Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Nxënësit romë në Kosovë: shtetas të Kosovës, por nxënës të Serbisë

Gjithëpërfshirja dhe krijimi i një ambienti shkollor multikulturor janë padyshim ndër qëllimet kryesore të arsimit në Kosovë. Megjithatë, kjo mbetet ende një sfidë serioze në Kosovë.

Së fundmi, në lajmet e mbrëmjes, dëgjova këtë deklaratë që bie në ndesh me këto qëllime.

“Na trajtojnë ma mirë serbët se shqiptarët po na ofendojnë dhe Serbia po na jep më shumë shtesa mujore”, tha një nxënës rom kur u pyet se përse ka zgjedhur të vazhdojë shkollimin në shkollë serbe në Obiliq.

Në këtë lajm janë dy çështje shqetësuese: e para, një pasqyrë rreth rëndësisë së arsimit në Kosovë në media, lajmet rreth arsimit transmetohen gjithmonë si ndër lajmet e fundit me më pak rëndësi ngaqë nuk çojnë peshën e njëjtë si lajmet e tjera për dialog e politikë të jashtme, që kanë gjithnjë fokusin kryesor.

E dyta, edhe më shqetësuese, e që mund të jetë si rezultat i së parës, Serbia po bën politika arsimore gjithëpërfshirëse në territorin e Kosovës, duke e rritur numrin e nxënësve të komunitetit rom në shkollat serbe në Kosovë – rreth 200 nxënës vetëm në Komunën e Obiliqit.

Përkundër Strategjisë për Arsim, që e cilëson si objektivë kryesore gjithëpërfshirjen dhe politikat arsimore për mbështetjen dhe shkollimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë, nxënësit e komunitetit rom vijojnë mësimin në shkolla serbe në Obiliq.

Në shikim të parë, vijimi i mësimit të nxënësve romë në shkolla serbe nuk mund të paraqesë edhe problem shumë të madh për arsimin në Kosovë, ngaqë synimi kryesor është që të gjithë të shkollohen. Mirëpo, në kontekstin afatgjatë, zhvendosja e nxënësve romë në shkolla serbe do të ketë ndikim të madh në shoqërinë kosovare.

Vijimi i mësimit të nxënësve romë në shkolla serbe do të thotë ngecje në gjithëpërfshirje dhe në krijim të një ambienti multikulturor nga Qeveria e Kosovës, duke dështuar në zbatimin dhe respektimin e ligjit dhe strategjive rreth arsimimit dhe edukimit të komuniteteve nga të gjithë akterët e përfshirë.

Mungesa e përfshirjes së nxënësve romë në sistemin arsimor të Kosovës do të thotë se ata do të arsimohen me kurrikulën serbe – përfshirë këtu gjuhën, historinë e gjeografinë, mes të tjerash.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për nxënësit e komunitetit rom në Obiliq (në të gjitha nivelet shkollore), nuk ka asnjë të dhënë zyrtare që nga viti 2018.

Nga këto të dhëna mund të supozohet që shkollat shqipe në Obiliq nuk kanë pasur asnjëherë nxënës romë të regjistruar dhe Serbia është duke regjistruar nxënësit romë në shkolla për herë të parë. Opsioni i dytë mund të jetë se shkollat shqipe në Obiliq nuk i kanë deklaruar saktë nxënësit e regjistruar.

Plani i Kosovës për gjithëpërfshirje

E çka është dukë bërë Kosova për përfshirjen komunitetit rom në sistemin arsimor?

Sipas Strategjisë për Arsim 2022-2026 dhe Planit të Veprimit, objektivat kryesore për përfshirjen e nxënësve nga komunitetet në shkolla janë: “2.3. Rritja e përfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive të nxënësve nga grupet e margjinalizuara përmes krijimit të klimës nxitëse dhe përkrahëse” dhe “2.10. Promovimi i multikulturalizmit dhe diversitetit në arsimin parauniversitar.

Për këto objektiva, Plani i Veprimit përfshin aktivitete dhe buxhetin e ndarë për arritjen e tyre. Sipas këtij plani, politikat arsimore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nuk janë edhe aq të ndryshme nga ato që po përdor Serbia me nxënësit romë në Obiliq – ofrimi i mbështetjes financiare përmes shtesave mujore për nxënës.

Buxheti i paraparë është vetëm për tre vjet nga 150,000 euro në total për vit. Ndërkaq, si politikë më afatgjate është funksionalizimi më efektiv i Qendrave Mësimore nëpër komuna, që kanë për qëllim ofrimin e mbështetjes shtesë për nxënësit që kanë nevojë.

MASHTI në vitin 2018 ka aprovuar udhëzuesin administrativ për harmonizimin e kurrikulës së Qendrave Mësimore dhe, sipas Planit të Veprimit, MASHTI ka planifikuar buxhet për regjistrimin dhe funksionalizimin e këtyre qendrave.

Funksionalizimi i këtyre qendrave, shoqëruar me monitorim dhe vlerësim nga MASHTI, siç e parasheh udhëzuesi administrativ, është një politikë shumë e leverdishme arsimore për mbështetjen e nxënësve që kanë nevojë dhe stimulimin e tyre që të mos i braktisin shkollat.

Gjithashtu, si politikë shtesë parashihet përfshirja e gjuhës rome në sistemin e arsimor (në Qendra, në kurrikulë dhe në tekstet mësimore), mirëpo kjo është një politikë afatgjate dhe duket se nevojitet shumë kohë për t’u realizuar për shkak që ende jemi në fazën e rishikimit të teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Prandaj, është domosdoshme që MASHTI të marrë masa konkrete të cilat mund ta ndryshojnë situatën menjëherë.

Fillimisht, nevojitet zbatimi i ligjit dhe monitorimit të zbatimit të ligjit. Së dyti, duhet të krijohet një ambient gjithëpërfshirës dhe i sigurt për nxënësit e komunitetit turk. Tutje, nevojitet mbështetje indirekte përmes bursave, materialeve mësimore e aktiviteteve jashtëkurrikulare, mes të tjerash.

Si përfundim, Kosova ende nuk ofron shkollim gjithëpërfshirës dhe të sigurt për të gjithë nxënësit shtetas të saj dhe, si rezultat, nxënësit preferojnë vijimin në shkolla serbe. Megjithatë, janë ligjet dhe strategjitë që mund të arrijnë qëllimin e gjithëpërfshirjes nëse zbatohen suksesshëm, por gjithsesi të kombinohen me një vetëdijesim shoqëror rreth pranimit të të gjitha komuniteteve në shoqëri.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.