Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Qipro dhe Kosova

Qipro dhe Kosova

Qipro është njëri nga 5 shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Qipro është bërë pjesë e BE-së së bashku me 9 vende tjera në valën e anëtarësimeve të vitit 2004. Edhe pse nominalisht Qipro llogaritet pjesë e Evropës Juglindore, pozita e saj gjeografike e ka vështirësuar ndërtimin e relacioneve solide me Ballkanin Perëndimor. Që nga hyrja në BE Qipro është munduar që t’i balancojë interesat nacionale me ato të BE-së.

Mirëpo problemi që ka me Qipron turke e ka shtyrë Qipron që të kultivojë një raport asimetrik, duke favorizuar axhendën nacionale para asaj evropiane. Në Qipro kjo quhet “çështja qipriote” apo “problemi kombëtar”. Problemi me Qipron turke ka ndikuar që interesat nacionale të eklipsojnë vizionin e BE-së për zgjerim në drejtim të Ballkanit Perëndimor. Që nga shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Qipro turke në vitin 1983 Qipro është bërë një kundërshtare e pakompromis e formimit të shteteve pa marrëveshje mes shtetit të formuar dhe ish-shtetit amë”.

Këtë qasje Qipro zyrtarisht e ka quajtur “Pozicioni i principeve” dhe e bazon në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Mirëpo ky pozicion është më shumë një politikë në shërbim të kauzës nacionale qipriote sesa një atitudë e pastërt parimore diplomatike. Rëndësia e problemit nacional nuk reflektohet vetëm në politikat e jashtme dhe të brendshme, por edhe në mekanizmat strukturorë si “Këshilli Nacional” që luan një rol të rëndësishëm në mënyrën sesi Qipro e artikulon problemin me Qipron turke. Ky Këshill gëzon një përkrahje të gjerë nga shoqëria civile dhe qytetarët qipriotë.

Pas pavarësimit nga Britania e Madhe në vitin 1960 Qipro refuzoi që të synojë anëtarësimin në NATO dhe zgjodhi që të afrohet me grupin e “shteteve të painkuadruara”. Kjo e shtyu që të krijojë marrëdhënie të mira me Jugosllavinë. Mirëpo, nga të gjitha vendet e Jugosllavisë, Serbia ishte më e afërta me Qipron. Edhe sot e kësaj dite, Beogradi është i vetmi kryeqytet në Ballkanin Perëndimor ku Qipro ka ambasadë. Poashtu, me Serbinë Qipro ka më së shumti shkëmbime tregtare dhe turistike.

Feja ortodokse është një tjetër element që Serbia dhe Qiproja e ndajnë. Qytetarët qipriotë dhe serbë kanë një solidaritet të ndërsjellë sepse e shohin njëri-tjetrin si viktima të agresionit të jashtëm dhe sececionizmit të njëanshëm. Qytetarët qipriotë shohin ekuivalencë mes intervenimit të NATO-s në Serbi dhe ndërhyrjes ushtarake të Turqisë në veri të Qipros më 1974.

Këtu e ka bazën përkrahja që Serbia e merr nga Qiproja, sidomos në raport me Kosovën. Kësisoj, diplomacia e Qipros nuk formësohet vetëm nga organizatat shumëpalëshe si BE-ja, por edhe nga raportet dypalëshe me shtetet veç e veç. Megjithatë, Qipro ka marrë vendime që nuk përkojnë me këtë qasje. Në vitet 1998-2000 Qiproja u bë pjesë e vendeve që vendosën sanksione mbi Serbinë për shkak të luftës në Kosovë.

Mirëpo, Qiproja e mbështeti pretendimin e Serbisë mbi Kosovën dhe përkrahu Rezolutën 1244 sepse sipas Qipros kjo rezolutë betononte pozicionin e Kosovës brenda Serbisë. Brenda këtyre suazave Qiproja mbështeti edhe zhvendosjen e trupave të UNMIK-ut dhe KFOR-it në Kosovë. Kur Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, Qiproja kundërshtoi kategorikisht këtë vendim dhe refuzoi ta njihte shtetësinë e Kosovës. Këtë qëndrim e parashtroi edhe në opinionin e saj në GJND. Kundërshtimi ishte ashpërsuar edhe më shumë pasi që Qipro turke kishte mbështetur vendimin e GJND-së.

Qiproja ka mbështetur edhe fushatat humanitare për rindërtimin e Kosovës pas luftës. Përkundër kësaj, Qiproja mbështeti edhe instalimin e misionit të EULEX-it në Kosovë. Gjithashtu Qiproja mbështeti dialogun e mundësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe mbështet synimet e tyre për integrim në BE. Ky është një ilustrim i prekshëm sesi Qiproja mundohet të ekuilibrojë interesat nacionale me ato të BE-së.

Në njërën anë përkrah zgjerimin e BE-së dhe kandiaturën e Kosovës dhe Serbisë në BE, e në anën tjetër e kushtëzon integrimin e Kosovës në BE me një marrëveshje me Serbinë në mënyrë që ta eliminojë Kosovën si precedent për Qipron turke. Qiproja thotë se “nuk mund të bëhet më serbe sesa Serbia”, nëse kjo e fundit vendos që ta njohë Kosovën. Një tjetër arsye pse Qiproja do ta njihte Kosovën në rast se Serbia e bën një gjë të tillë është fakti që Qiproja nuk dëshiron të shndërrohet në bllokues të konsensusit evropian.

Kohë pas kohe Qiproja është munduar të lidhet edhe me Rusinë. Kjo e fundit para pak viteve i kishte dhënë Qipros 2.5 miliardë euro hua. Në të njëjtën kohë, disa parti në Qipro kanë thelluar bashkëpunimin me Rusinë dhe kundërshtojnë ashpër çdo konsideratë pozitive për Kosovën. Çdo afërsi me Kosovën në Qipro nuk pritet mirë. Kështu kishte ndodhur edhe kur Ministri i Jashtëm qipriot, Ioannis Kasoulides, ishte takuar më 2013 në OKB me atëherë Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin për të diskutuar hapjen e një zyreje ndërlidhëse të Qipros në Prishtinë. Mirëpo është pikërisht ky presion i brendshëm ai që ka penguar realizimin e kësaj nisme.

Përkundër këtyre oscilimeve, Qiproja mbetet një mbështetëse e politikave evropiane për zgjerim dhe e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Në rast se Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje mes vetes, Qiproja do ta ndryshonte qasjen në raport me Kosovën. Njohja e Kosovës nga Serbia do t’i hapte rrugë njohjes nga Qipro. Kësisoj, Kosovës do t’i eliminohej edhe një barrierë për anëtarësim në BE dhe organizata tjera shumëpalëshe. Kjo situatë e bën dialogun Kosovë – Serbi qenësor.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.