Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Heqja e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë në Kosovë cenon sovranitetin e vendit

Liberalizimi i vizave në zonën Schengen për qytetarët e Serbisë ka hyrë në fuqi qysh në vitin 2009. Mirëpo, i njëjti privilegj nuk ka vlejtur edhe për bartësit e pasaportave të Serbisë, që janë rezidentë të Kosovës (shumica serbë të Kosovës), të cilët kanë pasur pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe.

Si pjesë e reformave që kanë mundësuar liberalizimin e vizave për Serbinë, kësaj të fundit i është dashur që institucionet paralele, të cilat deri atëherë kishin lëshuar pasaporta dhe dokumente të tjera për qytetarët me rezidencë në Kosovë, t’i bartë në Beograd.

Rrjedhimisht, të gjitha pasaportat serbe të lëshuara nga Zyra Koordinuese Serbe lëshohen në Beograd, që përbën dallim nga zonat e tjera të Serbisë. Për shkak se këto pasaporta përmbajnë emrat e qyteteve të Kosovës, megjithatë, nuk kanë gëzuar të njëjtin status sikurse ato të lëshuara për qytetet të cilat ndodhen në Serbi – duke e bërë kështu të pamundur lëvizjen pa viza për këta qytetarë deri më tani.

Më 22 korrik 2024, Këshilli i Bashkimit Europian vendosi t’i heqë vizat për qytetarët e Kosovës të cilët bartin pasaporta të lëshuara nga Zyra Koordinuese Serbe për Kosovën. Arsyetimi për këtë vendim në Bruksel është se nëpërmjet këtij vendimi, të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor i nënshtrohen të njëjtit regjim vizash, pa dallim.

Megjithatë, ky vendim përbën cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe sinjalizon një dështim të vendit në politikë të jashtme.

Cenimi i sovranitetit dhe integritetit territorial

Lëshimi i pasaportave serbe për qytetarët dhe qytetet nën juridiksionin e një shteti tjetër (në këtë rast, Kosovës) përbën cenim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Duke i liberalizuar vizat për bartësit e pasaportave serbe në Kosovë, BE-ja legjitimoi edhe zyrtarisht këtë gjë. BE-ja tashmë i njeh si valide dokumentet serbe, të cilat mbulojnë territorin e Kosovës.

Zyrtarisht, institucionet e BE-së (me përjashtim të Parlamentit Europian) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbajnë një qasje neutrale karshi statusit të Kosovës.

Megjithatë, marrë parasysh procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, BE-ja nuk është dashur ta legjitimojë praktikën serbe të lëshimit të pasaportave me demonime të qyteteve të Kosovës – aq më tepër kur kemi parasysh që Kosova është palë në këtë dialog.

Ani pse BE-ja e arsyeton këtë lëvizje të saj me barazi për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, një praktikë e tillë do të ishte e papranueshme për cilindo shtet sovran.

Dështim i rëndë në politikë të jashtme

Qeveria e Kosovës është dashur që të punojë më ngushtë me partnerët e vet brenda shteteve anëtare të BE-së, për të mos lejuar që një vendim i tillë të miratohet, por që, përkundrazi, në një frymë mirëbesimi, të inkurajohen qytetarët serbë të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të lëvizur lirshëm e pa viza, duke u pajisur me pasaporta të Kosovës.

Gjithashtu, Kosova është dashur të lobojë në mënyrë intensive nëpër qeveritë europiane dhe ta argumentojë se sa e papranueshme do të ishte që një shtet lëshon pasaporta me demonime të qyteteve të një shteti të cilin nuk e njeh dhe e konsideron si pjesë integrale të territorit të saj.

Diplomacia kosovare ka mundur ta argumentojë në mënyrë praktike mënyrën se si një njohje e tillë nga BE-ja do të përbënte një precedent të rrezikshëm, i cili do të mund të përdorej nga shtete anekënd botës, sa herë që do të kishin probleme me njohjen e sovranitetit mbi një territor të caktuar. Megjithatë, diplomacia kosovare nuk ka lëvizur në këtë drejtim, duke pritur që kjo situatë vetvetiu të rregullohet, ani se për këtë gjë i kanë pasur disa muaj në dispozicion.

Për rrjedhojë, paaftësia e Qeverisë së Kosovës për ta adresuar këtë çështje nëpër kancelaritë europiane ka rezultuar me goditjen më të rëndë që Kosova ka marrë në dekadën e fundit, tashmë me njohjen de jure të sovranitetit serb mbi Kosovën kur kemi parasysh njohjen e pasaportave të lëshuara për vendbanimet në Kosovë.

Degradimi i raporteve dhe bashkëpunimit me aleatët

Kosova ka dështuar ta mbrojë sovranitetin e vet dhe me vendime të njëpasnjëshme e të pamenduara, të pakoordinuara, e shpeshherë duke i zënë në surprizë vetë aleatët, ka humbur shumë nga mbështetja e cila është konsideruar e mirëqenë më herët.

Lëvizjet krye më vete të qeverisë kosovare kanë bërë që aleatët të distancohen nga Kosova. Për një shtet si Kosova, i cili akoma nuk ka arritur të pranohet plotësisht ndërkombëtarisht dhe të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, kjo është katastrofale.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, në mungesë të sukseseve, i ka orientuar tanimë të gjitha energjitë e saj kah veriu i vendit. Duke u thirrur në shtrirje të sovranitetit në atë pjesë të vendit, ka eskaluar situatën edhe më tutje dhe ka shtyrë serbët që të largohen nga institucionet e vendit.

Kjo gjë ka acaruar aleatët e vendit, të cilët në vazhdimësi kanë shpenzuar energji për normalizim të raporteve mes komuniteteve në njërën anë dhe shteteve në anën tjetër. Rrjedhimisht, aleatët e Kosovës janë distancuar nga kjo qeveri, kostoja e së cilës erdhi në pah me vendimin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë në Kosovë.

Ky vendim i BE-së duhet të shërbejë për reflektim nga ana e politikës kosovare për llojin e raporteve të cilat dëshirojnë t’i kultivojnë me aleatët e vendit. Në rast se raportet ndërtohen mbi bazën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit, atëherë situata të tilla mund të evitohen. Ndërkaq, kur raportet ndërtohen mbi bazën e mosbesimit dhe paranojave, Kosova do të dalë e humbur.

Author

  • Emir Abrashi

    Emir Abrashi është studies i Çështjeve Publike Ndërkombëtare në Universitetin e Evropës Qëndrore në Vjenë, ndërsa studimet për Komunikim Strategjik i ka përfunduar në Universitetin e Abu Dhabit. Deri në fund të vitit 2021, ai ka shërbyer në shoqëri civile si Hulumtues i Politikës së Jashtme në ‘Demokraci Plus’, ndërsa para kësaj, ai ka shërbyer për dy vite si Këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ku është marrë me pjesën e korrespondencës dhe komunikimit zyrtar. Emiri ka qenë gjithashtu i involvuar në procesin e lobimit dhe themelimit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Abu Dhabi, ku ka shërbyer si Këshilltar i Shefit të Misionit. Në Abu Dhabi, ka punuar edhe si konsulent i komunikimit për Çmimin Zayed për Energji të Ripërtëritshme, organizatë jo-profitabile nën patronatin e Princit të Kurorës së Abu Dhabit. Ndërsa, më herët ka shërbyer për tre vite si Bashkëpunëtor i Jashtëm në Kabinetin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.