Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Futbolli Anglez dhe nacionalizmi Serb

Magjia e nacionalizmit qëndron në aftësinë e saj që të shndërrojë rastësinë në fat, thotë Benedict Anderson, dhe vazhdon duke pohuar se nacionalizmi është balsami që u dhuron kombeve një të kaluar të lavdishme dhe një të ardhme të pa kufij. Një rastësi historike siç mund të jetë një betejë e humbur apo një skandal diplomatik, shndërrohet, bymehet e tejzmadhohet në fat kombëtar që, duke qenë fat, pra diçka e paracaktuar apo e shkruar diku në qiej, luan rolin instrumental në skalitjen e vetëdijes kombëtare. Ernest Renan thotë se kombi përbëhet nga dy ”parime shpirtërore” që janë të ndërvarura.

E para është e kaluara, si dhe ruajtja, kultivimi dhe glorifikimi i asaj të kaluare (që pashmangshmërisht është heroike). E dyta është e tashmja, si dhe dëshira kolektive për të ndërtuar atë mbi bazën e asaj të kaluare të përbashkët (të lavdishme dhe heroike gjithsesi).

Nacionalizmi nuk shpërfaqet vetëm në luftë, apo në tavolinën e bisedimeve në mes shtetesh. Atë e shohim tek harbohet e lëshon rrënjë edhe në sport apo më saktë, siç e pamë nga Kampionati Evropian që sapo lamë pas, në futboll. Rasti i Anglisë dhe relacioni i saj me futbollin është një shembull tipik i këtij nacionalizmi.

Janë dy pika në të cilat nacionalizmi i futbollit anglez puqet me klero-nacionalizmin serb. E para është mendësia e viktimës apo humbësit, e rrënjosur thellë në psikën nacionale. Pika e dytë është bindja e brendshme mbi pronësinë, një bindje inherente mbi të drejtën hyjnore për të pasë diçka (lexo: kupë futbolli, medalje, apo tokë, manastire, etj.) nën posedim dhe kontroll. Përderisa kjo është ngjashmëria, ndryshimet janë madhore duke qenë se në rastin e parë nacionalizmi kufizohet brendapërbrenda fushës së futbollit (ndoshta pak edhe jashtë saj, në formën e tifozëve të dehur teksa brohoritin ”England, England”), ndërsa në të dytën kjo ideologji shpërthen në shovinizëm, urrejtje e madje edhe luftëra, siç edhe e dëshmon historia e vonshme. Por t´i rrekemi krahasimit më detajisht.

Për anglezë, futbolli nacional është një traumë kolektive. Ajo traumë përjetohet, përkujtohet, rigjenerohet, lojë pas loje, kampionat pas kampionati. Futbolli ushqehet nga kjo traumë kolektive, dhe anasjelltas. Brez pas brezi, tifozët frymëzohen me narracionin e një të kaluare të lavdishme, më saktë vitin 1966, kur Anglia arriti të bëhej kampione e botës në futboll. Futbollistët si Bobby Moore, Jack Charlton e të tjerë, janë ikonat e përjetësuara të asaj kohe, nën lauret e të cilëve reprezentacionet që erdhën mëpastaj kërkuan inspirim dhe bekim. Por kjo mbetet hera e parë dhe e vetme që Anglia fitoi këtë trofe. Dhe, siç pamë, triumfi në Kampionatin Evropian vazhdon të mbetet veçse një ëndërr.

