Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Dinari thelloi mospajtimet me BE-në dhe ShBA-në

Fotografi nga vizita e emisarëve euro-perëndimorë, 21 tetor 2023
Fotografi nga vizita e emisarëve euro-perëndimorë, 21 tetor 2023

Çështja e dinarit thelloi mospajtimet mes Qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit, me paralajmërimet për eskalim tjetër të situatës në veriun e banuar me shumicë serbe.

Që prej hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore (BQK), e cila njeh Euron si valutën e vetme zyrtare, janë dhënë interpretime të ndryshme për efektin që do ta ketë ajo te komuniteti serb. Kjo është shoqëruar edhe me akuza se vendimi po keqinterpretohet qëllimshëm, me synimin që komuniteti serb të nxitet për rezistencë ndaj vendimit.

Në fakt, aksionet e qeverisë në veri, por edhe pjesët tjera të vendit ku Serbia vazhdon t’i mbajë strukturat paralele, disa prej të cilave u mbyllën, janë parë me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar. Derisa ekzekutivi thirret në zbatim të Kushtetutës dhe ligjshmërisë, BE-ja e ShBA-ja kërkojnë që aksionet të cilat prekin komunitetin serb të përgatiten mirë dhe të trajtohen edhe në kuadër të dialogut të Brukselit, i cili prej muajsh ka ngecur.

Kosova ka një histori të mirë të koordinimit me shtetet aleate për çështje të rëndësishme, sidomos për ato që ndërlidhen me serbët dhe raportet me Serbinë. Mirëpo, disa herë gjatë dy vjetëve të fundit, ndërkombëtarët u “zunë” në befasi nga vendimet e kryeministrit Albin Kurti, siç qe rasti për targat, dokumentet e udhëtimit dhe së fundmi ky për dinarin. Situata kulmoi me shpërthimin e tensioneve në maj 2023, pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale, me gjithë kërkesën e BE-së e ShBA-së që mandatin ta ushtrojnë në zyra alternative.

Ndëshkimi për qeverinë ishte vendosja e masave sanksionuese të cilat BE-ja po i mban ende në fuqi.

Kjo pavarësisht insistimit të qeveritarëve se i ka shkuar deri në fund dakordimit të Bratislavës për masat shtensionuese, që nënkuptonin zvogëlimin e njësive speciale policore përreth objekteve komunale dhe pajtimin që në veri të mbahen zgjedhjet e reja lokale. Por, vendimet qeveritare që pasuan këto masa mund të jenë arsye pse BE-ja më nuk i beson Kurtit dhe sanksionet i mban si mjet presioni për të mos e tensionuar situatën në veri.

Por, një paralajmërim që dha së fundi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mund ta çojë situatën në drejtim të kundërt. Madje, sipas tij, kanë qenë gabimet e Brukselit me targat që u kthyen në ftesë për tensione. Këtë e mbështeti në deklaratat e zyrtarëve të BE-së se serbët në veri s’do të mund t’i regjistronin veturat me targa RKS brenda tri javësh.

“Për konvertimin e targave kemi thënë se s’ka nevojë mbi 3 javë kohë, por ne e kemi dhënë 9 javë. Brukseli ka insistuar të jepet një vit, duke menduar se ne s’kemi kapacitete, pastaj doli se u regjistruan për 3 javë. Doli se Brukseli ishte gabim, por gabimi i Brukselit u kthye në ftesë për tensione në veri…”, u shpreh Bislimi.

Një deklaratë tjetër e Bislimit u cilësua tendencioze dhe ngre dyshime për nxitësit e tensioneve në veri. Tek fliste për pajtimin me BE-në rreth hapave shtensionues, Bislimi u shpreh se i kanë thënë BE-së që të mos i detyrojë ta eskalojnë prapë situatën.

“Ne kemi thënë se masat për de-eskalim duhet të hiqen për shkak të de-eskalimit. Mos na detyroni m’e eskalu situatën, për me ju tregu që e de-eskalojmë prapë”, tha Bislimi.

