Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Zvetënimi i dialogut dhe normalizimit

Iniciativa franko-gjermane për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë erdhi si një përpjekje e partnerëve europianë për ta ringjallur procesin dhe për t’i afruar palët drejt normalizimit. Fillimisht, ajo solli një energjizim dhe rritje të pritshmërive, por shumë shpejt euforia e marrëveshjes doli të jetë e pajustifikuar.

Fillimisht, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, refuzoi të nënshkruante dokumentet duke minimizuar rëndësinë e tyre dhe në mundësinë parë votoi kundër anëtarësimit së Kosovës në Këshillin e Europës, çka bie ndesh me nenin 4 të marrëveshjes. Neni 4 thotë në mënyrë fare të qartë dhe specifike se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Përveç dëmit direkt në normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, moszbatimi i marrëveshjes hedh në pikëpyetje kredibilitetin e BE-së si ndërmjetësues dhe sponsorizues i marrëveshjes. Megjithatë, kundërshtia dhe moszbatimi i marrëveshjes nga pala serbe është pritur në heshtje nga Perëndimi. Në anën tjetër, presioni ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe (ASK) sa vjen e shtohet.

Megjithatë, ndërkohë që iniciativa nuk u ngrit dot në lartësinë që pretendonte, dy muaj pas takimit të Ohrit, mund të theksojmë se është zvetënuar plotësisht procesi i normalizimit dhe parimet bazë mbi të cilat duhej formësuar ai.

Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan Gabriel Escobar, njëherësh Përfaqësues i Posaçëm për Rajonin, deklaroi më 3 maj se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë “fillon me asociacionin” dhe se “normalizimi ka në qendër të drejtat e pakicave, veçanërisht të pakicës serbe në Kosovë.” Zhvillimet e fundit tregojnë se presioni për zbatimin e marrëveshjes është joproporcional dhe bie pothuajse krejtësisht mbi Kosovën.

Deklarata e z. Escobar është pranimi më i zëshëm dhe shqetësues i transformimit që i po i bëhet atij që duhej të ishte boshti qendror i çdo lloj normalizimi. Ky bosht ka qenë dhe duhej të ishte pashmangshmërisht njohja reciproke ndërmjet dy vendeve.

Qendërzimi i dialogut dhe normalizimit te njohja reciproke ndërmjet dy vendeve është theksuar në mënyrë të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe ka shërbyer si elementi më i rëndësishëm për të ankoruar procesin përballë pretendimeve shmangëse të lidershipit serb. Është një parim që është pohuar nga presidenti amerikan Joe Biden, por edhe nga paraardhësi i tij Donald Trump. Njëherazi, rëndësia e njohjes reciproke u theksua edhe nga kancelari gjerman Olaf Scholz, gjatë vizitës në Kosovë në qershor të vitit 2022. Ai e nënvizoi faktin se Serbia dhe Kosova duhet ta njohin njëra-tjetrën për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Megjithatë, nën drejtimin e Brukselit dhe tutelën e Miroslav Lajçak, të Dërguarit të Posaçëm të BE-së, ky parim qendror është ripozicionuar si një element i shkëputur nga normalizimi. Ndërkohë, vetë zyrtarët e Bashkimit Europian kanë lënë të nënkuptohet se kjo shikohet si një faktor bllokues i procesit.

Ky shndërrim gati malinj që i është bërë dialogut është shoqëruar me një retorikë boshe dhe pa kurrfarë brendie. Fjala vjen, Përfaqësuesi i Lartë Borrell, flet rëndom për “zgjidhje europiane” dhe asnjëherë për njohje reciproke ose masa të tjera përmbajtjesore.

“Zgjidhje europiane” është një eufemizëm dhe atë mjaft i keq. Në fakt, ajo propagandohet nga zyrtarët europianë si një formë shënimi territori, një ritheksim i nevojës që ndiejnë në Bruksel për të kërkuar me forcë autoritetin që u mungon në procesin që supozohet të drejtojnë. Në këtë pikë, ata privilegjojnë qasje apolitike dhe ahistorike. Zgjidhje europiane ishte, në fund të fundit, edhe ajo që e shkëputi Kosovën nga trungu amë dhe i la shqiptarët e Kosovës në robëri për gati një shekull.

Më shumë sesa te kjo retorikë, përfaqësuesit e BE-së do të duhet të përqendroheshin te marrja përsipër e përgjegjësive që lidhen me procesin. Deri më tani, si Përfaqësuesi i Lartë Borrell, ashtu edhe i Dërguari i Posaçëm Lajçak, nuk kanë dhënë as edhe një garanci të vetme publike dhe të drejtpërdrejtë për ta lehtësuar dialogun.

Edhe negociatorët të cilët kanë dështuar në të shkuarën, si për shembull ish-Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini, mbajtën në kohën e tyre disa qëndrime që u panë si ndihmesa për procesin. Fjala vjen, e tillë ishte letra që ajo i dërgoi në vitin 2015 kryeministrit të atëhershëm të Kosovës. Ajo letër, e cila theksonte politikën e BE-së se asociacioni i presupozuar nuk do të kishte kompetenca ekzekutive, është një nga materialet së cilave u janë referuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Kosovës në dialog edhe në ditët e sotme. Nga ana e tyre, interlokutorët aktualë europianë, jo vetëm që nuk kanë ardhur me asnjë lloj qasjeje konkrete, por vazhdojnë t’i neglizhojnë edhe këto principe të deklaruara më parë nga paraardhësit e tyre.

BE-ja, që duhet të ofrojë garanci, ka hequr dorë nga çdo realitet faktik. Në këtë zvetënim, pak rëndësi kanë marrëveshjet, të arritura ose jo, pak rëndësi kanë firmat, të vëna në letër ose jo, si dhe nuk kanë fare rëndësi realizimet e premtimeve të bëra.

Në këtë format, rëndësi ka vetëm një narrativë e cila, pavarësisht nëse është e bazuar në realitet, duhet të vazhdojë të mbizotërojë dhe të përsëritet në mënyrë robotike: në Ohër pati marrëveshje, ajo po zbatohet dhe se Kosova duhet të themelojë ASK-në. Ndërkohë që çdo gjë tjetër, duke përfshirë diskursin publik të Beogradit zyrtar dhe votën e Serbisë në Këshill të Europës në kundërshtim me marrëveshjen, është dytësore dhe e shpërfillshme.

Nuk është hera e parë që politikëbërësit e BE-së janë sjellë në këtë mënyrë. Mjafton të kujtojmë që më pak se dy vjet më parë, një tjetër narrativë fiktive europiane donte të bindte gjithë botën se kontinentit nuk i kanosej asnjë rrezik nga Rusia dhe regjimi i presidentit rus Vladimir Putin. Sot, të gjithë e dimë si përfundoi ajo histori dhe çfarë prodhoi refuzimi i liderëve të BE-së për të parë dhe vepruar mbi realitetin ashtu sikurse është ai.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.