Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Paralaksi i politikës kosovare

Paralaksi i politikës kosovare

Paralaksi është efekti që prodhon vendosja e një objekti në perspektivë që në proporcion me përmasat reale, duket të jetë më i madh apo më i vogël, varësisht nga pozicioni. Politika kosovare nuk është vetëm paradoksale, por së pari është paralaksore sepse pothuajse gjithmonë keqinterpreton konceptet dhe ngjarjet t’i shërbejë politikave ditore më shumë sesa zhvillimeve afatgjata.

Ndër paralakset më të mëdha që flitet në Kosovë është koncepti i lirisë. Sa liri ka realisht në Kosovën e pasluftës shihet me faktin se Kosova qëndron më keq se Maqedonia në raportet e Freedom House. Kjo për lirinë e mediave ndërsa, që liria është vetëm farsë sipërfaqësore shihet nga debati i politikës ditore në media ku debati zakonisht është i përqendruar në politikat e mëdha dhe abstrakte. Ajka e lirisë është shprehja e qëndrimeve pa frikën e linçimit dhe etiketimit. Hobs thotë se ‘I lirë është ai person i cili nuk heziton të bëjë atë çka don të bëjë’. Paralaksi i vendosjes së lirisë së shprehjes me veprim aktiv vetëm se e kthen lirinë në pikënisje dhe e bën lirinë ekstremiste dhe pa limite. Kjo edhe nuk ka shumë kuptim në kontekstin demokratik të funksionimit të lirisë pasiqë liria ka kuptimin e vet vetëm në suaza të limitimit të veprimeve që nuk janë pjesë e kontekstit. Kjo e bën lirinë normë të vlefshme përkundër lirisë ekstremiste që indikon krijimin e anarkisë.

Paralaksi i lirisë në Kosovë lirisë vjen nga dy rrafshe: ai grupor i partive politike apo grupit të interesave, të cilat duke dashur të përfaqësojnë interesin e përgjithshëm, thyejnë të drejtat e atyre që pikërisht janë pjesë e interesit të përgjithshëm duke vendosur në perspektivë nocionet ‘populli i Kosovës’, ‘bashkimi kombëtar’, ‘i tërë populli’, apo edhe thirrjet si ‘ne’, ‘të gjithë pajtohen’ që përdoren në kontekstin e realizimit të interesave politike apo realizimin e qëllimit politik. Paralaksi tjetër i lirisë është ai individual, i qytetarit, i cili gjithnjë tenton të ketë liri të mjaftueshme në relacion me shtetin, por shpesh harron se garantimi i lirisë është vetë kufizimi i saj me ligj.

Paralaksi tjetër i shoqërisë kosovare dhe i strukturave udhëheqëse në Kosovë është monopoli i interpretimit. Nëse shohim vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, kemi disa interpretime nga pozita dhe opozita, shoqëria civile si dhe interpretim të këtyre interpretimeve nga media. Monopoli i interpretimit pothuajse është bërë ekuialent me rëndësinë e distribuimit të ëndërrave të pjesëmarrësve të procesit politik në Kosovë. Marrëveshja për demarkacionin ka aq shumë interpretues të të vërtetës dhe ku ka qëndruar kufiri sa nuk ka asnjë ankues formal që i ka mbetur prona në Mal të Zi. Edhe më shumë interpretues ka edhe Marrëveshja për Bashkësinë e Komunave por edhe më shumë Vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pra, rëndësia më e madhe qëndron në interpretimin e marrëveshjeve dhe jo në Marrëveshjet si të tilla. Vendimi i Gjykatës nuk interpretohet por zbatohet.

Një paralaks tjetër është interpretimi i drejtësisë në opinionin publik kosovar ku ka “kriminelë ende pa u gjykuar dhe heronj që janë gjykuar”. Paradoksale dhe paralaksore janë argumentat për pafajësi të të dënuarve sepse kur gjykata dënon, edhe i pafajshmi është fajtor. Njëjtë, i kotë është epiteti se dikush qenka kriminel pa u vërtetuar në gjykatë, prandaj në perspektivë akuzat dhe kundër-akuzat e elitës politike në Kosovë janë një vetëmashtrim politik sepse këtu, diskursi publik të shumtën herë ndërtohet në situatën se dikush është fajtor derisa të provohet pafajësia ndërsa drejtësia funksionon në mënyrë inverte nga kjo, pra secili është i pafajshëm derisa të provohet fajësia.

Ky efekt paralaksor që po prodhon shoqëria kosovare po zhvendos debatin e vërtetë për problemet e Kosovës në probleme konceptuale, të cilat në të vërtetë nuk janë probleme parësore për kosovarin mesatar. Kosovari mesatar ka problem me korrupsionin i cili është bërë vlerë kulturore tashmë dhe nuk është tabu të flitet për përfitime në terminologji hiperboliste. Problemi tjetër për kosovarin mesatar është shëndetësia që ende vazhdon të mbetet në mëshirën e shpirtmirëve të facebook-ut që dhurojnë të holla për të dërguar pacientët për shërim qoftë edhe në Shqipëri a Maqedoni. Efekti i tillë gjithashtu po keqinterpreton nevojën e vërtetë të qytetarit dhe po e përkthen në nevojën e elitës politike për konsumim të opinionit publik duke e vendosur në disproporcion me origjinën duke krijuar një paralaks gjoja se problemi më i madh është ai më i afërti.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.