Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Kafshatë që s’kapërdihet, është or vëlla racizmi

Ora është 5:33 e mëngjesit të 29 nëntorit 2019. Në banesë u ktheva para 2 minutash. I lodhur, fizikisht. Por, shumë më shumë i shterrur emocionalisht.

Heronjtë

Prej momentit kur ra tërmeti në Shqipëri dhe u mor vesh që pasojat mund të ishin më problematike sesa vetëm disa dridhje e dëmtime të lehta, solidariteti i popullit të Kosovës shpërtheu në përmasa të papara. Ushtri, polici, mjekë, psikologë, tifozë e qytetarë nga më të ndryshmit bënë e çka nuk bënë për të ndihmuar vëllezërit e tyre në Shqipëri. Sa më shumë lajme të këqija që vinin nga andej kufirit, aq më shumë mobilizohej ndihma nga kjo anë. Si të tjerët, edhe ne në organizatën tonë ditën e parë mblodhëm rroba e i dërguam deri në Shqipëri, ditën e dytë mblodhëm të holla e me to blemë artikuj të ndryshëm e i nisëm për në Shqipëri, e ditën e tretë (mbrëmë) u organizuam për të lehtësuar strehimin e të ardhurëve në Kosovë, meqenëse një fluks i madh i tyre veçse paralajmërohej.

Në sytë e mi, secili ishte një hero unik. Heronjë ishin ata që i ofruan shtëpitë e tyre, edhe më heronjë ishin ata që vinin e i mirrnin vet të ardhurit nga Shqipëria. Heronjë ishin ata që sillnin ndihma, e edhe më heronjë ishin ata që kishin shkuar drejtpërdrejtë në Shqipëri për të ndihmuar në terren. Kur ndërmjetësuam për ta strehuar një familje nga Durrësi në një banesë në Prishtinë, djali rugovas të cilit i’a dorëzova familjen 4 anëtarëshe mu duk si i dalë nga përallat. Edhe më hero ishte një nikoqir nga Fushë Kosova që e mori një pjesë të një familje 9 anëtarëshe aty për aty, madje me një vajzë të lënduar. E heroi më i madh ishte një mik i imi nga Prizreni, i cili u lajmërua vullnetarisht për ta drejtuar një autobus që po vinte nga Shqipëria, e që do të duhej të shpërndante të ardhurit nëpër disa hotele gjithandej Kosovës, varësisht si kishim mundur t’i kontaktonim e t’i gjenim vend. Tani që po shkruaj, ai ende nuk e ka dorëzuar pjesën e fundit të grupit, e me gjasë do t’i duhen edhe disa orë që të kthehet në shtëpi. Pjesa më e bukur e popullit tim po shpërfaqej, e kjo më bënte me kraaaahë!

Konfuzioni

Po afrohej mesnata dhe një autobus me të cilin kishim kontaktuar qysh në nisje nga Durrësi po vonohej. Duke shfrytëzuar lajmërimet publike në rrjetet sociale, kishim arritur që ende pa ardhur ata, t’i siguronim 50 vende strehimi për të gjithë në atë autobus. Krejt çka duhej ishte dikush që do t’i merrte ata nga kufiri dhe t’i orientonte nëpër lokacionet e ndryshme, për shkak që shoferi i autobusit nga Shqipëria nuk e kishte idenë e gjeografisë së Kosovës. Vetëm disa sekonda pasi që e bëra një ftesë publike në Facebook, një mik i imi u lajmërua vullnetarisht dhe e mori përsipër këtë. Problemet filluan kur e pamë që po vinin informata kontradiktore nga të gjitha anët. FSK thoshte që të gjithë të orientohen në kampin e Prizrenit. Përgjegjësit në Prizren na thoshin që të gjitha kapacitetet e tyre ishin mbushur, pra nuk kishin më asnjë vend. Policia i pyeste tifozët, para syve tanë, nëse kanë ndonjë informatë për të ardhurit nga Shqipëria?! Pikërisht kur autobusi “ynë” i’u afrua hyrjes së Kosovës, erdhi lajmi që autobusët ishin bllokuar në kufi! Mmmmm… por, duke garantuar për secilin nga 50 udhëtarët, u çbllokua edhe kjo situatë. Tani duhej që t’i prisnim e t’i sistemonim sipas marrëveshjes. Në disa hotele e shtëpi private.

