Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Gracka e radhës e Vuçiqit

Para disa ditësh, dy figura publike nga Serbia, të njohura në Kosovë për qëndrimet e tyre të drejta ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, Sonja Biserko dhe Nenad Çanak, qëndruan për vizitë në Prishtinë dhe e takuan kryeministrin Albin Kurti.

Sipas deklaratës për shtyp nga Zyra e kryeministrit, ata e njoftuan Kurtin se qeveria serbe ka filluar të ndërtojë banesa kolektive në Sanxhak, në përgatitje të një eksodi të serbëve nga Kosova. Madje, u tha se po bëheshin edhe përgatitjet për zhvendosjen e universitetit paralel “të Prishtinës” nga veriu i Mitrovicës për në Novi Pazar.

Edhe pse pse ky lajm duhet konfirmuar, ai filimisht tingëllon si kredibil dhe brenda logjikës operative të nacionalizmit shtetëror serb. Kujtojmë këtu përpjekjen e viteve ‘90 të Millosheviqit për t’i zhvendosur refugjatët serbë nga Kroacia në Kosovë, si pjesë e inxhineringut etnik për ta ndryshuar strukturën demografike të Kosovës.

Nacionalistët serbë mbase do të mundoheshin ta kthenin problemin e serbëve të Kosovës në një mundësi për “zgjidhjen e problemit” të shumicës boshnjake në Sanxhak. Nacionalizmi serb e sheh me dyshim “problemin” mitik dhe të sajuar të quajtur “korridori i gjelbër” – gjegjësisht, lidhjen e vazhdueshme territoriale të popullsisë me shumicë myslimane nga Bosnja e deri në Maqedoni, e cila në Serbi kalon përmes Sanxhakut.

Në fakt, nuk është fare larg mendsh se Serbia e Vuçiqit, jo vetëm se po përgatitet për skenarin e eksodit të serbëve si një mundësi, por me gjasë po e kërkon dhe po i krijon kushtet për të.

Qysh prej dështimit të sulmit terrorist në Banjskë nga militantët serbë, ku Vuçiqi u kap me presh në dorë dhe iu vizatua vija e kuqe nga NATO-ja dhe Policia e Kosovës, ai çuditërisht ka kaluar në heshtje dhe ka hequr dorë nga veprimi aktiv politik në veri të Kosovës (së paku nga veprimi i dukshëm), për dallim nga vitet e shkuara, ku çdo veprim të Qeverisë së Kosovës në veri e trajtonte me dramë si emergjencë kombëtare.

Pas largimit të faktorit Milan Radojçiq, kreut të rrjetit kriminal në veri të Kosovës, autoritetet kosovare në veri po shtyejnë dyer tashmë të hapura, pa hasur në asnjë rezistencë. Edhe pse disa grupe serbësh në veri po organizojnë protesta, pjesa më e madhe e tyre ndihen të braktisur nga Serbia dhe janë nën mëshirën e mbrojtjes dhe garancive që i kanë nga bashkësia ndërkombëtare.

Si mund të lexohet kjo heshtje e çuditshme e Vuçiqit ndaj veprimeve të Kosovës? 

Pjesërisht, konstruktiviteti mund të jetë një lëvizje taktike për t’i shtensionuar raportet me Perëndimin, gjë që iu shpërblye me avionët luftarakë “Rafale” nga Franca dhe me marrëveshjen e litiumit të ndërmjetësuar nga Gjermania. 

Por, rreziku i vërtetë qëndron te mundësia se kjo është një heshtje taktike përmes së cilës po ndërtohet narracioni dhe po krijohen “kushtet e duhura informative” për një lëvizje të befasishme dhe një eskalim, i cili mund ta realizojë, mes të tjerash, edhe skenarin e eksodit.

Ndërkohë që Vuçiqi mbetet arkitekt i hegjemonisë së re nacionaliste serbe, në rrafshin afatgjatë ai duket se së paku ka hequr dorë nga pretendimet territoriale për Kosovën, sepse nuk u shërbejnë interesave të tij. Kosova i shërben Vuçiqit më shumë në një formë tjetër – si narracion propagandistik për politikën e brendshme (viktimizmin dhe paranojën) dhe si zheton i negociatave me Perëndimin për çështje të tjera më të rëndësishme.  

