Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Qeveria Kurti nuk po e tregon të vërtetën e plotë rreth uljes së papunësisë

Në gusht 2022, Albin Kurti pati deklaruar në Kuvend se parulla me të cilën ka ardhur në pushtet është “Punësim dhe Drejtësi”. Tashmë, kur ka konsumuar shumicën e mandatit 4-vjeçar, Kurti deklaroi se e ka rritur numrin e punësimit në 20% më shumë krahasuar me vitin 2021.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), papunësia në Kosovë në të vërtetë ka shënuar rënie të dukshme gjatë viteve të fundit. Për shembull, në tremujorin e parë të vitit 2021, papunësia në Kosovë ishte 21.5%, ndërkaq në tremujorin e fundit të vitit 2023, norma e papunësisë ka qenë 10.7%.

Një raport i Bankës Botërore e jep shifrën 10.9% të papunësisë në Kosovë, që është e përafërt me atë të ASK-së referuar vitit 2023. Por, i njëjti raport tregon që niveli i punësimit në vend është vetëm 37% e popullsisë të aftë për punë.

Në ekonomi, të papunë konsiderohen vetëm ata persona që kërkojnë punë, por nuk mund të gjejnë. Sipas këtij përkufizimi, papunësia në vend është rreth 10.9%, por kjo nuk do të thotë se pjesa tjetër prej 89% janë të gjithë të punësuar.

Kosova është vendi i fundit në rajon si vendi me nivelin më të ulët të punësimit në total, si dhe me numrin më të ulët të grave në tregun e punës. Por, Qeveria Kurti nuk i referohet fare numrit të lartë të joaktivitetit ekonomik, por fokusohet vetëm te shifrat e punësimit.

Gjithashtu, Qeveria Kurti i injoron totalisht faktorët e tjerë që kanë ndikuar në uljen e papunësisë, siç janë si emigracioni i lartë dhe formalizimi i vendeve të punës gjatë pandemisë COVID-19, me ç’rast shumë qytetarë i formalizuan vendet e tyre punës, në mënyrë që të përfitojnë nga ndihmat qeveritare.

Pse të papunët nuk kërkojnë punë?

Në Kosovë, rreth 58% e popullsisë në moshë pune nuk figurojnë të punësuar, e as që kërkojnë punë. Një ndër faktorët kryesorë për këtë numër të lartë të joaktivitetit janë remitencat, që vijnë nga diaspora dhe blejnë një paqe të përkohshme sociale. 

Një arsye tjetër është hendeku i thellë në mes të njohurive universitare dhe aftësive në tregun e punës. Për shembull, nëse një student ka diplomuar, por nuk mund të gjejë punë në profesionin e tij, ai ose ajo do të ngurrojë të punojë në sektorë ku ka kërkesa për punëtorë, prodhimtari, shërbime. Në mungesë të punës adekuate, shumë prej tyre zgjedhin varësinë familjare. 

Mbi të gjitha, tregu kosovar nuk i plotëson kushtet moderne të funksionimit. Shumë punëtorëve nuk u njihen të drejtat, pasi punojnë pa kontrata, duke mos figuruar si të punësuar. Pasiviteti i Inspektoratit të Punës, pagat e ulëta (ku për 11 vjet janë rritur vetëm 187 euro) ndikojnë në mospjesëmarrje në tregun e punës, që e bën më shumë se gjysmën e popullsisë aktive për punë, pasive nga puna. 

Problemi më alarmant është se pjesa dërmuese në kategorinë e personave aktivë për punë, të cilët nuk kërkojnë punë, janë gratë. Specifikisht, 75% e grave janë joaktive në treg. Joaktiviteti i lartë i grave lidhet me çështje kulturore, që më pas ndikon në shkallën e lartë të përgjithshme të joaktivitetit, por edhe me sfidat me të cilat përballen gratë në tregun e punës, si orari i dyfishtë (punë profesionale e shtëpiake), problemet me pushimin e lehonisë, mungesa e kontratave të punës dhe ngacmimet seksuale, mes të tjerash. 

Ndikimi i emigracionit në uljen e papunësisë

Sipas raportit të Institutit GAP, të publikuar në janar 2024, nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë. Vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 41,553 qytetarë.

Nëse fokusohemi në vitin 2022, shohim se në tremujorin e fundit të vitit 2021, norma e papunësisë ka qenë 19.9%, ndërkaq në tremujorin e fundit të vitit 2022, norma e papunësisë bie në 11.8%. 

dhënat shtetërore e tregojnë uljen e fuqisë punëtore, 23.663 më pak popullsi në moshë pune në vitin 2023, krahasuar me vitin 2022. 

Këto shifra tregojnë qartazi se emigracioni ka ndikuar direkt në uljen e papunësisë dhe jo politikat qeveritare.

Ndikimi i formalizimit të vendeve të punës në uljen e papunësisë

Njihet si “ekonomia e zezë” kur një biznes operon i paregjistruar, apo kur një punëtor nuk ka kontratë pune, të drejtat e të cilit nuk mund të mbrohen as përmes Ligjit të Punës.

Në vitin 2020, mijëra punëtorë u detyruan të regjistrohen për shkak të paketave financiare që Qeveria jepte për bizneset e punëtorët, si rrjedhojë e gjendjes së shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Në vitin pasues, kryeministri Kurti deklaronte se kanë formalizuar 10 mijë vende të punës, por në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti i përfshin edhe këto të dhëna kur flet për vende të reja të punës. Praktikisht, një punë e formalizuar nuk cilësohet punë e re. 

Prandaj, para se të thirret në statistika për ulje të papunësisë, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e sinqertë me qytetarët dhe ta tregojë të vërtetën e plotë se qytetarët e vendit po ikin në masë të madhe dhe se shumica që janë të aftë për punë preferojnë të mos punojnë fare si rezultat i mungesës së punëve adekuate, si dhe shkeljeve të të drejtave të tyre.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.