Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Për një universitet vërtet publik!

Një universitet publik merret me çështjet, pyetjet dhe dilemat e publikut, duke hedhur dritë shkencore mbi to, duke formësuar kritikë dhe duke propozuar adresimin e çështjeve publike. Tash për tash, është evidente që universiteti ynë nuk ofron një mjedis motivues dhe infrastrukturë mundësuese për kërkime shkencore. Sidoqoftë, ai, kështu siç është, ofron një mjedis intelektual që mundëson shqyrtimin, argumentimin dhe debatin e ideve. Në këtë mjedis, profesorët do të mund të angazhoheshin në diskutimet publike dhe të krijonin diskurs intelektual për çështjet publike. Vetëm kështu do të mund të vendosej një lidhje e vërtetë e universitetit me publikun.

Premtimi i universitetit

Qyshkur kam filluar të punoj si mësimdhënës në universitet, më ka habitur numri i të rinjve të interesuar për shkenca shoqërore, që – në kontekst të epokës së revolucionit të informatave, tregut të lirë dhe profesioneve, për të cilat ishin të uritura këto zhvillime teknologjike dhe ekonomike që hapnin shanse të gjera profesionesh për brezin e ri – tejkalonte pritshmëritë e mia. Çfarë do të punonin qindra të rinj që diplomonin çdo vit nga katedrat shoqërore e humane, si psikologjia, sociologjia, shkenca politike, historia, filozofia, antropologjia, dhe si do t’i kapitalizonin ata njohuritë dhe diplomat e marra në këto shkenca?!

Kjo më shtyri të reflektoj edhe për vendimin tim për të studiuar shkencat shoqërore që ishte motivuar nga interesimi im i pasherr për studimet e shoqërisë, për filozofinë, për letërsinë: ai kishte të bënte pikërisht me përvojën time në kontekst të shndërrimeve që po kalonte individi, shoqëria, politika dhe kultura në shoqërinë e pasluftës. Gjasmë, do të ketë qenë e njëjta shtysë që çoi edhe studentët e mi drejt shkencave shoqërore. Përfundimi: brezat e rinj kërkonin të pajiseshin me koncepte për të kuptuar këto shndërrime dhe për të pasur një kontroll mbi këto shndërrime në drejtime të caktuara.

Universiteti duhet të udhëzohet pikërisht nga kjo pritshmëri e të rinjve: të ofrojë udhëzime e koncepte për t’i ndihmuar të gjejnë vetë përgjigjjet për pyetjet dhe dilemat e tyre në shoqërinë e re. Me një fjalë, nga universiteti pritet të hapë horizonte për qasje në forma njohjesh dhe dijes dhe të ofrojë vegla konceptuale për të kuptuar çfarë ndodhë në personin, kulturën dhe politikën e shoqërisë së pasluftës.

Megjithëkëtë, universiteti nuk mund të marrë rolin e autoritetit moral a fetar që jep përgjigje të gatshme dhe të pashqyrtuara grigjës. As mund të mjaftohet me pedagogjinë tradicionale të transferit të informacionit nga pedagogët tek studentët, por duhet t’i ofrojë ndihmesë pedagogjike studentëve, që ata të mund të shqyrtojnë vetë temat e çështjet që shqetësojnë mendjet e tyre. Pedagogjia është vënie në fjalë e ideve dhe komunikim përmes fjalëve. Kjo është detyra e universitetit dhe profesioni i pedagogut universitar. Një institucion i arsimit të lartë që nuk e premton këtë rol shoqëror, vështirë se e meriton emrin “universitet publik”.

Gjendja e tanishmekufizime dhe mundësi

Nëse nisemi nga ideja e Jose Ortega Gasset-së se, përveç mësimdhënies, që ka për qëllim përgatitjen e profesionistëve praktikë, universiteti kryen edhe dy detyra: e para ka të bëjë me “përçimin e kulturës”, d.m.th., me ua mësu brezave të rinj kulturën e kohës ose sistemin e ideve mbi botën dhe njeriun me qëllim për të njohur botën dhe kohën në të cilën jetojnë, dhe, tjetra, ka të bëjë me kërkimin shkencor dhe aftësimin e studentëve për shkencë, domethënë si profesionistë shkencorë.

Një universitet publik është në shërbim të publikut dhe merret me çështjet, pyetjet dhe dilemat e publikut, duke hedhur dritë shkencore mbi to, duke formësuar kritikë të tyre a duke ofruar propozime se si të adresohen çëshjtet publike. Tash për tash, është evidente që universiteti nuk ofron një mjedis motivues dhe infrastrukturë mundësuese për kërkime shkencore mbi të cilat do të mund të bëhej kjo e fundit.

Sidoqoftë, gjendja nuk është e pashpresë për sa i përket rolit të universitetit në përçimin e kulturës (sipas kuptimit që i jep Ortega). Universiteti ynë, kështu siç është, ofron një medis intelektual që lejon shqyrtimin, argumentimin dhe debatin e ideve. Këtë duhet ta mbrojmë dhe ta kultivojmë, pasi kjo u garanton profesorëve pavarësi intelektuale nga forcat politike në shoqëri.

Fuqia e një profesori intelektual është shqyrtimi, analiza, kritika ose, thënë ndryshe, mendimi dhe idetë që ai/ajo përçon nëpërmjet fjalëve. Pushteti i tij është vetëm dhe vetëm pushtet i fjalës. Kaq mund të bëjë një njeri i dijes: të krijojë diskurs. Dhe kjo nuk është pak. Nëse profesorët e përçmojnë këtë pushtet që e kanë në dorë, duke mos prodhuar diskurs intelektual, ankesat se profesionalizmi i tyre nuk po respektohet nga studentët dhe se fjala e tyre nuk po dëgjohet nga mediat dhe publiku, nuk çojnë peshë.

Para se të gjykojë studentët dhe publikun, secili profesor duhet të pyetet: a kam zhvilluar ndonjë argument për ndonjë çështje kritike dhe të debatueshme në publik për të cilën kam ekspertizë? A kam dhënë udhëzime e koncepte shkencore për t’iu ndihmuar studentëve dhe bashkëqytetarëve që të shtrojnë pyetjet e duhura rreth çështjeve filozofike, sociale, historike, psikologjike? A kam mbrojtur ndonjë qëndrim për ndonjë politikë që prek publikun e gjerë ose komunitetin profesional a shoqëror për të cilën kam njohuri?

Vetëm atëherë kur këto pyetje të sinqerta do të lëvizin, së paku, një numër më të kufizuar të profesorëve universitarë drejt angazhimit në diskutimet publike dhe krijimit të diskursit intelektual për çështjet publike, do të mund të vendosej një lidhje e vërtetë e universitetit me publikun.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.