Ndërkohë që Kosova mbetet element i fuqishëm i nacionalizmit serb në aspektin identitar dhe të trashëgimisë kulturore, Beogradi zyrtar realisht e di se Kosova është e humbur. Ai po ashtu është skajshmërisht cinik dhe shpërfillës ndaj serbëve të Kosovës. Ata mbeten aty ku kanë qenë qysh nga vitet ‘80 – si një mish për top dhe instrument i popullizmit të një elite në Beograd, e cila i trajton si numerikisht të papërfillshëm. Siç ma tha para ca kohësh një serb i Kosovës, sot në Serbi ka më shumë serbë që punojnë për kompani gjermane, sesa ka serbë në Kosovë!

Në këtë kontekst, skenari i eksodit të serbëve është skenari ideal i cili do ta ngujonte Vuçiqin në pozitën e viktimizimit nacionalist dhe do t’ia ofronte pretekstin e përkyer në marrëdhëniet me Perëndimin, për të refuzuar çfarëdo diskutimi për njohjen apo edhe zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës – qoftë edhe me njohje de facto – të cilin e siguronte Plani franko-gjerman. 

Por, për ta realizuar këtë skenar, Vuçiqit i duhet roli aktiv i palës tjetër – me fjalë të tjera, vazhdimi i qasjes së deritanishme të Qeverisë së Kosovës në raport me veriun dhe me serbët, i cili po i krijon pikërisht parakushtet e përshkallëzimit dhe viktimizimit që po e kërkon Vuçiqi. Siç deklaroi së fundmi ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried: “Qeveria e Kosovës ka arritur disi ta bëjë Qeverinë serbe në Beograd të duket si palë e dëmtuar”.  

Në këtë vijë duhet lexuar edhe lutja e z. Çanak në një intervistë plotësuese mbi vizitën në Kosovë dhënë gazetës “Danas”. Aty, ai, në mënyrë paksa diplomatike dhe mes rreshtash, potencoi se veprimet e pakoordinuara të Kurtit me Perëndimin mund të kontribuojnë në skenarin e eksodit. Në këtë vijë dhe me mundësinë e përshkallëzimit në mendje, mund të kuptohen edhe thirrjet e vazhdueshme amerikane të cilat u përforcuan nga vizita e shefit të CIA-s, William Burns.

Fryma euforike e “shtrirjes apo vendosjes së sovranitetit”, të cilën e ka ndërtuar Qeveria e Kosovës për efekte elektorale, si dhe marrja e përnjëhershme e shumë masave që ua vështirësojnë praktikisht jetën serbëve, të cilët mbijetojnë nga rrogat e institucioneve të Serbisë – pa ua ofruar atyre ndonjë alternativë –, trajtimi deri edhe i pjesëtarëve serbë të shoqërisë civile si armiq të vendit, do të lexohet ndoshta nga votuesit kosovarë si fitore politike, si drejtësi përfundimtare historike dhe me shumë gjasë do t’ia vuloste Kurtit një mandat të dytë. 

Por, kjo qasje rrezikon ta ushqejë narracionin ku Kosova do të fajësohej për eksodin e serbëve.

Ndërkohë që shqiptarët në Kosovë ende po e vazhdojnë avazin e trajtimit të serbëve të Kosovës si problem i Serbisë dhe jo si përgjegjësi e vendit. Madje, me eksodin potencial të serbëve, shumë do të ndiheshin të lumtur – Vuçiqi, me gjasë, do t’i presë ata me qilim të kuq në Sanxhak apo zona të tjera të Serbisë ku ka krizë dhe nevojë akute për fuqi punëtore. 

Ata do të ishin trofeu përmes të cilit ai do ta shmangte çfarëdo presioni perëndimor mbi Kosovën dhe do të ngulitej edhe më fort në pozitën e sotme të favorshme gjeopolitike – mirë me Perëndimin, mirë me Rusinë, dhe mirë me Kinën.

Ndërkohë, Kosova, krenare dhe sovrane, vigjilente ndaj armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, e dalldisur nga fitore të njëpasnjëshme të Pirros, si dhe e dehur nga freskia e ujërave të Ujmanit, rrezikon që nga shkurtpamësia kronike të mbetet e cunguar si shtet i pakonsoliduar dhe i izoluar në rajon, në Europë e në botë: mirë me askënd, e sidomos jo me veten e vet!

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.