Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK),më pak se 16 për qind e grave në Kosovë punojnë me kontratë pune. Ndërsa papunësia e grave në vend është 5 për qind më e lartë sesa e burrave – pra, rreth 30 për qind e grave duan të punojnë, por nuk gjejnë punë. Gratë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe shëndetësisë.
Me gjithë statistikat brengosëse, fakti më shqetësues është joaktiviteti i grave në treg, që nënkupton se nuk kërkojnë punë fare. Kjo kategori përbën mbi 77 për qind të totalit të fuqisë joaktive. Por, pse ndodh kështu?
Sipas raportit “Joaktiviteti i Grave në Tregun e Punës” të institutit “Demokraci për Zhvillim” (D4D), 53 për qind e të anketuarve (gra dhe burra) besojnë se arsyeja kryesore e përjashtimit të grave nga tregu i punës është “se ato kanë përgjegjësi që të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit në familje”.
E në bazë të raportit “Gratë në Tregun e Punës” të Institutit Riinvest, përmendet koncepti “orar i dyfishtë”, që i referohet orarit të ngarkuar të grave, të cilat pos punës me pagesë duhet t’i kryejnë edhe punët e shtëpisë.
“Gratë shpenzojnë mesatarisht 7 orë e 30 minuta në punë të paguar dhe rreth 3 orë shtesë në punë shtëpiake të papaguar, ndërsa gratë që kanë fëmijë punojnë 45 minuta më shumë në shtëpi, mesatarisht”, është një nga gjetjet kryesore të raportit të Institutit Riinvest.
Mirëpo, para se të fillojë faza e kujdesit të fëmijës, gratë fillimisht përballen me sfidën e pushimit të lehonisë. Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat vazhdimisht ka alarmuar se gratë po i humbin vendet e punës pasi të shkojnë në pushimin e lehonisë.
Pikërisht në raportin e D4D-së potencohet se 26 për qind e të anketuarve mendojnë që pushimi i lehonisë është shkaku kryesor pse gratë kanë vështirësi të qëndrojnë në tregun e punës.
Si argument shtesë, raporti i Institutit Riinvest tregon se 60 për qind e grave u ballafaquan me ndryshime në kushtet e punës pas marrjes së pushimit të lehonisë. Ato u ballafaquan edhe me ulje pagash.
Të gjitha këto shkelje dënohen sipas Ligjit për Barazi Gjinore, Megjithatë, zbatimi i këtij ligji është sfidë në një shoqëri patriarkale.
Burrat dominojnë edhe në sektorin publik. Bazuar në raportin “Punësimi dhe Përfaqësimi i Grave në Kosovë” të Institutit GAP, pasqyrohet se nëpër ministri 41 për qind e të punësuarve janë gra. Burrat dominojnë dukshëm edhe nëpër administrata komunale me 67 për qind, për dallim prej grave që janë 33 për qind.
Pra, të njëjtin fat e kanë edhe gratë e shkolluara. Në bazë të punëkërkuesve të regjistruar, 8 mijë e 737 gra me Bachelor kërkojnë punë, për dallim prej burrave që janë mbi 5 mijë me të njëjtin nivel të arsimit. Ka gra me nivele Master të cilat figurojnë të regjistruara si punëkërkuese, 671 sosh për dallim nga burrat që janë 150 më pak.
Ka edhe gra që punojnë, por s’kanë kontrata pune – rrjedhimisht, ato privohen nga e drejta e përfitimit të benefiteve që ua garanton ligji siç janë pushimi i lehonisë, pushimi javor, vjetor e të tjera.
Bazuar në këto të dhëna, gratë kanë vështirësi shumë herë më të mëdha për të gjetur punë, përkundër kualifikimit.
A do të vazhdojë kjo gjendje deri në pafundësi?
Zbatimi i Ligjit të Punës dhe atij për Barazi Gjinore ishin disa prej premtimeve të Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria kishte vendosur në vitin 2021 që gratë lehona të papunësuara të marrin nga 170 euro për gjashtë muaj, ndërsa ato të punësuarat do të përfitonin të njëjtën shumë, por në kohëzgjatje tremujore.
Kjo politikë ishte kritikuar nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave të cilat i kishte përmendur BE në raportin e tyre. Raporti thotë që ”zgjatja e përfitimeve të maternitetit për gratë e papuna mund të synojë apo inkurajojë që gratë të kenë fëmijë dhe të mbesin të papuna”.
Tutje, në raportin e BE-së potencohet se në vendimin qeveritar ishte edhe një kriter se gratë duhej të ishin të papuna për të paktën dymbëdhjetë muaj para lindjes, në mënyrë që të përfitonin.
Një problem tjetër serioz me të cilin ballafaqohen gratë në Kosovë mbetet fenomeni i ngacmimeve seksuale në vendin e punës. Pos nga eprorët, gratë shpeshherë ngacmohen seksualisht edhe prej kolegëve të tyre.
Por, a ka shpresë se gjërat mund të ndryshojnë pozitivisht?
Të gjitha qeveritë kanë premtuar që do të angazhohen në avancimin e të drejtave të grave – kjo është bërë kryesisht në aspektin e infrastrukturës ligjore.
Ligjet e Kosovës për gratë janë bashkëkohore, por zbatueshmëria e tyre është problematike duke marrë për bazë edhe faktin që shpesh drejtësia funksionon mbi normat zakonore patriarkale, e jo brenda juridiksionit kushtetues.
Shteti nuk mundet të ndërhyjë në sektorin privat që ta diktojë gjininë e punëtorëve, pasi Kosova në bazë të nenit 10 të Kushtetutës së Kosovës definohet si ekonomi e tregut. Megjithatë, e ka fuqinë ligjore t’i mbrojë gratë brenda vendeve të punës.