Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ne, si varkë sirianësh në det të trazuar

Ilustrimi nga Big Eye.

Po e lexoja pardje rrëfimin prekës e të famshëm të botuar në foto-blogun Humans of New York, të një refugjati sirian me emrin Muhamed i cili, për të ikur prej mizorive të luftës, kish kaluar nëpër ferr derisa kish mbërritur në Austri.

Ndërkohë që me të drejtë në rrjetet sociale bëri bujë mikpritja dhe njerëzillëku që Muhamedi kish hasur në Shqipëri, nuk m’u shkoq nga mendja një skenë horror nga një kapitull i mëhershëm i rrëfimit, në të cilin ai tregonte se si kish mbetur i ngujuar në det mes Turqisë e Greqisë, bashkë me refugjatë të tjerë, brenda një gomoneje, i lënë në mëshirën e dallgëve, nga një trafikant matrapaz që ish larguar prej varkës qysh në nisje.

Varkës i ishte fikur motori dhe refugjatët nuk mund të vërenin asnjë dritë në horizont. Të përballur me errësirën, dallgët trazuese dhe ujin që kish filluar të futej brenda varkës, refugjatët normalisht menduan se vdekjen e kishin pranë.

Mrekullisht njëri prej refugjatëve kishte arritur që të ndizte motorin, dhe eventualisht i gjithë grupi kishte mbërritur gjallë në ishullin grek. Shpëtuan nga egërsia e natyrës, për t’u përballur me egërsinë e policëve grekë që i burgosën e i lanë tre ditë pa bukë e pa ujë.

Për tragjedinë e sirianëve, apo atë të popujve të tjerë që përjetuan situata të ngjashme, përfshi shqiptarët e Shqipërisë që vite më parë e kthyen Adriatikun në një varr masiv, është folur dhe do të flitet shumë nga perspektiva të ndryshme.

Por asgjë nuk flet më fort e nuk të bën të reflektosh më shumë për shkaqet e pasojat e tragjedive sesa historitë personale të viktimave.

Situata e ngujimit në varkë të vogël në mes të detit mbi të gjitha m’u duk si metaforë e mirë për fatet e popujve të vegjël si puna e jonë, që përpiqen të manovrojnë nëpër ujërat e trazuara të politikës botërore.

Edhe fati ynë, si ai i të ngujuarit në det, varet shumë, për të mos thënë krejtësisht, nga moti dhe erërat e politikës që vijnë prej përtej kufijve.

Motorët tanë na çojnë deri diku – madje në një moment të gjatë çmendurie shqiptarët e Shqipërisë provuan që të shkojnë kundër të gjitha erërave (“edhe bar do të hamë”, thoshte Xhaxhi).

Por ja që Nëna Natyrë nuk të pyet për asgjë dhe, deshe s’deshe, të merr me vete me forcën brutale dhe moralisht indiferente të fizikës.

Librat tanë të historisë janë të mbushur me momente konferencash e takime fuqish të mëdha që na i përcaktuan kufijtë, identitetet dhe orientimet ideologjike.

Jemi këta që jemi sot si produkt i fjalëve të gojës e nënshkrimeve të burrave që bënin hesapet e popujve të tyre me qindra kilometra larg. Ashtu siç dje Obama dhe Putini po përpiqeshin të merreshin vesh për të ardhmen e Sirisë dhe refugjatit Muhamed – një problem ky që në masë të madhe edhe u shkaktua edhe nga llogaritë e tyre respektive gjeostrategjike.

Puna është se përgjatë historisë gomonia shqiptare kishte edhe momente të fatit shumë të mirë, sidomos në dhjetëvjeçarët e fundit.

Falë “motit” të mirë në perëndim, por edhe mençurisë së elitave politike që e kuptuan momentin historik, në vitet 90′ e kapëm varkën tonë të vogël për një anije të madhe të quajtur SHBA dhe aleancë veri-atlantike.

Në detin e patrazuar të Pax Americana, lundruam drejt kësaj lirie dhe mirëqenieje që nuk e kemi pasur asnjëherë në histori, sado të papërkryera që janë dhe sado frustruese t’i kemi problemet.

Them në det të patrazuar, sepse qëlloi që në kohët më kritike për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, rrethanat në rendin botëror të ishin të favorshme për synimet tona.

Në vitin 1999 perëndimi akoma ishte i kapluar nga ndjenja e triumfit në Luftën e Ftohtë dhe ndodhej në kulmin e mirëqenies ekonomike dhe paqes, pa vatra të tjera lufte. Prandaj edhe e kishte luksin që në majë të agjendës diplomatike të mund të fuste intervenime humanitare në vende të vogla dhe periferike si Kosova.

