Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Për filmin Princess Mononoke

Ilustrimi: Big Eye

Për filmin Princess Mononoke

Filmi Princess Mononoke përqendrohet te problemi më madhor i bashkëkohësisë:  përplasja midis natyrës dhe teknologjisë, përplasja midis hyjnores dhe njerëzores, përplasja midis flijimit shpirtëror dhe përfitimit trupor. Të gjitha problemet e tjera janë dytësore, kalimtare, thashetheme politike, pakënaqësi ekonomike dhe ngazëllime të panevojshme vetjake. Por këtu, në këtë përplasje, jemi mu në zgrip, gati duke humbur gjithçka: të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Në sprovën “Pyetja kushtuar teknologjisë”, Heidegger-i vë në dukje se teknologjia bashkëkohore, pavarësisht përfitimit vetjak, na e ka bërë të pamundur që të hyjmë në një marrëdhënie të qartë me gjithësinë. Teknologjia nuk është një tërësi sendesh që ne i përdorim për të përmirësuar jetën tonë, por një marrëdhënie e caktuar me gjithësinë. Qasja teknologjike ndaj gjithësisë e mbulon shpalljen e Qenies, duke e trajtëzuar atë në një bashkësi sendesh që mund të përdoren për një përfitim përfundimtar. Si pasojë, teknologjia mbulon atë që shpallin poetët: njëmendësinë, ardhjen e hyjnive dhe Qenien.

E përmend këtë sprovë të rëndësishme të Heidegge-it pasi në filmin Princess Mononoke shohim pikërisht të njëjtën gjë: zhvillimi i pakontrolluar i teknologjisë shkatërron pyjet. Dhe të mos harrojmë se, në këtë film, pyjet janë banesa e hyjnive. Duke shkatërruar pyjet, teknologjia pamundëson jetën e hyjnive dhe jetën shpirtërore. Asgjë nuk shfaqet në minierën e hekurit, përveç njeriut, vuajtjes dhe vdekjes. Thellë në pyll fshihen hyjnitë, shpirtrat dhe vetë ardhja e jetës.

Pavarësisht kritikave të modernizmit, poetët romantikë e kishin një gjysmë të vërtetë: natyra, edhe nëse nuk është vetë Zoti, përmban brenda vetes heshtjen e fshehtë që shpall frymën e hyjnishme. Vetë dëshira e sotme e njerëzve, për t’u arratisur gjatë pushimeve nga zhurma e qytetit, shfaq një etje të pashtershme për t’u kthyer te heshtja e jetës shpirtërore. Krishti vajti të lutej në kopshtin e ullinjve, jo në shtëpinë shumëkatëshe dhe të zhurmshme të një pasaniku.

Tërë filmi Princess Mononoke përshkruhet nga një dyzim metafizik: qeniet që janë hyjni jetëdhënëse mund të kthehen një ditë nga urrejtja edhe në demonë gjakatarë.

Brenda filmit shohim se e hynishmja, kur braktiset, harrohet dhe shkatërrohet, rikthehet sërish, por si një makth, si një demon i frikshëm: këtë gjë e shohim me Hyun në trajtën e derrit të egër. Natyra nuk përmban brenda vetes vetëm shpalljen e hyjnive, por edhe lindjen e demonëve. Natyra dhe hyjnitë nuk janë të pafajshëm: njeriu dhe teknologjia po i shndërron ata dalëngadalë në demonë të mbushur me urrejtje. Vetë filmi fillon me një hyjni të shndërruar në demon, i cili i vërsulet njerëzve me qëllimin për t’i vrarë.

Të njëjtin dyzim që shohim te natyra dhe hyjnitë, e hasim edhe te njeriu. Nga njëra anë kemi njerëz si prijësi Ashitaka, që kërkon bashkëjetesë midis natyrës dhe teknologjisë. Nga ana tjetër kemi përbindësha teknologjikë si drejtuesja e minierës së hekurit, Ebosha, që do të shkatërrojë çdo gjë për përfitim vetjak. Ebosha nuk është më një njeri, por një qenie tërësisht e drejtuar nga përjetimi teknologjik i gjithësisë. Ajo e bën çdo gjë në emër të zhvillimit të teknologjisë: vret njerëz për të provuar armët e saj të reja, shkatërron natyrën, banesën e hyjnive, për të vazhduar zhvillimin e paskaj të teknologjisë. Drejtuesja Ebosha është e mahnitur nga fuqia e armëve. Në këtë kuptim, drejtuesja Ebosha është bërë mishërimi i asaj që përshkruan filozofi francez Jacques Ellul te libri i tij Shoqëria Teknologjike: teknologjia nuk është më pjesë ndihmuese e zhvillimit të dialektikës së shpirtit njerëzor. Përkundrazi, njeriu është kthyer në një shërbëtor të zhvillimit të dialektikës së teknologjisë. Ne nuk jemi më në kontroll të teknologjisë. Është pikërisht teknologjia tanimë që po na kontrollon neve.

