Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Shkeljet Kushtetuese të Qeverisë Kurti

Ndarja e pushteteve është një nga parimet themelore në çdo kushtetutë bashkëkohore demokratike. Kuptimi i ndarjes së pushteteve qëndron në ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv (Qeveria), legjislativ (Kuvendi) dhe gjyqësor. Vënia e këtij parimi si domosdoshmëri qëndron në arsyet e kufizimit të pushtetit dhe absolutizmit të tij.

Sikurse të gjitha kushtetutat demokratike, edhe kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 4 parasheh “formën e qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit”, duke jetësuar këtë parim në rregullimin kushtetues. Kontrolli dhe balancimi mes pushteteve si dhe ushtrimi i tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime është vetë kuptimi i ndarjes së pushteteve.

Institucionet në Kosovë, jo rrallëherë, janë përballur me tejkalim të kompetencave, rrjedhimisht ndikime në pushtete të tjera. Megjithatë, si një demokraci e re, Kosova ka treguar që aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese në masë të madhe respektohen. Mund të numërohen me gishta aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk janë respektuar.

Por, viteve të fundit gjërat kanë ndryshuar. Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese në disa raste kanë konfirmuar shkeljet kushtetuese të Qeverisë Kurti, pikërisht për tejkalimin e kompetencave të pushteteve të tjera, dhe kjo tregon edhe mendësinë e pushtetit aktual ekzekutiv. Ajo që dallon një parti institucionaliste dhe demokratike është riparimi i gabimeve dhe ndërtimi i sjelljes dhe veprimeve politike në përputhje me praktikën kushtetuese.

Pushteti ekzekutiv i udhëhequr nga Albin Kurti, deri më tani, ka treguar që është larg ambientimit politik me kushtetutshmërinë dhe vlerat që burojnë prej saj. Qeveria Kurti (1 dhe 2) shkeli Kushtetutën e Kosovës në tri raste, sipas konfirmimeve të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Rasti i parë: Kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore gjatë pandemisë

Në fillimin e pandemisë COVID-19 (Mars 2020), Qeveria e Kosovës me vendime administrative filloi kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore. Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin KO54/20 konfirmoi që të drejtat dhe liritë themelore u shkelën sepse ato mund të kufizohen vetëm me ligj dhe jo me vendime administrative.

Detyrimi që duhet të nxirret nga ligji përbën kompetencë të Kuvendit, andaj Qeveria e Kosovës mori në dorë autorizimet e Kuvendit duke u përzier në detyra kushtetuese të një pushteti tjetër. Ajo që është shqetësuese është se Qeveria vazhdoi me vendime administrative duke ndërmarrë masa kundërkushtetuese dhe duke u treguar e shurdhër ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Rasti i dytë: Imponimi i karantinës dhe kundërvajtjet administrative gjatë pandemisë

Rasti i dytë përsëri kishte të bënte me masat anti-COVID. Në muajin prill, Qeveria e Kosovës e shpalli “zonë karantine” Komunën e Prizrenit përmes Vendimit nr. 214/IV/2020, si dhe u morën tri vendime të tjera me qëllim të parandalimit, luftimit dhe eliminimit të COVID-19 në territorin e Komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut.

Në aktgjykimin KO61/20, Gjykata Kushtetuese konstatoi se kundërvajtjet administrative që përcaktoheshin në këto vendime nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën sepse kundërvajtjet administrative mund të përcaktohen vetëm me ligj të Kuvendit të Republikës apo akte të Kuvendit të ndonjë komune dhe këto autorizime nuk mund t’i ketë pushteti ekzekutiv, andaj Qeveria ndërmori sanksione kundër kushtetuese ndaj qytetarëve të vet. Nuk kaluan as dy muaj nga shkelja e parë, Qeveria Kurti përsëri u përzi në kompetenca kushtetuese të Kuvendit të Kosovës si pushtet legjislativ.

Rasti i tretë: Ndërhyrja në kompetenca të nivelit lokal

Rasti i tretë dhe i fundit ka të bëjë me Komunën e Kamenicës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), të udhëhequr nga Ministrja Arbërie Nagavci.

Gjykata Kushtetuese konstatoi që MASHTI kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës me ç’rast kishte shkelur parimet kushtetuese, Kartën Europiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Ky ishte konfirmimi tjetër që tregoi se organet qendrore morën në dorë kompetenca të nivelit lokal duke penguar organizimin dhe funksionimin normal të vetëqeverisjes lokale.

Ndikimi i pushtetit ekzekutiv në pushtetet e tjera thyen parimin e ndarjes së pushteteve, shkel Kushtetutën dhe rrezikon demokracinë, duke u hapur rrugë autoritarizmit dhe despotizmit. Këto raste shërbejnë si ilustrim se si Qeveria Kurti ka tejkaluar kompetencat e saj duke bërë shkelje kushtetuese. Ende ka punë për të bërë dhe vend për përmirësime në mënyrë që të sigurohet ambientimi politik i Qeverisë dhe bilanci mes pushteteve.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.