Në vitin 2008 sikur e kapëm trenin e fundit të fuqisë unilaterale amerikane, pak para kolapsit ekonomik dhe tërheqjes taktike të Obamas nga qasja unilaterale, duke u njohur kështu si shtet prej pjesës më të madhe të botës.

Vetëm menjengushtësia e nacionalizmit provincial ballkanik është në gjendje që të mos e kuptojë dhe çmojë se çfarë arritje e pabesueshme ishte shpallja e pavarësisë në këtë rend botëror – ku sovraniteti i shteteve mbahet si i shenjtë dhe ndryshimi i kufijve është thuajse tabu – apo se çfarë investimi gjigant moral e politik përbën njohja e shtetit prej fuqive të mëdha.

Sot ky investim po u përmendet liderëve perëndimor nga Putini sa herë që i jepet mundësia për ta arsyetuar agresionin e tij ndaj Ukrainës.

Me fjalë të tjera, jemi me shumë fat që jemi ku jemi, dhe mjaft të pavetëdijshëm se gjërat rrodhën kështu për shkak të motit tepër të mirë në oqeanin e politikës botërore.

Akoma edhe më të pavetëdijshëm jemi se moti përtej oborrit tonë ka filluar të trazohet seriozisht, dhe atë mu në kohën kur përmbylljes së sovranitetit tonë i duhet edhe një shtysë e fundit dhe vendimtare për hyrjen në OKB.

Kriza ekonomike botërore, simptomë e një krize më të thellë të rendit liberal kapitalist, po prodhon realitete politike që po ngrenë dallgë. Jemi dëshmitarë të krizave të demokracive dhe lëkundjeve të elektorateve drejt ekstremeve, që po i japin shtysë asaj logjikës vetëshkatërruese “secili për veti” dhe fajësimit të Tjetrit.

BE-ja është në krizën e saj më të thellë në histori teksa po përballet paralelisht me krizën e eurozonës, agresivitetin rus dhe tani edhe krizën e refugjatëve – si pasojë e të cilave po vihen në pikëpyetje themelet institucionale dhe besimi i europianëve në projektin integrues, e me këtë edhe perspektiva e zgjerimit drejt Ballkanit, ndaj së cilës sot vihet re mjaft cinizëm.

SHBA-të në masë të madhe kanë çuar dorë nga Europa dhe roli i policit unilateral, e po merren me konsolidimin e dominimit ekonomik përballë konkurrencës së Kinës, në përputhje me doktrinën e Obamas “pivot to Asia”.

Ndërkohë me Ballkanin sot po merren nën-nën sekretarë shtetesh dhe burokratë të nivelit të papërfillshëm.

Përveç kancelares Merkel, e cila duket ta ketë një qasje më strategjike por me gjasë edhe jo shumë prioritare ndaj Ballkanit, apo edhe interesimit amerikan për parandalimin e radikalizmit fetar, si rajon kemi mbetur jashtë çfarëdo agjende botërore me rëndësi e ku do të mund të imponoheshim si faktorë.

Fatkeqësia jonë, njëkohësisht edhe faji ynë ekskluziv, është se në këtë det të trazuar të politikës botërore sot na prin një elitë politike e lodhur dhe pa energji e vizion për të ndërtuar shtet; që na ka kthyer në barrë të bezdisshme të anijeve të mëdha në një kohë kur ato përballen me probleme të mëdha.

Elita jonë politike ta çon mallin e atij trafikantit mashtrues që futi refugjatin Muhamed dhe refugjatët e tjerë në varkë e që, pasi u mori lekët, kërceu jashtë për vete për të qëndruar i sigurt në breg.

Fatkeqësia tjetër edhe më e madhe është se kësaj elite politike i janë imponuar si alternativë e vetme disa aventuristë të kapluar nga psikozat, e të cilët duan t’i shkëputin litarët prej anijes së madhe e të na fusin në det të trazuar gomonen pa benzinë.

Dhe duan ta bëjnë këtë mu në kohën kur kësaj anijeje po përpiqet t’ia ngjesë spirancën madje edhe vetë Serbia, tashmë e vetëdijesuar për pasojat e psikozave dhe kokëfortësive të saja në të shkuarën.

Por psikoza është psikozë. “Edhe barishte deti do të hamë”, thonë kokëfortët tanë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.