“Progres ekonomik ka shënuar Kosova”, po pretendon kryeministri, Albin Kurti, duke u bazuar në të dhëna nominale të cilat injorojnë inflacionin si dhe politikat qeveritare përcjellëse (paketat ndihmëse) për ta përballuar ngritjen e çmimeve.
Sipas Kurtit, gjatë periudhës janar 2021 – gusht 2022 janë krijuar 40 mijë vende të reja të punës. Por një pjesë e këtyre vendeve të punës janë të formalizuara. Ky formalizim ka ndodhur si rezultat i përfitimit nga paketat mbështetëse financiare si pasojë e pandemisë COVID-19.
Kjo dukuri mund të faktohet edhe nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Në tremujorin e parë të vitit 2020, (para pandemisë), fuqia joaktive në treg ishte 61.2%. Ndërkaq në tremujorin e tretë të vitit 2021 (gjatë pandemisë), fuqia joaktive ishte ulur në 59.4%.
Kur krahasojmë këto dy periudha kohore, del se punësimi është rritur nga 29.1% në 33.4%. Pra është zvogëluar fuqia punëtore joaktive dhe “janë punësuar” zyrtarisht. Kjo statistikë nuk ka kuptim logjik, sepse shumë biznese gjatë pandemisë janë mbyllur dhe nuk ka kuptim që punësimi te rritet gjatë kësaj situate të rënduar ekonomike.
Gjithashtu, rritja e numrit të kontratave të përkohshme brenda dy viteve, është një agument shtesë se nuk ka pasur rritje të punësimit, por formalizim të fuqisë aktuale puntore.
Përpos pretendimit për rritjen e vendeve të punës, kreu i ekzetukivit të njëjtin aludim e ka bërë edhe për ngritjen e eksporteve.
Përderisa është vertetë se ka rritje të eksporteve, Kryeministri Kurti nuk po e tregon storjen e plotë. Përpos rritjes së eksporteve, Kosova ka shënuar edhe ngritje të importeve.
Sipas ASK-së, në vitin 2021 eksportet shënuan rritje mbi 300 milionë euro më shumë në vitin 2020. Mirëpo, kur i krahasojmë importet në periudhën e njëjtë, rezulton se ato janë rritur në mbi 4.7 miliardë euro nga 3.3 miliardë (2021).
Në periudhën gusht 2022, (krahasuar me gusht 2021) eksportet janë rritur për rreth 20 milionë euro. Por edhe importet janë rritur mbi 90 milionë euro brenda këtyre dy periudhave.
E kryeministri mund të krenohet edhe me rritjen e qarkullimit të bizneseve, por Raporti i Progresit e tregon se 99% e kompanive kosovare që regjistrohen punësojnë deri në 9 punëtorë – me këto kapacitete nuk janë konkurruese në tregun mbi-nacional.
S’ka vend për krenari, pasi edhe rritja e të hyrave për biznese siç proklamon Qeveria është nominale, pasi s’mund të largohet nga diskursi ekonomik inflacionin 19.2 për qind, statistikë e dhënë nga Banka Botërore.
Inflacioni është një dukuri tjetër serioze qe ka ndikuar negativisht në tregun kosovar, temë e cila është neglizhuar nga qeveria Kurti.
Çmimet e lëndës së parë dhe të konsumit janë rritur në 12.7% për muajin shtator si rezultat i inflacionit të lartë, ndërsa mesatarisht paga neto është ngritur vetëm 16 euro në 2021, krahasuar me vitin paraprak.
Megjithë “sukseset ekonomike“ që pretendon Kurti, pse atëherë Banka Botërore për vitin 2021 ka parashikuar ngadalësim të rritjes ekonomike për 3.2%?
Sipas raportit të Bankës Botërore, “Ekonomia e Kosovës përjetoi një rimëkëmbje të fortë në 2021, mbështetur nga ringritja e kërkesës së brendshme dhe rritja rekorde e eksportit. Inflacioni gjithashtu u intensifikua, i nxitur nga rritja e çmimeve të importit”.
Tashmë kur krahasimi i vitit 2022 do të bëhet me vitin paraprak, atëherë bien poshtë të dhënat nominale që interpretohen si “progres” duke e marrë për bazë një vit të jashtëzakonshëm ku gjithçka ishte e bllokuar.
Paketat e disejnuara i kanë ndihmuar grupet e cenueshme, poqë s’kanë ndikuar në rritje kolektive të mirëqenies – kjo argumentohet nga niveli i pagave.
Këto paketa kanë ndihmuar dukshëm në formalizimin e vendeve të punës, por jo edhe me krijimin dhjetëra mijëra të vendeve të reja të punës siç pretendon qeveria.
Eksportet janë ngritur, mirëpo nuk është rritur edhe potenciali i kompanive vendore për depërtim në tregje ndërkombëtare.
Numrat tashmë s’kanë rëndësi kur çmimet janë ngritur e të ardhurat kanë mbetur aty të njëjta. Nuk ka dobi qarkullimi biznesor, kur për këtë dimër është paralajmëruar krizë e rëndë energjetike.