Administrata e ardhshme e Trumpit, që do të fillojë punën në janar të vitit 2025, pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillime të ndryshme gjeopolitike, përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një histori të gjatë të përfshirjes në kontestin Kosovë-Serbi. Kësisoj, secila administratë ka pasur rol në procesin e dialogut. Së fundmi, qëndrimi i administratës së Bidenit ishte se bisedimet duhet të dërgojnë te njohja reciproke midis të dy palëve.
Për sa i takon rajonit, presidenti Trump, gjatë mandatit të tij të parë presidencial, ishte dukshëm më i përfshirë sesa paraardhësi (Barack Obama) dhe pasardhësi i tij (Joe Biden). I dërguari i posaçëm presidencial i Trumpit, Richard Grenell, duke anashkaluar BE-në, inicioi dialogun paralel midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo përpjekje u përqendrua në normalizimin ekonomik dhe qëllimisht u shmangën çështjet e ndjeshme politike.
Në vitin 2020, Trumpi siguroi Marrëveshjen mbi Normalizimin e Marrëdhënieve Ekonomike, që njihet edhe si Marrëveshja e Uashingtonit. Ndërsa ishte e fokusuar kryesisht në çështjet ekonomike, ajo gjithashtu përfshinte edhe dispozita joekonomike, midis të tjerash, siç janë: shpallja e Hezbollahut si organizatë terroriste, angazhimi për promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ+, njohja e Kosovës nga Izraeli, si dhe zhvendosja e ambasadës së Serbisë në Jerusalem.
Megjithatë, pasi Trumpi në vitin 2020 e humbi garën për president me Joe Bidenin, Marrëveshja e Uashingtonit u anashkalua në masë të madhe. Tani, pas rizgjedhjes së Trumpit, vëmendja kthehet te Marrëveshja e Uashingtonit, teksa të dyja palët po e presin me ankth veprimin e parë të administratës së tij në Ballkanin Perëndimor. Njëkohësisht, rajoni po pret të kuptojë nëse presidenti Trump do ta riemërojë Richard Grenellin si të dërguar të posaçëm për rajonin.
Derisa përpjekja për parashikimin e së ardhmes mbetet sfiduese dhe spekulative, reflektimi rreth mandatit të parë të Trumpit dhe qasjes së administratës së tij për Ballkanin Perëndimor dhe kontestin Kosovë-Serbi, ofron mësime me vlerë rreth asaj që mund të na presë.
Marrëdhënie të tendosura me Albin Kurtin
Nuk është sekret që ekipi i Trumpit mban qëndrime negative kundrejt kryeministrit Albin Kurti. Gjatë mandatit të tij si i dërguar i posaçëm i Trumpit për rajonin, Richard Grenelli kishte rol në orkestrimin e rrëzimit të Qeverisë së parë të Kurtit.
Marrë parasysh historikun e armiqësisë midis administratës së Trumpit dhe lidershipit të Kurtit, mbetet e pasigurt nëse Kurti do të arrijë të krijojë marrëdhënie funksionale me administratën e re të Trumpit.
Kjo dinamikë është veçanërisht vendimtare, marrë parasysh përkeqësimin e vazhdueshëm të raporteve Shtete të Bashkuara të Amerikës – Kosovë në katër vitet e fundit, gjatë së cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën masa kundër Kosovës. Përveç kësaj, mbështetja e Kurtit për Joe Bidenin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, mund ta komplikojë edhe më tej marrëdhënien e tij me administratën e Trumpit. Për të ardhmen e bashkëpunimit Shtete të Bashkuara të Amerikës – Kosovë, thelbësore është pyetja nëse Kurti mund ta menaxhojë këtë marrëdhënie sfiduese.
Lidhje të ngushta me lidershipin serb
Lidershipi serb ka kultivuar lidhje të forta me figurat kryesore të peizazhit politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht me ato brenda administratës së kaluar të Trumpit. Në Prishtinë, Richard Grenelli shpesh është portretizuar si avokues pro-serb, ose edhe si lobist për interesat serbë – karakterizime këto që qeveria serbe i ka mohuar publikisht.
Për t’i përforcuar këto lidhje edhe më shumë, janë raportuar disa lidhje biznesore që e përfshijnë Jared Kushnerin, dhëndrin e ish-presidentit Trump. Investimi i Kushnerit në një projekt luksoz të zhvillimit është përshkruar si “kontrovers” nga Politico, duke ngritur pyetje rreth konflikteve të mundshme të interesit.
Gjithashtu, presidenti Vuçiq ishte një nga të parët liderë botërorë që zhvilloi një bisedë telefonike me Trumpin, për ta uruar për fitoren e tij, gjë që e bën më të favorshëm pozicionin e Serbisë krahas Kosovës.
Marrë parasysh këto lidhje të formuara, ia vlen të mendohet nëse administrata e dytë e Trumpit mund t’i japë prioritet forcimit të marrëdhënies së saj me Serbinë, ndoshta në dëm të avancimit të interesave të Kosovës.
Anashkalimi i BE-së
Gjatë periudhës 2019-2020, administrata e Trumpit nisi dialogun e saj paralel, duke anashkaluar BE-në. BE-ja, që tashmë po përballej me një varg krizash në dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga ajo, nuk ia doli të ballafaqohej me këtë zhvillim.
Kjo situatë shkaktoi konfuzitet te njerëzit në Serbi dhe Kosovë, të cilët ishin të pasigurt rreth statusit të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Njëkohësisht, krijoi pritshmëri të rreme se Shtetet e Bashkuara të Amerikës më në fund do të angazhoheshin rreth rajonit.
Mbetet të shihet nëse kjo është e vërtetë, nëse administrata e Trumpit do të përpiqet ta ringjallë Marrëveshjen e Uashingtonit dhe të ndjekë planet e saj. Pavarësisht qëllimeve të Trumpit, administrata e tij dhe BE-ja nuk janë të një mendjeje.
BE-ja po përballet me një periudhë sfiduese. Roli i saj si fuqia më e madhe politike në Ballkan, mund të jetë nën vëzhgim, jo vetëm nga Rusia dhe Kina, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo mund të ketë pasoja serioze rreth qëllimit të BE-së për t’u bërë lojtar i njohur gjeopolitik, sidomos nëse ajo nuk mund t’i trajtojë problemet përpara derës së vet.