejtpërdrejt interesat shqiptare. Përtej zhurmnajës, roli i dy shteteve shqiptare është kyç për të gjithë dinamikat e rajonit. Duhet kujdes maksimal ndaj përpjekjeve që mund të synojnë ta instrumentalizojnë ose zhbëjnë këtë fakt.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorëve dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.