Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pamundësia e Albin Kurtit për të kapërcyer vetveten

Ilustrimi: Big Eye

Pas rënies së qeverisë Kurti 1, Albin Kurti kishte deklaruar se kjo ishte “një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme”, duke shpërfaqur vetëbesimin i cili iu shpërblye më 14 shkurt 2021.

Kjo u kthye në një lloj mantre për Kurtin dhe mbështetësit e tij. Herën e dytë në krye të ekzekutivit, Albin Kurti u mundua të mos i përsërisë gabimet e mëhershme dhe u tregua shumë më bashkëpunues në procesin e dialogut.

Megjithatë, zakonet e vjetra nuk harrohen kollaj. Kryeministri Kurti do ta gjente përsëri veten në pole të kundërta me aleatët e vendit në temat e ndërlidhura me dialogun dhe serbët lokalë.

Pas vendimit që obligonte qytetarët serbë në veri të vendit që t’i regjistronin automjetet e tyre me targa RKS, që pasoi me dorëheqjet masive të serbëve nga institucionet e vendit dhe vendosjen e barrikadave në veri të vendit, Kurti mori reagime të shumta e të ashpra nga partnerët kryesorë të vendit, gjë që shpërfaqi mungesën e koordinimit.

Aleatët ndërkombëtarë kishin kërkuar që zbatimin e vendimit për targat Kosova ta bënte dhjetë muaj më vonë. Pra, jo që Kosovës nuk i jepej të drejtë; thjesht, momenti nuk ishte i duhuri.

Por, insistimi i kryeministrit, përkundër kërkesave të aleatëve, bëri që në fund palët të dakordoheshin në Bruksel për të bërë pikërisht atë që Kosovës i ishte kërkuar më parë: të ndalonte veprimet e mëtejme për riregjistrimin e automjeteve.

E gjithë situata do të mund të ishte shmangur sikur krerët e institucioneve të Kosovës të ishin dakorduar më herët me aleatët. Mungesa e vazhdueshme e koordinimit, jo vetëm që shkakton trazira në veri të vendit, por krijon edhe tituj negativë për Kosovën nëpër botë. Madje, në të kaluarën ka pasur edhe raste që kompanitë ajrore kanë anuluar fluturimet e rregullta në Prishtinë për shkak të mungesës së stabilitetit në vend.

Së fundmi, pas mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit, të cilat u bojkotuan nga popullsia serbe në atje, Qeveria e Kosovës u dha mbështetjen fituesve të këtyre zgjedhjeve – ani pse vetëm rreth 3.5% e qytetarëve me të drejtë vote kishin marrë pjesë në zgjedhje.

Kjo nxiti pakënaqësi te serbët, të cilët nuk i pranojnë si legjitimë kryetarët e zgjedhur në katër komunat në veri të vendit. Për rrjedhojë, protestat e serbëve eskaluan dhe përplasjet me forcat e rendit ishin të pashmangshme.

Por, ajo që spikati në këtë rast ishte reagimi jashtëzakonisht i ashpër i shteteve të Quint-it, të cilët në deklaratën e tyre, përpos që e dënonin vendimin e Qeverisë për t’i futur ‘me dhunë’ kryetarët e zgjedhur në ndërtesat e komunave, kërcënonin që veprimet e mëtejme të njëanshme do të kishin pasoja për marrëdhëniet me shtetet e Quint-it dhe BE-në.

Por, ky nuk ishte kërcënimi i vetëm që Kosova mori kësaj radhe. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, lëshoi një deklaratë nëpërmjet së cilës tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës do të kenë pasoja në marrëdhëniet bilaterale Kosovë-ShBA. Ky, në fakt, është mesazhi më kërcënues që Kosova ka marrë nga Uashingtoni që nga përfundimi i luftës në Kosovës.

Ndërsa emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cilësoi si “vendime të budallme” vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Sikurse në rastet e mëhershme, e gjithë kjo situatë ka mundur të evitohet, sikur Qeveria e Kosovës të kishte koordinim me aleatët e vendit, në të dyja anët e Atlantikut. Mirëpo, kjo duket të jetë më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u bërë nga kjo qeveri e cila në vazhdimësi po e sforcon durimin e atyre që e garantojnë sigurinë dhe vetë ekzistencën e Kosovës.

Me një potez, Qeveria e Kosovës arriti ta bënte atë që Serbia do të jepte gjithçka për ta arritur: t’i kthente të gjithë aleatët kundër Kosovës.

Përderisa në kushte normale qasja në objektet shtetërore do të duhej të merrej si e mirëqenë, e për çka s’do të duhej të kishte koordinim me askënd, realiteti i Kosovës është ndryshe.

Kosova në veri të vendit ballafaqohet me një popullatë e cila nuk e pranon autoritetin e Qeverisë në Prishtinë, e cila sytë i ka të kthyer drejt Beogradit, i cili ka pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Në anën tjetër, Kosova nuk është akoma e njohur plotësisht ndërkombëtarisht, e rrjedhimisht ka probleme me subjektivitetin e saj ndërkombëtar – për çka manovrimi i mëtejmë i Kosovës në arenën ndërkombëtare varet kryekëput nga ndihma e aleatëve tanë. Madje, pikërisht për shkak të kësaj situate, edhe një çështje e cila do të duhej të ishte tërësisht teknike, si liberalizimi i vizave, merr pafundësisht kohë deri në realizim.

Prandaj, në kontekstin e Kosovës, duhen bërë kompromise të cilat shtetet e tjera nuk kanë nevojë t’i bëjnë. Fundja, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në interesin e Kosovës, por jo domosdoshmërisht edhe të Serbisë – qeverisja e së cilës ka interes që ta mbajë status quo-në pafundësisht.

E, në këtë situatë, normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet vetëm me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët kanë mundësi e fuqi që, nëpërmjet presionit, Serbinë ta shtyjnë drejt normalizimit.

Por, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës e pamundësojnë këtë, kurse Serbisë i japin pretekstin që i nevojitet për ta bllokuar dialogun e për ta zgjatur arritjen e marrëveshjes. Ndërsa, neve na japin “shuplakën e panevojshme për rënien e domosdoshme”.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.