Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pse asnjë qeveri deri më tani nuk e ka përfunduar mandatin katërvjeçar në Kosovë?

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008, asnjë qeveri e Kosovës nuk e ka përfunduar mandatin e plotë katërvjeçar.

Përkundër kësaj, ka pasur dallime të dukshme mes jetëgjatësisë së qeverive, ku disa kanë qenë më të qëndrueshme (Thaçi 1 dhe Kurti 2) e disa më jetëshkurtra (Kurti 1 dhe Hoti). Mesatarja e jetëgjatësisë së mandateve në nivel qendror është rreth 1 vit e 10 muaj. Pra, më pak se dy vjet.

  • 2008 – Thaqi 1: 1029 ditë (në detyrë: 1140)
  • 2011 – Thaqi 2: 1202 ditë (në detyrë: 1386)
  • 2014 – Mustafa: 881 ditë (në detyrë: 1005)
  • 2017 – Haradinaj: 679 ditë (në detyrë: 887)
  • 2020 – Kurti 1: 52 ditë (në detyrë: 121)
  • 2020 – Hoti: 172 ditë (në detyrë: 262)
  • 2021 – Kurti 2: mbi 1170 ditë (ende në qeverisje)

Mandatet e plota ose të gjata janë të rëndësishme, sepse ato i japin stabilitet politik vendit, lejojnë hapësirë për reforma e projekte afatgjata shtetërore.

Në Kosovë, mospërfundimi i mandateve nga opinionistë mund të shihet si paaftësi për të dërguar mandatin deri në fund, pra mungesë e kulturës institucionale politike. Megjithatë, arsyeja kryesore pse qeveritë e Kosovës nuk e përfundojnë mandatin nuk ka të bëjë vetëm me koalicionet e paqëndrueshme, por me sistemin politik në vend.

Për shembull, në nivelin lokal, kryetarët e komunave, sado efikas që janë, në shumicën e rasteve i përfundojnë me sukses mandatet e tyre katërvjeçare.

Edhe në rastet kur prishen koalicionet në asamble komunale, mandati i kryetarit të Komunës mbetet i palëkundur. Sistemi politik në nivelin lokal parasheh që mandati i kryetarit të mos mund të rrezohet nga asambleja komunale.

Sivjet, kryetari i Prishtinës Përparim Rama shkarkoi nga detyra nënkryetaren dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, të dy nga radhët e PDK-së, të cilët i zëvendësoi me persona nga radhët e LDK-së. Kryetari Rama, në fakt, ristrukturoi gjithë kabinetin e tij dhe, përkundër prishjes së koalicionit me PDK-në, mandati i kryetarit mbeti i paprekur.

Ndërsa, në Kuvendin e Kosovës, kur ndodh prishja e koalicioneve, atëherë partneri i koalicionit bashkë me opozitën mund ta rrëzojnë qeverinë me vetëm 61 vota (50% plus një).

Kujtojmë se një mosmarrëveshje politike mes kryeministrit Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, kishte rezultuar në shkarkimin e tij.

Si kundërpërgjigje, LDK-ja kishte iniciuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë dhe rënien e saj, vendim ky i cili e kishte lënë vendin pa qeveri në kohën kur ballafaqohej me pandeminë globale COVID-19.

Sistemi politik i Kosovës ngjason më shumë me atë britanik, ku qeveritë mund të rrëzohen nga partnerët e koalicionit, por edhe nga vetvetja. Dhe kjo është pikërisht një ndër arsyet kryesore pse gjithmonë kemi zgjedhje të jashtëzakonshme e mandate të papërfunduara në Kosovë.

Zgjedhjet mund të thirren para kohe, sepse një kohë e caktuar kohore mund të shihet si më e favorshme për qeverinë në pushtet. Kjo mund të ndodhë në kohën kur qeveria qëndron mirë në sondazhe dhe synon të marrë një mandat të ri me mbështetje më të madhe elektorale. Por, gjithashtu edhe kur duhet legjitimim i ri, sepse qeveria në pushtet nuk mund të kalojë ligje apo marrëveshje të caktuara, siç ishte me rastin e dështimit të Qeverisë Mustafa të kalojë demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend.

Arsyet për mospërfundimin e mandatit qeveritar në Kosovë janë të ndryshme. Më 2014, qeveria Thaçi 2 e rrëzoi vetveten për të krijuar qeveri të re. Ky është rasti i vetëm deri më tani kur një qeveri ka rrëzuar vetveten, për të krijuar koalicion të ri.

Më 2019, qeveria Haradinaj përfundoi mandatin me dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj. Ndërsa, të gjitha qeveritë e tjera kanë përfunduar me mocion mosbesimi ndaj qeverisë nga partneri i koalicionit.

Përkundër sistemit politik që lejon rrëzimin e qeverisë e zgjedhje të parakohshme, Kosova ka pasur edhe raste të qeverive të qëndrueshme. Pa dashur të hyj në atë se sa kanë qenë efektive, dy qeveritë më qëndrueshme të Kosovës së pavarur janë Thaçi 2 dhe Kurti 2, të cilat kanë krijuar koalicion me subjekte të vogla politike.

Në anën tjetër, sa herë ka pasur qeveri me katër partitë më të mëdha në Kosovë: LVV, PDK, LDK dhe AAK, ato kanë rënë si rezultat i mosmarrëveshjeve dhe tërheqjes së parterit politik nga koalicioni.

Për shembull, Thaçi 1 ka rënë pas tërheqjes së LDK-së nga koalicioni, ndërsa qeveria Mustafa ka rënë pas tërheqjes së PDK-së nga koalicioni.

Sa u përket zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, qeveria Kurti e përfundon mandatin në mars 2025. Sipas ligjeve në fuqi, zgjedhjet duhet të thirren më së hershmi 60 ditë, apo më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit.

Data e zgjedhjeve është e pazakonshme, sepse subjektet politike nuk preferojnë zgjedhje në stinën e dimrit. Organizimi i fushatës dhe mobilizimi i votuesve në dimër është shumë i vështirë, gjë që mund të rezultojë në dalje më të ulët në zgjedhje.

Vetë kryeministri Kurti pati deklaruar që preferon zgjedhje në pranverë ose vjeshtë. Prandaj, duket se do të ketë konsensus nga partitë politike që vendi të shkojë në zgjedhje në vjeshtën e këtij viti, që njëherësh do të jetë edhe rasti i fundit para përfundimit të mandatit.

Sidoqoftë, formula e deritanishme për qeveri stabile ka qenë një koalicion minimal, mes një partie të madhe dhe një të vogël. Por, për një stabilitet më të qëndrueshëm politik, është me rëndësi që të ketë ndryshime ligjore e kushtetuese që forcojnë mandatin e një qeverie politike, apo partitë në qeveri t’i zgjedhin mosmarrëveshjet brenda koalicionit, pa rrëzuar qeverinë para përfundimit të mandatit.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.