Gjatë fjalimit të kryeministrit Kurti në seancën plenare të Kuvendit më 2 dhjetor, me ç’rast u zhvillua debati për qeverisjen katërvjeçare, doli në pah një pikë tejet e rëndësishme e politikës së jashtme të Kosovës gjatë mandatit të Qeverisë Kurti: mungesa e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.
Kurti, në fjalimin e tij, ishte kritik ndaj opozitës, duke theksuar se as liberalizimi i vizave dhe as rritja e numrit të njohjeve nuk ishin premtime që ai dhe partia e tij i kishin dhënë gjatë fushatës. Andaj, sipas tij, Qeveria nuk mund të mbahej përgjegjëse për diçka që nuk e kishte premtuar. Ky nuk është një konstatim i pavërtetë nga ana e kryeministrit.
Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025, i hartuar në fillim të mandatit nga Qeveria Kurti, vë theksin në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, duke i përmendur specifikisht njohjet dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si një ndër prioritetet kyçe të Qeverisë.
“Republika e Kosovës do ta forcojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Kjo vlen si për përpjekjet për njohje dhe marrëdhënie të ndërsjella diplomatike, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare…”, thuhet në faqen 52 të dokumentit.
Tutje, në faqen 56, thuhet si vijon: “Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale, përveç çështjeve ndërshtetërore, do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së, si dhe anëtarësimin në OKB”.
Një qasje e tillë është shqetësuese dhe duket se ka për qëllim gjetjen e një justifikimi për të mbuluar ngecjen evidente katërvjeçare të Qeverisë në politikën e jashtme dhe stagnimin total në njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar nuk mund të jetë premtim elektoral që thjesht mund të injorohet apo merret në konsideratë sipas rrethanave apo interesave elektoralë të partive politike.
Në kontekstin e Kosovës, këto elemente janë detyrime shtetërore të definuara qartë dhe të specifikuara në dokumentet strategjike. “Strategjia e Sigurisë së Kosovës 2022-2027”, e aprovuar nga kjo qeveri më 2022, e përcakton fare qartë se politika e jashtme dhe e sigurisë së Kosovës reflekton interesin dhe aspiratat e popullit për anëtarësim në strukturat euro-atlantike (BE, NATO dhe OKB, mes të tjerash).
Anëtarësimi në këto organizata është përshkruar në këtë dokument si “garancia e vetme për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajon”. Në veçanti, ky dokument përmend njohjen nga pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Kjo tregon se rritja e numrit të njohjeve është pjesë integrale e strategjisë së përgjithshme për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Injorimi i këtij elementi kyç nga kjo qeveri përbën problem serioz për të ardhmen e vendit dhe sinjalizon një mungesë të papërgjegjësisë për dështimet dhe mosarritjen e rezultateve në këtë drejtim.
Një dokument tjetër zyrtar që nxjerr në pah rëndësinë e njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare është “Draft-Strategjia e Politikës së Jashtme e Kosovës”.
Ky dokument e përshkruan forcimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar si synimin themelor të politikës së jashtme të Kosovës.
Prandaj, të tri dokumentet zyrtare (programi qeverisës, strategjia e sigurisë dhe draft-strategjia e politikës së jashtme) tregojnë në mënyrë eksplicite rëndësinë për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare për Kosovën.
Ky përkufizim tregon se njohjet nuk janë thjesht një formalitet diplomatik apo premtim elektoral, por një mjet për të garantuar legjitimitetin dhe sigurinë e vendit.
Në këtë kontekst, mungesa e rezultateve gjatë katër vjetëve të fundit nuk mund të justifikohet nga kryeministri Kurti thjesht si një mungesë e premtimeve elektorale, ndaj së cilave nuk ka obligim, sepse këto janë obligime shtetërore që burojnë nga dokumente zyrtare të shtetit.
Kjo bëhet edhe më imperative kur merret në konsideratë fakti se shumica e këtyre dokumenteve strategjike janë hartuar dhe miratuar nga vetë Qeveria Kurti.
Rritja e njohjeve ndërkombëtare për shtete të vogla si Kosova mbetet një sfidë e madhe, veçanërisht në kontekstin e rivalitetit ndërmjet fuqive të mëdha dhe krizave globale, si lufta në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe tensionet me Kinën, që kanë zhvendosur vëmendjen gjeopolitike të SHBA-së, mbështetësit kryesor të Kosovës.
Në këtë situatë, Kosova përballet me pengesa serioze për të rritur njohjet ndërkombëtare. Megjithatë, pavarësisht rrethanave komplekse gjeopolitike, liderët politikë të Kosovës kanë detyrimin dhe përgjegjësinë e patjetërsueshme për të respektuar dhe përmbushur objektivat strategjikë shtetërorë, të përcaktuar qartë në strategjitë kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë.
Përmbushja e tyre është jetike për arritjen e një pozite të qëndrueshme dhe të respektuar në shoqërinë ndërkombëtare të shteteve, duke forcuar pozitat e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran.