Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndikimi i konfliktit Izrael-Hamas në luftën në Ukrainë

Pushtimi rus i Ukrainës shokoi botën dhe tërhoqi tërë vëmendjen diplomatike, mediatike dhe të opinionit publik. Si rrallë ndonjëherë, shumica e shteteve të Bashkimit Europian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kishin qëndrim unik në vendimmarrje.

ShBA-ja dhe shumica e vendeve të BE-së, në formë të pakursyer, ofruan mbështetje politike, financiare, humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

Me gjithë ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe sanksionet e ashpra për Rusinë, lufta nuk ka një epilog dhe palët gjenden para një ngërçi ushtarak, ku fronti i luftës ka mbetur pothuajse statik.

Kjo dëshmon se luftërat janë çdoherë të paparashikueshme, si në trajektoren e zhvillimit, ashtu edhe në ndikimin që kanë në sistemin ndërkombëtar dhe ndryshimin e sjelljes së shteteve.

Lufta në Ukrainë solidarizoi botën perëndimore dhe solli një unitet të rrallë transatlantik. Megjithatë, sulmi i befasishëm i organizatës terroriste Hamas nga Rripi i Gazës në Izrael solli një shok të ri në botë dhe tërhoqi vëmendjen nga Ukraina te Lindja e Mesme.

Konflikti Izrael-Hamas ka pasur efekt direkt në luftën në Ukrainë, duke shtyrë disa shtete perëndimore të rikonsiderojnë qasjen e tyre karshi kësaj lufte.

Vëmendja mediatike

Prej fillimit të luftës, Ukraina ishte në faqe të para të mediave ndërkombëtare. Kur marrim në konsideratë zhvillimin dhe përdorimin masiv të rrjeteve sociale, mund të konstatohet se kjo është një nga luftërat ndërshtetërore më të mbuluara mediatikisht.

Për më tepër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, gati në baza ditore, qasej në rrjete sociale për të komunikuar direkt me audiencën ukrainase dhe atë ndërkombëtare, me qëllim të informimit rreth situatës në frontin e luftës, si dhe të motivonte luftëtarët. Kjo taktikë e komunikimit u dëshmua të jetë mjaft efektive.

Por, që nga 7 tetori 2023, kur grupi i armatosur palestinez i Hamasit sulmoi shtetin e Izraelit, situata ndryshoi dukshëm. Vëmendja e mediave dhe opinionit publik ndërkombëtar u përqendrua pothuajse krejtësisht në luftën në Lindjen e Mesme, duke e zhvendosur në plan të dytë Luftën në Ukrainë.

S’do mend se ky spostim u vërejt edhe nga presidenti Zelenskyy, i cili së fundmi deklaroi se Kievi nuk mund të lejojë që lufta që po ndodh në Ukrainë të harrohet.

Përkushtimi kohor

Konflikti Izrael-Hamas ka ndikuar dukshëm në sasinë e kohës dhe vëmendjes që diplomatët perëndimorë i dedikonin Ukrainës. Kjo është evidente sidomos kur analizojmë politikanët e nivelit të lartë të ShBA-së dhe BE-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, vizitoi Izraelin gjashtë herë dhe shtetet e tjera të Lindjes së Mesme tri herë. Diplomacia e tij “fluturuese” kishte si qëllim që të përkujdesej që lufta Hamas-Izrael të mos shpërndahej në rajon dhe që të bindte autoritetet izraelite për armëpushim dhe krijimin e korridoreve humanitare.

Një intensitet tillë i vizitave dhe i angazhimit me krizën në Lindje të Mesme nënkupton se administrata amerikane ka më pak kohë t’i përkushtojë luftës në Ukrainë. Sidomos kur merren në konsideratë raportet tradicionalisht të afërta mes ShBA-së dhe Izraelit, si dhe ndikimi që ka lobi izraelit në politikën e jashtme amerikane.

I njëjti trend është vërejtur edhe tek udhëheqësit europianë, të cilët pas fillimit konfliktit në Izrael, e vizituan Izraelin vazhdimisht. Duke rikujtuar paradën e të njëjtëve liderë në Ukrainë vetëm disa muaj më parë, një diplomat europian deklaroi se tashmë Izraeli është “Kievi i ri”.

Një gjë e tillë është pranuar edhe nga kryeministri belg, Alexander De Croo, i cili kishte deklaruar se është e qartë që konflikti në Lindjen e Mesme e ka lënë në hije luftën në Ukrainë.

Ndihmat ushtarake

Konflikti Izrael-Hamas ka ndikuar edhe në mbështetjen ushtarake dhe financiare të shteteve perëndimore për Ukrainën. Deri para fillimit të konfliktit, ShBA-ja dhe vendet e BE-së ishin të pakursyera në përkrahje të Ukrainës.

Në disa momente, vetë presidenti Joe Biden deklaronte se do ta mbështesin Ukrainën “për aq kohë sa të ketë nevojë”. Sipas Institutit për Ekonominë Botërore (KEIL), Administrata e Bidenit, deri më tani, ka dërguar më shumë se $75 miliardë ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare për Ukrainën. Në anën tjetër, në vitin e parë e pushtimit, BE-ja ofroi mbështetje të ngjashme në vlerë prej mbi €67 miliardë.

Mirëpo, duke marrë në konsideratë raportet speciale të ShBA-së me Izraelin, si dhe mossuksesin e ofensivës së Ukrainës në fushëbetejë, një pjesë e konsiderueshme e mjeteve që do të mund të dedikoheshin për Ukrainën, tashmë do të kanalizohen drejt Izraelit.

Së fundmi, një paketë e re e sigurisë për Ukrainën u bllokua nga senatorët amerikanë, pra bllokimi i alokimit të $61 miliardëve të destinuar për Ukrainën. Duket se edhe opinioni publik amerikan, sidomos votuesit republikanë, kanë filluar të lëkunden në qëndrimin e tyre për mbështetje të Ukrainës.

Për ta anashkaluar këtë problem, Administrata Biden po tenton që ta kushtëzojë ndihmën ndaj Izraelit me ndihmën ndaj Ukrainës, duke i futur ndihmat për të dyja shtetet në një pako të përbashkët.

Me gjithë përpjekjet e qeverisë amerikane, lufta në Ukrainë po e humb popullaritetin. Në një sondazh të realizuar nga Qendra e Kërkimit “Pew”, del në pah se 31% e amerikanëve konsiderojnë se ShBA-ja po i jep shumë ndihmë Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë. Nëse analizohen të anketuarit sipas orientimit partiak, konstatohet se 48% e elektoratit republikan e mbështesin këtë qëndrim, ndërkohë që përqindja e demokratëve shkon në vetëm 16%.

Mbështetja financiare dhe ushtarake për Ukrainën po lëkundet edhe në mesin e vendeve të BE-së. Kryeministri Hungarez, Victor Orban, po e shqyrton mundësinë e përdorimit të vetos në samitin e radhës të BE-së, ku pritet të ndahen rreth 50 miliardë mbështetje për Kievin.

Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit ka ndryshuar dukshëm mënyrën se si komuniteti ndërkombëtar e trajton luftën në Ukrainë. Ky transformim ka shkaktuar rënie të vëmendjes dhe mbështetjes që Ukraina merrte nga vendet perëndimore.

Për pasojë, Ukraina tani përballet me sfida shtesë në luftën e saj në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Këto zhvillime dëshmojnë se asnjë krizë nuk është e izoluar dhe dinamikat ndërkombëtare vazhdimisht ndikojnë në prioritetet dhe vendimet e politikës së jashtme të shteteve.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.