Papunësia dhe të papunësuarit me të drejtë zënë një pozicion sipëror në hierarkinë gjigande të problemeve në Kosovë. Ama, paradoksalisht, me zvogëlimin e normave të tyre duke e ndërruar statusin efektivisht [1] nga “të papunë” në “të punësuar” nuk është se zgjidhen problemet e tyre të cilat fillimisht duket se lindin për shkak të statusit. Po, dallimi më i dukshëm është se tani marrin një pagë; mirëpo problemet e tyre të cilat shpesh bëhen edhe më komplekse veç sa trajtohen më pak.
24 është raportuar të jetë numri i punëtorëve që gjatë 2018-ës kanë vdekur në vendin e punës, prej të cilëve 22 për shkak të punës e 2 janë regjistruar si vdekje natyrore. Drejtësia nga gjykatat për këto raste, dhe ato të mëhershmet, ka qenë e heshtur, duke i shndërruar edhe këto në vdekje të heshtura. Ndërkohë, 104 raste janë raportuar si të lënduar në vendin e punës. Por as për këto raste s’duket të ketë pasur shumë drejtësi. Për shembull, në një rast të humbjes së 3 gishtave të një punëtori, gjykata ka marrë vendim ta dënojë kompaninë me vetëm 1,700 euro – pra, një gishti iu caktua vlera prej 566.7 euro.
Natyrisht se asnjëri nga ta nuk është numër, por numri i të vdekurve në vendin e punës është më i larti i raportuar brenda një viti që nga paslufta, dhe më i larti i raportuar në rajon duke pasur parasysh numrin e të punësuarve. Gjithnjë duhet pasur parasysh se numri i saktë mund të jetë shumë më i lartë, por prekariati ka bërë që ato të mos raportohen. Megjithatë, këto raste të raportuara, paradoksalisht, kanë ringjallur diskutimin për punëtorët përmes vdekjes së tyre.
Urgjenca e kësaj shifre alarmante duket se po manifestohet me fokusin tek mungesa e sigurisë së punëtorëve në vendin e punës. Natyrisht se siguria e punëtorëve në punë është thelbësore. Por është kërkesë minimale. Kërkesë për të mos vdekur. Kërkesë që duhej të ishte e mirëqenë. Sërish, shkalla e lartë e papunësisë dhe prekariatit bëjnë çdo ditë që të heshtet shfrytëzimi, diskriminimi, e ngacmimi. Sepse nëse do të mund të përkufizonim gamën e problemeve të punëtorëve të të gjithë sektorëve në Kosovë, ajo do shtrihej prej vdekjes së punëtorëve në punë e deri te cenimi i dinjitetit.
Puna pa kontratë, me orar të zgjatur, me pagë të ulët, pa ditë pushimi, pa sigurim shëndetësor, pa kontribute pensionale – janë të zakonshmet që i gjejmë ndër sektorë. Por kemi edhe raste specifike, nga sektorë të caktuar, përmes së cilëve shpërfaqet kompleksiteti i problemeve të tyre. Ta zëmë, në ndërtimtari, punëtori mbetet i varur në objektet punuese për orë, dhjetëra metra nga toka, ku më afër e ka vdekjen sesa shpëtimin. Ose, në sektorin bankar, para se ta përjashtojnë një punëtor, e thërrasin për marrëveshje. Marrëveshja do të thotë që punëtorja nënshkruan se pranon të japë dorëheqje vetë, ku si shkak mund të jetë pamja e saj, dhe jo se po e përjashtojnë, me ç’rast heshtja i blihet me dy paga shtesë që i merr pas përjashtimit. Ose, në sektorin e tregtisë, ku janë shfaqur dyshime se punëtorët detyrohen t’i dorëzojnë të dhënat personale dhe të votojnë për pronarin i cili kandidon për deputet; në të kundërtën mund të pushohen nga puna. Kështu mund të përmendim shembuj të panumërt konkretë që mund të kategorizohen brenda gamës së lartpërmendur.
Prandaj, vdekja e 24 punëtorëve në vendin e punës këtë vit mund të jetë pika e ekstremitetit nga ku kërkesat duhet të reflektojnë nevojat nga e tërë gama e problemeve të punëtorëve. E jo vetëm të kërkohet që të mos vdesin, se kjo është e pamjaftueshme.
Mirëpo, përveç se një propozim i tillë nuk duket askund në horizont, debati është tejet i kufizuar brenda limiteve etatiste. Si rrjedhojë, kërkesa minimale për të mos vdekur në punë shoqërohet me propozimin që të rritet numri i inspektorëve të punës, dhe specifikisht, të atyre për siguri në punë. Ndonëse një gjë e tillë edhe mund të jetë e nevojshme, sërish është e pamjaftueshme.
Përveçse është kërkesë minimale, një propozim i tillë presupozon bujarinë e shtetit në trajtimin e punëtorëve si hap i parë, me ç’rast shpërfill rolin e mundshëm dhe përgjegjësitë që mund t’i ketë organizimi sindikal i punëtorëve. Pra, përveç gabimit në hapa ku në vend se të shihet roli i shtetit si përgjigje pozitive ndaj kërkesave të vetë punëtorëve që artikulohen përmes sindikatave, këto të fundit as nuk diskutohen si mundësi. Një renditje e tillë shpërfaq mungesë të thellë të njohurive rreth historisë se avancimit të të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimit të kushteve të punës – rezultate këto që kanë ardhur në masë të madhe pikërisht për shkak të presionit nga organizimi sindikal tek pronarët dhe shteti. Dhe, jo thjesht për shkak të bujarisë e zemërgjerësisë së këtyre të fundit.
Një dinamikë e tillë presupozon një përfaqësim të denjë të punëtorëve nga vetë ata/ato dhe artikulim të drejtë të kërkesave të tyre, gjë që tek ne, në shumicën e rasteve, mungon. Në masë të madhe sindikatat e kanë reduktuar artikulimin e çështjeve të punëtorëve në kërkesë për rritje të pagave. Kështu, politikanët në pushtet kanë gjetur gjuhën e përbashkët me kryesindikalistët, dhe manipulojnë me këtë kërkesë duke e shndërruar atë në instrument të rëndësishëm për mirëmbajtje të pushtetit.
Natyrisht se do t’ishte tejet ambicioze të synohej që gjithë problemet e punëtorëve të shtrohen, e aq më pak të zgjidhen, në një shkrim. Gjithë këto përsiatje duhet të shërbejnë më shumë për të zgjeruar hapësirën e vëmendjes.
Nevoja për një riorganizim të mirëfilltë të punëtorëve është esenciale. Pa të, nuk ka trysni mbi shtetin, i cili ka për detyrë ta rregullojë e mbikëqyrë sektorin privat – që tek ne është vatra e shkeljeve eklatante të të drejtave të punëtorëve dhe hapësira me kushtet më të pafavorshme të punës. Pa të, nuk ka as mobilizim shoqëror kundër vendimeve skandaloze apo heshtjes së gjykatave, respektivisht prokurorisë, kundrejt vdekjes e lëndimit të punëtorëve në vendin e punës.
—–
[1] Dhe jo sepse, ta zëmë, bëhen studentë dhe nuk llogariten si fuqi punëtore në tregut të punës, rrjedhimisht as si të papunësuar.
—-
“Ky artikull është kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk i reflektojmë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.”