Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dikotomia e Gërvalla-Schwarz: Ministre në Kosovë, rezidente në Gjermani

Ditë më parë, u raportua se ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, kishte kërkuar tërheqjen e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, gjatë qëndrimit të saj në Gjermani.

Në lajmin e botuar ishin cituar dy burime: një në Ministrinë e Jashtme dhe një në Ambasadën gjermane në Prishtinë. Për më tepër, duke iu referuar atij raportimi, skandali thellohej se Gërvalla nuk kishte pakënaqësi vetëm me ambasadorin Rohde, por edhe me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, dhe me këshilltarin e kancelarit gjerman, Jens Plotner.

Gërvalla-Schwartz, në ndërkohë, i ka demantuar këto raportime, duke i quajtur të pavërteta. Mirëpo, vërtetësia e këtyre pretendimeve nuk është subjekt i këtij shkrimi, por sjella e Gërvalla-Schwarz-it e veshur me pushtetin e kryediplomates, në njërën anë, dhe trajtimi i përgjithshëm i sjelljeve të shteteve në raport me diplomatët e huaj, në anën tjetër.

Që nga ardhja në krye të diplomacisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka qenë kampione e skandaleve të njëpasnjëshme. Ajo mandatin e saj e filloi mbrapsht me përdorimin e gjuhës jodiplomatike në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e më pas e vazhdoi edhe me skandalet në diplomacinë digjitale, duke bërë gabime pothuajse në secilin postim, e duke ngatërruar flamujt e vendeve, për të vazhduar më pas me skandale në shkarkim e ngarkim të stafit diplomatik të Kosovës.

Fillimisht, Gërvalla-Schwarz i shkarkoi 12 ambasadorë njëkohësisht, për të vazhduar më pas me reduktimin e stafit nëpër misionet diplomatike e konsullore, e deri tek emërimi i zyrtarëve të ish-Ministrisë së Diasporës nëpër pozita diplomatike, edhe pse të njëjtit nuk kishin pasur as grada diplomatike.

Prandaj, duke e pasur parasysh historikun e Gërvalla-Schwarz-it si ministre e Jashtme dhe skandalet e njëpasnjëshme, nuk do të ishte çudi sikur raportimi më i fundit për kërkesat e saj drejtuar Gjermanisë të dalë i vërtetë.

Kjo për shkak se Gërvalla-Schwarz ka jetuar gjatë në Gjermani, ku ka qenë aktiviste politike si dhe bashkëshorte e ish-deputetit të Bundestagut, Stefan Schwarz. Rrjedhimisht, ajo mund të ndiejë një lloj të drejte për t’u përzier në punët e brendshme të Gjermanisë. Megjithatë, kjo e drejtë Gërvalla-Schwarz-it i ka mbaruar në mars të vitit 2021, kur ka marrë detyrën e kryediplomates së Kosovës dhe, për aq kohë sa vazhdon këtë pozitë, ajo nuk mund të luajë me dy karta.

Në rast se konfirmohet lajmi se Gërvalla-Schwarz njëmend ka kërkuar largimin e ambasadorit gjerman – pasi, fundja, nuk guxojmë t’i ikim parimit juridik të prezumimit të pafajësisë – ajo me automatizëm do të duhej të jepte dorëheqje.

Por, marrë parasysh se dorëheqjen si akt moral Gërvalla-Schwarz do të duhej ta ofronte shumë më herët për gjitha skandalet e saj në këta tre vjet, e që nuk e ka bërë, atëherë as kësaj radhe nuk besoj të jetë ndryshe. Megjithatë, kryeministri Kurti do të duhej që të ndalonte së amnistuari ministren Gërvalla-Schwarz dhe ta shkarkonte atë menjëherë.

Çështjen e përfshirjes së diplomatëve të huaj në politikat e brendshme të shtetit pritës e ka zgjidhur Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, e vitit 1961. Neni 9 i kësaj konvente i jep të drejtë shtetit pritës që ta shpallë persona non grata (person të padëshiruar) cilindo diplomat të huaj, e madje ky nen i lë në diskrecion shtetit pritës që as të mos japë shpjegime për arsyet e këtij vendimi.

Megjithatë, shtetet rëndom e rezervojnë këtë të drejtë për ato vende me të cilat nuk kanë marrëdhënie miqësore, e që nuk është rasti mes Kosovës dhe Gjermanisë. Madje, Gjermania është njëri nga aleatët më të mëdhenj të Kosovës brenda Bashkimit Europian, qoftë kjo për politikat e zgjerimit, ato të dialogut, e madje edhe ato të sigurisë – ku hiç më larg se në fillim të këtij muaji, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, në mes të Beogradit tregoi arsyet se pse Gjermania vazhdon armatosjen e Kosovës.

Prandaj, për Kosovën do të ishte e pamendueshme që ta vinte në pikëpyetje këtë përkrahje, kur merret parasysh kostoja e madhe që vendi mund të paguajë në rast të ftohjes së raporteve. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, shtetet rëndom operojnë me konceptin e reciprocitetit dhe nuk do të ishte largmendsh që edhe Gjermania t’i ftohte raportet me Kosovën, e madje edhe ta shpallte persona non grata ambasadorin tonë atje, si kundërpërgjigje për kërkesën e supozuar të Gërvalla-Schwarz-it.

Për këtë arsye, edhe sikur të jetë e vërtetë që ambasadori Rohde “përzihet shumë” – siç u raportua – e edhe sikur Gërvalla të donte ta shpallte atë persona non grata, me shumë gjasë ajo nuk do të kishte mbështetje nga krerët e tjerë të politikës së jashtme, si presidentja e kryeministri, të cilët mbase edhe mund të jenë më të vetëdijshëm sesa Gërvalla-Schwarz për rrezikun që një lëvizje e tillë ngërthen.

Nuk do të ishte e befasishme që Gërvalla-Schwarz t’i ketë shprehur ca pikëpamje të saj në një takim të mbyllur, e të cilat mund edhe t’i kenë dalë në publik, për shkak se, pavarësisht se te ne nuk ka komunikim të rregullt mes legjislativit e ekzekutivit, në vendet e tjera ky komunikim është normativ.

Mbi premisën e këtij supozimi, Gërvalla mund të jetë zënë në befasi, e tanimë të mundohet t’i mohojë këto raportime – madje duke i mbështjellë ato edhe me një dozë cinizmi.

Në rast se ditëve në vijim vërtetohet që Gërvalla-Schwarz në të vërtetë e ka bërë një kërkesë të tillë – qoftë edhe jozyrtarisht – krerët e tjerë të institucioneve të Kosovës do të duhej të distancoheshin nga kjo kërkesë dhe të vendosnin interesat e vendit para tekeve të një ministreje të pakualifikuar dhe skandaloze, siç është Gërvalla-Schwarz.

Asnjë shtet, e aq më pak Kosova, nuk e ka luksin që në krye të diplomacisë të ketë dikë që nuk di të kontrollojë atë që thotë e atë që vepron; dikë që sillet me impuls. Kjo për faktin se kostoja është tejet e lartë, e përfitimi inekzistent.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.