Ai dhe udhëheqës të tjerë shtetërorë vazhdimisht e kanë denoncuar Serbinë si nxitëse të tensioneve në veri, të cilat kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një rreshter i Policisë së Kosovës dhe tre terroristë.

Ky nuk është rasti i vetëm kur qeveritarët u kapën me zyrtarë të BE-së. Një takim i emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me përfaqësues të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (NCEU), nxiti reagimin e Bislimit dhe vartësve të tij.

Sipas Bislimit, Lajçaku nuk ka përmendur se në kuadër të delegacionit me të cilin ishte takuar pati kryesisht përfaqësues të OJQ-ve nga Kosova, “që në mënyrë aktive dhe të hapur avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serbë në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës”.

Shqetësim për deklaratat e qeveritarëve shprehu Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, duke thënë se ato kanë efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve serbë në Kosovë. Sipas saj, BE-së s’ka nevojë t’i tregojë askush se me kë, ose në çfarë ore, takohen zyrtarët e saj. Edhe në NCEU thanë se ata veprojnë të pavarur dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e asnjë organi shtetëror.

Qeveria ka arritur pikën më të ulët edhe në raportet me ShBA-në, pavarësisht insistimit të qeveritarëve se ky është perceptim i gabuar dhe pasojë e propagandës serbe. Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë për media, konfirmoi se partneriteti është cenuar. Madje, ai e demantoi ministrin e Financave, Hekuran Murati, që tha se: raportimet për prishje të marrëdhënieve me ShBA-në janë “propagandë e Beogradit”.

Hovenier përsëriti se ka shqetësime domethënëse për Rregulloren e BQK-së dhe se ato i shprehin në takime publike e private.

Kurti u kritikua edhe në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit në OKB, e cila u thirr me kërkesë të Serbisë. Shtetet si ShBA-ja e Britania e Madhe e vlerësuan të drejtë argumentimin e qeverisë se ndalimi i dinarit bëhet në kuadër të masave për luftimin e krimit financiar, por kritikuan mënyrën e zbatimit, që u nis pa lejuar një periudhë tranzicioni në funksion të informimit të qytetarëve serbë.

Bashkimi Evropian kërkon që palët ta zgjidhin çështjen e dinarit në kuadër të dialogut të Brukselit. Por Bislimi ka refuzuar të marrë pjesë në diskutimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për dinarin. Sipas tij, me dërgimin e kësaj ftese, Lajçaku ka shkelur “parimet që i ka vendosur vetë pasi është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët”. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano sqaroi se ftesa e të dërguarit të posaçëm të BE-së, nuk specifikon se kush prej secilës palë duhet të merr pjesë në takimin e ftuar nga ai për 27 shkurt. Stano kritikoi sjelljen jo konstruktive të qeverisë duke paralajmëruar se kjo e distancon Kosovën nga perspektiva e saj evropiane.

Edhe pse janë të vetëdijshëm se vendimi ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, ruajtjen e stabilitetit financiar dhe rritjen e transparencës së qarkullimit të parave të gatshme në Kosovë, megjithatë zyrtarë të BE-së kanë përmendur shqetësimet lidhur me ndikimin që ka në komunitetet me shumicë serbe.

Ata kërkuan periudhë të mjaftueshme tranzitore, që do të mundësonte gjetjen e një marrëveshjeje të negociuar.

Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi paralajmëroi se në ditët në vijim do të dalin me një listë prej 10 masave, në mënyrë që qytetarët të mos dëmtohen në fazën kalimtare deri te zbatimi i plotë i Rregullores së re të BQK-së.

Kthimi i fokusit te vendimet e qeverisë e ka lënë në hije zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, për të cilat Kosova e Serbia ishin dakorduar në Bruksel e Ohër. Deri tash nuk është zbatuar asnjëra prej pikave të dakorduara dhe në horizont nuk duken përpjekje nga ndërmjetësit e dialogut për t’i kthyer palët në tryezën e negociatave.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.