Një dyzim tjetër hasim edhe te ndryshimi midis qenies në natyrë dhe qenies brenda minierës. Natyra shfaqet si një vend i heshtur, i fshehtë, një vend ku qenieve mund t’i dhurohet jeta pakuptimisht ose mund t’i merret jeta me një puthje nga Hyu. Nga ana tjetër, kemi minierën e hekurit: një vend të pisët, të zhurmshëm, të mbushur me tym, të trishtuar, me njerëz të sëmurë, njerëz që vdesin, me gra që punojnë tërë natën mekanikisht për hir të zhvillimit teknologjik dhe përparimit.

Krahas Eboshës kemi edhe përbindëshin tjetër, murgun Jigo, i cili kërkon të vrasë Hyun e jetës dhe vdekjes për t’i dhuruar përjetësi perandorit. Në shkëmbim, perandori i ka premtuar një mal me flori.  Nuk është rastësi që këtu kemi pikërisht një murg që kërkon prerjen e kokës së Hyut të jetës dhe vdekjes: edhe njerëzit fetarë janë po aq të ndikuar sa gjithë të tjerët nga qasja teknologjike kundrejt gjithësisë.

Zgjidhja nuk është të mohojmë teknologjinë dhe të adhurojmë natyrën. Interpretimi më i keq i këtij filmi do të ishte shikimi i përplasjes midis natyrës dhe teknologjisë si një përplasje morale midis së mirës dhe së keqes. Zgjidhja është arritja në një gjendje ku zhvillimi i teknologjisë të mos ta shkatërrojë më natyrën dhe të lejojë bashëjetesën midis tyre. Harmonia midis teknologjisë dhe natyrës nuk do të thotë se teknologjia apo natyra do të zhduken. Siç e shikojmë edhe në fund të filmit, teknologjia dhe natyra duhet të ngelen të ndryshme, por jo të ndara. San, prijësja e natyrës, dhe Ashitaka, prijësi i njerëzve, nuk do të jetojnë bashkë: ata do të jetojnë afër njëri-tjetrit dhe do të takohen përkohësisht sërish.

Kur prijësi Ashitaka hyri brenda minierës së hekurit, atë e pyesin se përse vendosi të hynte aty. Ashitaka iu përgjigj se vendosi të hynte në minierë pasi donte t’i shikonte gjërat me kthjelltësi. Është pikërisht Ashitaka ai që mundi t’i shikojë gjërat ashtu siç janë, një njeri i cili përmban brenda vetes një luftë të madhe shpirtërore. Mos të harrojmë se vetë vdekja e Ashitakës është e paracaktuar nga një parathënëse, dhe ai niset për t’u përballuar me fatin e tij. Brenda filmit shfaqen dy lloj trajtash të së pandërgjegjes: pandërgjegjja e natyrës dhe pandërgjegjja bashkëkohore e teknologjisë. Qeniet e zhytura në natyrë dhe njeriu i kontrolluar nga teknologjia janë të yshtur nga pavdekësia. Shikimi i tyre është i turbulluar nga dëshira për pushtet dhe amshim. Por shikimi i kthjellët është dhuratë e përballjes me vdekjen, jo i anashkalimit të saj. Vetëm nëpërmjet vështrimit të kthjellët ne do mund të tejkalojmë dyzimin midis natyrës dhe teknologjisë, midis Hyut dhe njeriut, midis flijimit shpirtëror dhe përfitimit trupor. Vetëdija e Ashitakës për vdekjen e tij është parashikimi i vetë vdekjes së njerëzimit. Tani më shumë se kurrë na nevojitet shikimi i kthjellët. Kjo është shpresa jonë e vetme.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.