Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Samiti i Ohrit dhe rezultatet e dobëta Kosovë-Serbi

Ilustrimi: Big Eye

Më 18 mars 2023, përfaqësues të Serbisë, Kosovës, BE-së e ShBA-së, u mblodhën në Ohër të Maqedonisë e Veriut për të diskutuar Propozimin e BE-së dhe Aneksin e Zbatimit për normalizimin e marrëdhënieve.

Derisa Kosova dhe Serbia i pranuan të dy dokumentet, negociatat u karakterizuan nga kompromise që çuan në një marrëveshje të zbehtë, mungesë të një afati të qartë kohor për zbatim dhe mungesë të nënshkrimeve të palëve të përfshira.

Më e rëndësishmja, dokumentet dështojnë të arrijnë normalizimin e shumëpritur të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, duket sikur ndërmjetësit u përpoqën të kënaqnin aspiratat e të dyja palëve me koston e një progresi më të prekshëm.

Kësisoj, mbesin dyshime për suksesin dhe zbatimin e mundshëm të marrëveshjes.

Aneksi dhe përfundimet kryesore

Fokusi kryesor i negociatave ishte Aneksi i Zbatimit, pasi të dyja palët pranuan Propozimin e BE-së në shkurt. Pas takimit, i cili zgjati 12 orë, të gjitha palët ranë dakord për një aneks prej 12 pikash.

Aneksi paraqet një risi kyçe: krijimin e Komitetit të Përbashkët Monitorues, të cilin do ta kryesojë BE-ja, për të raportuar mbi progresin e zbatimit nga ana e të dyja palëve. Komiteti përfaqëson një mjet të rëndësishëm për të siguruar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme dhe të ardhshme, dhe është diçka të cilën ekspertët e kanë kërkuar tashmë.

Megjithatë, marrëveshja e Kosovës për të “filluar menjëherë negociatat për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë” s’ka nisur ende zyrtarisht, pavarësisht përdorimit të fjalës “menjëherë” në marrëveshje.

Veç kësaj, mungesa e afateve specifike të zbatimit në Aneks mund të çojë në vonesa të mëtejshme, siç ka ngjarë me marrëveshjet e mëhershme.

Dy datat e vetme specifike të parashikuara në Aneks lidhen me BE-në, ku i kërkohet BE-së që të krijojë Komitetin e Përbashkët Monitorues brenda 30 ditëve dhe të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve, për të siguruar paketa ndihmash financiare dhe investime për të dyja palët.

Mbetet të shihet nëse BE-ja do t’i respektojë afatet e saj dhe nëse ky tip nxitjeje do të jetë i mjaftueshëm për të përshpejtuar procesin e normalizimit.

Çfarë ndodhi pas 18 marsit?

Edhe pse Prishtina shpresonte në njohje reciproke, marrëveshja përmban vetëm një dispozitë në Nenin 4 të Propozimit të BE-së që palët nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Megjithatë, presidenti serb Vuçiq deklaroi se Serbia nuk do ta njohë Kosovën apo anëtarësimin e saj në OKB. Kjo ngre shqetësime në raport me kredibilitetin e marrëveshjes dhe zbatimit të saj, duke qenë se Vuçiq e bëri të qartë qëndrimin e tij menjëherë pas përfundimit të negociatave.

Duke marrë parasysh rezultatet e dobëta të marrëveshjes, duket se BE-ja dhe ShBA-ja për momentin kanë hequr dorë nga njohja reciproke. Pavarësisht presionit të konsiderueshëm, normalizimi i plotë i marrëdhënieve nuk duket se ka gjasa të arrihet menjëherë.

Në vend se të zbatohet një zgjidhje e shpejtë dhe kësisoj të rrezikohet kredibiliteti i tyre, fokusi do të jetë në normalizimin gradual të marrëdhënieve ekonomike, i ndjekur nga një proces i ngadaltë i normalizimit politik.

Kështu, strategjia është zhvendosur drejt mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe fokusimit në normalizimin e plotë për një fazë të mëvonshme.

A do të zbatohet përfundimisht Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe?

Përkundër deklaratës së kryeministrit Kurti që s’do të ketë autonomi për serbët, është bërë e qartë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, përfshirë edhe themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe (AKS), duhet të zbatohen.

Për më tepër, ka shqetësime se terminologjia në Aneks, që ofron vetëmenaxhim për komunitetin serb, mund të nënkuptojë një shkallë edhee më të madhe të autonomisë sesa ajo për të cilën ishte rënë dakord në Marrëveshjen e vitit 2015.

Serbia vazhdimisht ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të AKS-së, që me gjasë do të mbetet një sfidë e madhe për kryeministrin Kurti.

Kurti ka treguar gatishmëri për të ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje. Retorika e tij ka evoluar përgjatë tre vjetëve të fundit.

Fillimisht ai ishte i vendosur kundër AKS-së. Megjithatë, më vonë ai propozoi gjashtë kushte që duheshin plotësuar për zbatimin e tij. Aktualisht, mendimi i tij është zhvendosur në favor të vetëmenaxhimit, pa dhënë autonomi.

Ky ndryshim nuk u prit mirë në Kosovë dhe çoi në një rënie të vlerësimit karshi Kurtit. Për të treguar pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë, disa aktivistë të opozitës e gjuajtën me tortë dhe milkshake zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili më herët kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen nëse qeveria do ta pranonte AKS-në.

Përgjithësisht, Propozimi franko-gjerman, që madhërisht u shpall vitin e kaluar, ka qenë një burim zhgënjimi dhe jo rezultat domethënës për normalizimin e marrëdhënieve.

Propozimi mëtoi të shmangte vijat e kuqe si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, për t’i kënaqur të dyja palët. Nuk e përmendi në mënyrë eksplicite AKS-në për Kosovën (përkundrazi, të maskuar paqartësisht si vetëmenaxhim), ndërsa sa i përket Serbisë, nuk përmend njohjen e shtetit. Kjo marrëveshje dhe aneksi i saj mbesin po aq të paqarta sa marrëveshjet e mëhershme.

Mbetet të shihet nëse kjo marrëveshje do të përfaqësojë një pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, apo do ta vonojë procesin edhe më tej.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.