TikTok-u është momentalisht një ndër aplikacionet më të popullarizuara të rrjeteve sociale në botë, që përdoret kryesisht nga të rinjtë. Aplikacioni u popullarizua sidomos gjatë periudhës së izolimit nga pandemia COVID-19.
Aktualisht, TikTok-u ka rreth një miliard përdorues të rregullt, gjysma prej tyre të moshës nga 10-29 vjeç. Ndërsa mosha mesatare kur një fëmijë hap llogari në rrjetet sociale është dymbëdhjetë vjeç e gjysmë.
Rishtazi, TikTok-u ka tejkaluar edhe platformën Instagram, si aplikacioni më i përdorur i rrjeteve sociale për fëmijët 12-17 vjeç, me 63% të tyre që e përdorin aplikacionin çdo javë.
Kohëve të fundit, në TikTok ka filluar një trend i cili përfshin zhvillimin e bisedave dhe shkëmbimin e këshillave në mesin e adoleshentëve për mirëqenien e tyre psikologjike.
Ky zhvillim ka rritur tendencën për vetëdiagnostikim të problemeve të shëndetit mendor nga ana e tyre, duke përfshirë çrregullime nga më të ndryshmet, si autizmin, hiperaktivitetin, çrregullimin e personalitetit, çrregullimin obesesiv-kompulsiv, e shumë të tjera. Këtë çështje së fundmi e ka ngritur edhe Asociacioni i Psikologëve Amerikanë.
Kjo është një dukuri mjaft shqetësuese, sepse diagnoza lidhur me një çrregullim të caktuar mendor mund të bëhet vetëm nga profesionistë të fushës së shëndetit mendor.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2021 tregojnë se në nivel botëror, një në shtatë adoleshentë të moshës 10-19 vjeç përballet me sfidat e shëndetit mendor. Kjo është edhe grupmosha kryesore e përdoruesve intensivë të TikTok-ut.
Profesionistët e shëndetit mendor kanë ngritur shqetësimin se shumica e adoleshentëve, informatat e para rreth shëndetit mendor i marrin nga një aplikacion si Tik-Tok-u dhe jo nga profesionistët e fushës.
Disa studime kanë konkluduar se sa më shumë kohë të shpenzojë një person (pavarësisht moshës) në mediat sociale, aq më shumë ka gjasa që i njëjti të përjetojë simptoma negative të shëndetit mendor siç janë: ankthi, izolimi, depresioni dhe dëshpërimi.
Në veçanti, periudha e pandemisë ishte e rëndë për adoleshentët të cilët kanë nevojë të shtuar për ndërveprim dhe socializim me bashkëmoshatarët. Si pasojë, mediat sociale, në veçanti TikTok-u, kanë shërbyer si mjete për ta mbushur këtë boshllëk.
Ka një shqetësim në rritje në mesin e prindërve dhe profesionistëve të shëndetit mendor për ndikimin që platforma ka në shëndetin mendor të adoleshentëve, duke pasur parasysh etikën, presionin mental, bulizmin kibernetik apo shantazhin seksual.
Prandaj, është shumë e rëndësishme që prindërit të monitorojnë dhe të kufizojnë përdorimin e rrjeteve sociale te fëmijët qysh në moshë të hershme.
Shoqëria kosovare nuk është imune kundrejt këtij fenomeni. Situata bëhet edhe më e rënduar kur kemi parasysh shtrirjen e përdorimit të internetit të kombinuar me një mungesë kujdesi si nga ana e prindërve, ashtu edhe nga ana e institucioneve relevante për një dukuri të tillë.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se mbi 96.4% e popullsisë kosovare ka qasje në internet, e cila rezulton në përdorim të rrjeteve sociale.
Për këtë arsye është e rëndësishme që prindërit, mësimdhënësit dhe profesionistët e shëndetit mendor në Kosovë të jenë të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme që lidhen me përdorimin e TikTok-ut dhe mediat e tjera sociale në përgjithësi dhe t’i edukojnë adoleshentët si t’i përdorin këto platforma në mënyrë të sigurt dhe me përgjegjësi, duke rritur te ta vetëdijesimin për pasojat eventuale që mund të kenë në shëndetin e tyre mendor.
Për më tepër, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë duhet të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim, duke e përfshirë një modul të veçantë në kurrikulat shkollore – ato fillore dhe të mesme – për përdorimin e sigurt të internetit, më theks të veçantë përdorimin e rrjeteve sociale, nga ana e nxënësve dhe shmangien ndaj ekspozimit të përmbajtjeve të papërshtatshme ose të dëmshme për moshën e tyre.
Përdorimi i duhur i rrjeteve sociale mund t’i ndihmojë si fëmijët, ashtu edhe adoleshentët të rriten dhe të mësojnë, veçanërisht kur familjet, edukatorët dhe mësimdhënësit luajnë një rol aktiv në këtë drejtim.
Po ashtu, rekomandohet që të merren në konsideratë praktikat më të mira nga vendet e tjera sa u përket politikave të shkollave në raport më ketë çështje, duke i adaptuar dhe përdorur ato në kontekstin social dhe kulturor të Kosovës.
Politikat e tilla do të duhej të kenë në fokus jo vetëm fëmijët dhe adoleshentët, por edhe prindërit e mësimdhënësit. Roli i këtyre të fundit është fondamental në edukimin dhe rritjen e sigurt të fëmijëve dhe adoleshentëve.