Por Anglia është maestro e shndërrimit të këtyre disfatave të njëpasnjëshme në trumbetim për beteja të ardhshme. Evokohen raste kur i është bërë e padrejtë nga referi, kur është dhënë një penal kundër tyre që ndërroi tërë kahjen e historisë. Dhe gjithmonë, gjithmonë, kujtohet ”dora e Zotit” – gola e Maradonës në çerekfinalen Anglia-Argjentina nga Kampionati Botëror 1986, që diskualifikoi luanët anglezë. Natyrisht, me Argjentinën armiqësia gjithmonë ka qenë më tepër se një lojë futbolli – kujto luftën e 1982-tës për ishujt Falkland/Malvine në mes Britanisë e Argjentinës. Tjetër rivalitet i ashpër është ai me Gjermaninë. Disi, për Anglinë si fituese e Luftës së Dytë Botërore, humbja kundër gjermanëve kurrë nuk ka qenë kafshatë lehtë e kapërdishme, edhepse këta të fundit kanë rezultate shumë më mbresëlënëse në lojëra ndërkombëtare.

Kënga e tifozëve ”Football’s coming home” është shndërruar tashmë në himn kombëtar. Masat mobilizohen, inspirohen, mbushen me krenari kombëtare, derisa stadiumet ushtojnë me refrenin e kësaj kënge. Mirëpo ato ”tridhjetë vjet dhimbje”, siç ia thotë kënga (e cila debutoi për Euro 1996), tash janë zgjatur në më shumë se pesëdhjetë vjet. Dhe, siç u pa nga rezultati i finales me Italinë, kjo dhimbje kombëtare do të vazhdojë. Derisa të bëhen 60 vjet, 70, 100 ndoshta? Por me rëndësi që kënga të himnizojë mbi legjendat e reprezentacionit anglez, dhe të thërrasë për kthimin e futbollit në shtëpi. Vetë kjo thirrje, pra që ”futbolli të kthehet në shtëpi”, është brohorimë tipikë nacionaliste, se ajo pretendon që shtëpia e futbollit është Anglia dhe të gjitha këto trofe të fituara nga shtetet e tjera nuk janë veçse një anomali aksidentale dhe e përkohshme e historisë, pasi që Kupa e ka vendin në shtëpinë imagjinare, pra Anglinë.

Ndërkohë, dëshmia historike është më se e qartë: shtetet si Gjermania, Italia, Spanja, Franca, Brazili, Argjentina, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë më të suksesshme në futboll sesa Anglia. Dëshmohet lehtë me numrin e trofeve. Megjithatë, për Anglinë dhe përfaqësuesen e saj është me rëndësi t’i këndohet një të kaluare të lavdishme, heroizmit (imagjinar apo real), në mënyrë që ëndrra të mbetet e gjallë.

Klero-nacionalizmi serb po ashtu ushqehet nga mitet e një të kaluare të lavdishme. Nuk ka lidhje se sa është e imagjinuar ajo. Të zhytura në mjegullnajën e mesjetës, rrëfenjat për beteja të humbura, kryqëzata, toka të shenjta etj., janë brum i një ideologjie politike shoviniste të mpleksur me fenë. Nga ky lëmsh klero-politik është krijuar miti për Kosovën, që sot e kësaj dite vazhdon të diktojë diskursin publik në Serbi. Është pikërisht ky binom incestuoz – politikë dhe religjion – që u bë bashkë për të ndezur luftërat e viteve ´90 në ish-Jugosllavi. Pra, ky është një rast ekstrem i përhapjes së flakës në nacionalizëm-shovinizmit – gjithmonë duke u thirrur në një të kaluar pak imagjinare e pak të rreme – për të projektuar një të ardhme të artë, e që rezultoi në gati dhjetë vite luftëra në këtë rajon.

Për krahasim, nacionalizmi anglez në futboll është i butë, madje i mirëseardhur. Në fakt, nuk ka krahasime në mes këtyre të dyjave, përveç faktit se të dyjat ushqehen nga sentimenti nacionalist. Vetëm se në rastin serb, nacionalizmi ka degjeneruar në luftë dhe ende ka rrezik të eskalojë në dhunë përmasash rajonale, ndërsa ai anglez është civilizues, argëtues, dhe kryesisht përmbahet brenda konturave të spektaklit sportiv. Ku të kishim vetëm nacionalizma si ai i futbollit anglez, ëndrra e të cilëve mbetet vetëm kaq. Pra ëndërr.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.