Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gjithçka që i duhej ishte një furgon dhe një djalë

Gjithçka që i duhej ishte një furgon dhe një djalë

Foto: The Van

Dhe këtu vjen një film që mund të thotë aq shumë në vetëm 15 minuta: groteskueshmëria e njerëzimit, lufta për mbijetesë, dashuria për jetën, tmerri i humbjes, zbrazëtia e botës, të gjitha këto përbëjnë një histori veçanërisht të dhunshme në një mënyrë çuditërisht të heshtur. Me filmin e tij The Van Erenik Beqiri ka sjellë në ekranin e madh një studim elegant të dhunës dhe dashurisë, një tragjedi bashkëkohëre e cila sidoqoftë është gjithashtu edhe një tragjedi universalisht relevante; gjithçka që i duhej ishte thjesht një furgon dhe një djalë. Kjo është historia prekëse e një djali të rri i cili ndeshet brenda një furgoni, për të fituar lekët që i duhen për të emigruar jashtë shtetit, bashkë me të jatin e tij, pavarësisht se ky i dyti refuzon ta ndjekë djalin në Angli.

Filmi krijon personazhet përmes një tensioni i cili vazhdimisht ndërtohet në një mënyrë progresive si dhe agresive – kjo duket pastër në mënyrën se si protagonisti ‘Champ’  fillon me një gërvishtje të vogël në fytyrën e tij (një shenjë që tregon se ai është një boksier i fortë, i vendosur për të fituar çdo ndeshje), dhe progresivisht përfundon me një fytyrë të mavijosur dhe të deformuar. Pra, groteskueshmëria e njerëzimit si dhe lufta për mbijetesë pasqyrohen pastër pikërisht në ky deformim dhe në ky personazh dinamik i cili përfaqëson jo vetëm Shqiptarin që kërkon t’i largohet vendit e tij, por çdo njeri që kërkon një të ardhme më të mirë larg vendit e vetë. Phenix Brossard na detyron ne si spektatorë të shohim të papërshkrueshmen, ta ndjejmë atë në kockat tona sa herë që kockat e trupit të tij thyhen në çdo ndeshje. Me disa close-ups të fuqishme kamera na tregon atë që fshihet pas dyerve të mbyllura të furgonit ku zhvillohen ndeshjet dhe na përplas me realitetin e një njeriu të dobët në fushën shoqërore. Mënyra se si trajtohet tema e njeriut të pafuqishëm është krejt ironike pasi filmi e portretizon atë në personazhin e një boksieri – një njeri i pafuqishëm i klasës më të ulët shoqërore demonstron një vullnet të fortë për mbijetesë përmes grushtave të tij.

Sado karakter intensiv që është Championi, në të vërtetë është i ati (Arben Bajraktaraj) ai që përfaqëson plotësisht dhe më gjerë drama më të thella njerëzore siç është pamundësia për të vazhduar më tej dhe pashmangshmëria e fatit. Ai vuan në heshtje dhe arrin kulmin me aktin e tij vetëmohues në fund të filmit  – pra, ja një karakter ekrani i cili në një moment krejt monstruoz na sjell ndjenja krejt humane: ngrohtësi dhe ndjeshmëri! Sigurisht që regjisori Erenik Beqiri me qëllim eviton të na tregojë aktin monstruoz, dhe sjell gjithçka në rreth të plotë duke zgjedhur ta mbyllë filmin në të njëjtën mënyrë që e fillon, me një ekran të zi, duke i ngirë dy personazhet kryesorë në krahët e njëri tjetrit. Gjëja e fundit që ne shohim është ky përqafimi i tyre, është absolutisht tragjike dhe emocionuese dhe mbase në këtë mënyrë regjizori na jep njëfarë shprese – spektatori ka gjithmonë nevojë për të ndjerë katharsin në fund të tragjedisë. Me këtë imazhin e fundit të përqafimit të tyre filmi shpëton dinjitetin e dy personazheve në këtë histori jashtëzakonisht të tmerrshme dhe kujdeset për natyrën e tyre të brishtë.

Atëherë, ky film që mund të quhet një protestë kundër zbrazëtisë së botës dhe tmerrit së humbjes, na lë duke menduar se çfarë mund të ketë ndryshuar për të gjithë protagonistët e së njëjtës drame që janë të padukur, hije në rrjetën sociale. Një pikëpyetje e madhe na ngelet në shpirt duke shikuar ekranin e zi, dhe një ndjenjë deshpërimi pasi kemi përjetuar 15 minuta plot dhunë, tronditje dhe manipulim. Në fund të fundit, përndryshe si mund të ishim në gjendje të konceptojmë përdhunimin e njeriut nga natyra e egër e botës nëse nuk përplasemi me të tilla ndjenja! Kjo është pikërisht mrekullia e filmit si art, dhe The Van sigurisht që qëndron si një kryevepër në këtë rast. Nëse duam të flasim në një nivel filozofik, do të guxoja të sugjeroja që e gjithë historia mund të lexohet si një metaforë për ‘ndeshjen’ e kineastit kundër forcave brutale të industrisë që të gjejë mundësinë të tregojë një histori përmes imazheve – guximi i një auteur të vërtetë të komentojë mbi një realitet të vërtetë duke iu shmangur kufizimeve të rrethinës së tij.

Sfida e vërtetë në këtë film jashtëzakonisht të rëndë duhet të ketë qënë nevoja për të ngjallur emocione të forta duke e trajtuar temën me seriozitet dhe dinjitet. Në kundërshtim me zhanrin e filmit të boksit i cili zakonisht përqëndrohet tek trupi mashkullor si një trup jashtëzakonisht i fuqishëm, këtu kemi të bëjmë me një trup njerëzor, të thjeshtë, të lënduar, të rraskapitur, të lodhur dhe të dëmtuar, historia e së cilit është e thjeshtë por edhe e vështirë. Asgjë nuk është e lehtë në këtë film. Gjatë gjithë kohës kamera lëviz me nervozizëm për të transmetuar agoninë të karaktereve si dhe të spektatorëve. Nëse më duhej ta përshkruaj filmin me pak fjalë, do thosha se është kinematografikisht elegant, tematikisht sfidues,  dhe stilistikisht i pasur. The Van sigurisht na rrëmben dhe na udhëton nëpër territore të paeksploruara. Na premton se Erenik Beqiri do kthehet përsëri të na shkundë nga vendet tona dhe të na tronditë përsëri.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.