Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kosovo Dispatch

Të drejtat e punëtorëve në sektorin privat po lëvizin si breshka

Ilustrimi: Big Eye

Për nëntë vite, paga mesatare neto në sektorin privat ka lëvizur për vetëm 68 euro. Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), paga mesatare në këtë sektor në vitin 2012 kishte qenë 308 euro, ndërkaq në vitin 2021 ishte 376 sosh.

Përkundër se e mbushin arkën e shtetit me para, punëtorët e sektorit privat marrin dukshëm më pak, sesa punëtorët e sektorit publik dhe ata të ndërmarrjeve publike.

Në sektorin publik, paga mesatare neto është 542 euro, ndërsa kampion në rroga janë punëtorët e ndërmarrjeve publike, 680 euro pagë neto – ose mbi 80% më shumë sesa punëtoret se punojnë në sektorin privat. 

Por pagat nuk janë shkelja e vetme e të drejtave të punëtorëve – është edhe moszbatimi i Ligjit të Punës.

Mijëra punëtorë në Kosovë punojnë pa kontrata pune. Kjo mund të mbështetet edhe në të dhënat e ASK-së për fuqinë joaktive, ku rreth 60% e qytetarëve në moshë pune janë që nuk figurojnë  që punojnë e as nuk kërkojnë punë. Mund të ketë individë që varen nga remitencat ose nga të hyrat e familjes – por në këtë rast kemi të bëjmë me më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore jashtë tregut.

Më së shumti nga kjo shkelje e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat pësojnë gratë, një pjesë e tyre përballen me ngacmime seksuale në punë si dhe me pengesa të shumta gjatë fazës së lehonisë.

Në këtë “valle” shkeljesh ka kategorizime edhe brenda gjinive – të drejtat e cenuara të punëtorëve raportohet të jenë edhe në sektorin e ndërtimtarisë.

Sipas Bankës Botërore, rreth 52% e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë punojnë pa kontrata të punës, shpesh me orar të tejzgjatur dhe nuk paguhen për orët shtesë e as për pushimet e festave. Raporti shton se atyre nuk u ofrohet pushimi vjetor, përveç nëse dëshirojnë ta marrin pa pagesë.

Gjatë vitit 2022, në vendin e punës e kanë humbur jetën 18 qytetarë. Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat kjo lidhet edhe me kushtet e punës të cilat nuk janë të duhura, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë. 

Ekonomia e Kosovës është përcaktuar si e tregut të lirë në bazë të neneve 10 dhe 119 të Kushtetutës së Kosovës. Por liberalizmi ekonomik nuk nënkupton shkelje të të drejtave të njeriut – të drejta që i mbron vetë akti më i lartë juridik.

“Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, thotë neni 23 i Kushtetutës.

Si rrjedhojë e këtij, neni vijon edhe një infrastrukturë e gjerë ligjore në Kosovë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve që përfshin Ligjin për Paga si dhe atë për organizimin sindikal.

Problemi nuk qëndron te mungesa e juridiksionit progresist, por tek moszbatueshmëria e tyre, shembull e drejta për organizim sindikal.

Nga më shumë se 64 mijë biznese sa ka Kosova, ekzistojnë vetëm 17 shoqata sindikale. Në një përfaqësim ideal të punëtorëve të sektorit privat do të duhej që shoqata sindikale ta kishte përfaqësuesin në bordin e kompanisë – që të drejtat e garantuara me ligj të mbrohen nga brenda.

Megjithatë, zbatimi i ligjit duhet të nxitet nga shteti për shkak të mekanizmave ligjorë në posedim. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 1 maj 2021 përmes një postimi në Facebook, kishte premtuar se ”Qeveria do të jetë partnere e ngushtë e organizimit të punëtorëve”.

Deri më tani, rezultate konkrete nuk ka, përpos një thirrjeje të cilën e ka plasuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke iu kërkuar bizneseve që të ju rrisin pagat punëtorëve të sektorit privat.

Murati e ka bërë një thirrje për të cilën ekzekutivi nuk ka kompetencë, por nuk e ka kryer atë që mundet – shtesat për punëtorët e sektorit privat. Po ofron ndihmë financiare në kohë krize për të gjithë, por jo edhe për ata që kontribojnë më së shumti në mbushjen me monedha të kuletës së shtetit.

Problemet janë të evidentueshme, ato kërkojnë zgjidhje e që është më të komplikuara përtej hartimit të strategjive që përfundojnë në disa letra të cilat i mbulon pluhuri nëpër objektet e institucioneve.

Fillimisht, Inspektorati i Punës duhet të rris stafin dhe monitorimn e kushteeve të punës.

Ashtu siç ka premtuar kryeministri Kurti, institucionet e kanë obligim krijimin e një klime të sigurt ku punëtorët mund të kenë organizime sindikale sipas ligjeve në fuqi.

Tashmë është domosdoshmëri që Inspektorati i Punës të jetë më aktiv në monitorimin e zbatimit të Ligjit të Punës. Në këtë drejtim duhet të hetohen të gjithë punëtorët që punojnë pa kontrata pune. Po ashtu në bashkëpunim me Bankën Qendrore të punohet që paga si e tërë të transferohet përmes xhirollogarisë bankare, e jo në ndonjë formë tjetër. Një ashtu zyra e ankesave në Inspektorat të jetë efikase, sidomos për gratë gjatë procesit të lehonisë.

Por Inspektoratit të punës i duhet një bashkëpunëtor brenda kompanive, ato duhet të jenë sindikatat – në rastin e Kosovës duhet të krijohen dhe të funksionojnë aktivisht konform ligjit.

Infrastruktura ligjore për të drejta të punëtorëve ekziston, ka mbetur zbatimi dhe për këtë përgjegjësia fillon prej shtetit përmes Inspektoratit, punëtorëve nëpërmjet sindikatave, por edhe raportimit të vazhdueshëm të mediave për shkeljet eventuale.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.