Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ndikimi i video-lojërave në mirëqenien psiko-sociale të fëmijëve

Ilustrimi: Big Eye

Me zhvillimin e hovshëm teknologjik, video-lojërat janë bërë një aspekt i pandashëm i jetës së fëmijëve dhe të rinjve në mbarë botën. Me rritjen e shpejtë të popullaritetit të tyre, debati mbi efektet në zhvillimin psikologjik dhe social të fëmijëve po bëhet gjithnjë e më i zëshëm.

Disa studiues besojnë se video-lojërat janë burim problemesh psikologjike, si agresiviteti dhe izolimi social, ndërsa të tjerët argumentojnë se ato mund të kenë efekte pozitive në zhvillimin e aftësive të bashkëpunimit dhe komunikimit.

Por, a janë në të vërtetë video-lojërat një rrezik real për fëmijët? Dhe cilat janë disa nga efektet negative dhe pozitive?

Efektet pozitive

Përdorimi i video-lojërave në formë të moderuar dhe të përshtatshme për moshën e fëmijës mund të jetë një aktivitet i këndshëm dhe edukativ. Disa video-lojëra nxisin të mësuarit, zgjidhjen e problemeve dhe mund të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive motorike dhe koordinimit.

Studiuesit së fundmi kanë filluar t’i shohin video-lojërat si një mjet konkret për zhvillimin e aftësive, si: përqendrimi, menaxhimi i stresit dhe zgjidhja e problemeve në mënyrë kreative. Shumë lojëra simulojnë komunikimin dhe bashkëpunimin, si dhe zbërthimin e emocioneve negative, si frustrimi. Për më tepër, video-lojërat ofrojnë një kontekst për përmbushjen e nevojave vetëpërcaktuese, duke kontribuar kështu pozitivisht në mirëqenien psikologjike.

Efektet negative

Megjithatë, përkundër këtyre përfitimeve të mundshme, një numër i konsiderueshëm studimesh theksojnë se ndikimi i video-lojërave te fëmijët mund të jetë shumë negativ, veçanërisht kur prindërit nuk arrijnë të kufizojnë kohën dhe të monitorojnë përmbajtjet e lojërave.

Studimet me këmbëngulje sugjerojnë se ekspozimi ndaj video-lojërave të dhunshme dhe përdorimi i tepruar i tyre është një faktor rreziku për rritjen e sjelljes agresive dhe uljen e ndjeshmërisë ndaj sjelljeve pro-sociale.

Një pjesë e madhe e prindërve raportojnë se fëmijët e tyre shfaqin mungesë të vëmendjes dhe rritje të impulsivitetit, si pasojë e ekspozimit të gjatë ndaj video-lojërave

Video-lojërat janë studiuar gjithashtu si shkak potencial për probleme emocionale, si depresioni. Të dhënat tregojnë se fëmijët që luajnë video-lojëra me përmbajtje të dhunshme për më shumë se dy orë në ditë shfaqin simptoma të depresionit më shpesh sesa ata që luajnë lojëra pa dhunë ose për më pak kohë. 

Këto gjetje tregojnë se luajtja e lojërave të dhunshme për një kohë të konsiderueshme çdo ditë mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin emocional të fëmijëve.

Përtej ndikimeve psikologjike dhe sociale, video-lojërat kanë edhe pasoja në aspektin fizik për fëmijët. Koha e gjatë e kaluar para ekranit lidhet me probleme, si: dhimbjet e shpinës, problemet me shikimin dhe dhimbjet e kokës. Për më tepër, fëmijët që kalojnë shumë kohë në video-lojëra kanë më pak mundësi të marrin pjesë në aktivitete fizike, çka çon në mungesë të aktiviteteve të shëndetshme, duke dëmtuar kështu mirëqenien e tyre të përgjithshme. 

Çka mund të bëjnë prindërit?

Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për efektet e dëmshme të video-lojërave dhe të konsultohen me profesionistë kur shohin se këto efekte po ndikojnë në mirëqenien e fëmijës. 

Ata duhet gjithashtu të inkurajojnë fëmijët të angazhohen në lojëra që nxisin aftësitë sociale, kreativitetin dhe të mësuarit, ndërsa vendosin kufij të qartë për kohën e kaluar para ekranit, si dhe për video-lojërat me përmbajte të dhunshme.

Është e rëndësishme që fëmijët të kenë mundësi të mjaftueshme për aktivitete fizike dhe ndërveprim social jashtë video-lojërave. Monitorimi i përmbajtjes dhe kufizimi i kohës së lojës janë një kombinim i domosdoshëm për të siguruar që fëmijët të përfitojnë nga përvojat pozitive dhe të shmangin rreziqet e mundshme.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.