Shembja

Kur ishte futur në autobus në kufi, miku jonë prizrenas me gjasë kishte nuhatur që vonesa edhe mund të kishte një arsye. Në një telefonatë të shkurtë, na tha: “Në autobus paska rom!” Edhe? As që na bëri përshtypje kjo informatë. Vazhduam me planin. Disa i morëm me makina në gjysmë të rrugës, e shumica vazhduan me autobus për në hotelet përkatëse. Kur zbritëm te njëra prej shtëpive nikoqire, reagimi i parë i pronarit ishte: “Hmmm… nuk e dita që bëhet fjalë për romë!”. Pas dy minutash, erdhi edhe telefonata e pronarit të hotelit të parë ku autobusi tashmë kishte arritur. Na kërkonte llogari pse i kemi thënë që janë familjarë, por i kishin dalur romë. Pas 10 minutash lutjesh, pranoi që t’i strehonte të paktën për sonte. Aty u vetdijësuam që një pjesë e konsiderueshme e autobusit ishin me romë, të cilët kishin mbetur pa kulm mbi kokë në Durrës. Tani jemi në pritje të telefonatës nga hoteli i radhës.

Kthimi në realitet

Nuk jam i sigurtë të them nëse i gjykuam pronarët e shtëpive dhe hoteleve. Më duket se jo. Përkundrazi, e pranuam si normal reagimin e tyre, ndërsa jonormal ishte kuptimi ynë që jemi duke ndihmuar njerëz të prekur nga termeti – po pra, njerëz. Ky kuptim ishte jonormal, sepse paniku i tragjedisë dhe euforia e solidaritetit masiv na kishte bërë të harrojmë qasjen e bashkëqytetarëve tanë ndaj këtij grupi. Ndoshta edhe efekti i “Mirësevjen Broo” ende ishte i freskët, të paktën në ndërdije.

Kisha harruar që kur isha në shkollë fillore e shoku im i ngushtë rom vinte për të fjetur te unë ose anasjelltas, kritikohesha nga disa anëtarë të familjes së gjerë. Edhe pse ai shok ishte më i bukur, më i pasur, më i pastër e më i sjellshëm se secili shok tjetër shqiptar (jo që janë kritere të vlerësimit për cilësinë e një njeriu/shoku, por fatkeqësisht shërbenin si bazë e tillë te shumica). Kisha harruar që asnjë nga shokët rom nuk kishin vazhduar shkollimin më lart, sepse “romët nuk e duan shkollën”. Kisha harruar që romët janë “lypës kujdestarë”, e shumë prej nesh as që e vërejmë këtë. Kisha harruar shumë e shumë gjëra nga përditshmëria me të cilat romëve u’a tregojmë vendin në shoqërinë tonë. Vend ky krejt në fund, për toke.

Pak më herët gjatë ditës i kisha uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Flamurit, duke konstatuar që ne si popull vazhdojmë të ndihmojmë, pa asnjë kusht. Por, në atë ekzaltim me mirësinë e bashkëqytetarëve të mi, me gjasë kisha harruar që një kusht edhe mund të ekzistonte.

Epilog…?

Pronarët që strehuan këta njerëz (në sytë tonë), pra romët (në sytë e tyre), edhe për një natë, i meritojnë falenderimet më të larta. Sepse u mundësuan 50 shpirtrave të lagur e të tmerruar që të paktën një natë ta kalojnë nën kulm, pa dridhje e në të nxehtë, pa pagesë. Të paktën një natë, sepse ditës së nesërme nuk i dihet. Tash po afrohet ora 6 e mëngjesit, dhe veçse duhet të mendojmë për ndonjë zgjidhje. Ndoshta nga shteti? Vështirë… nuk njihemi si shtet që i respekton shumë këto komunitete as nga ana institucionale. Të tjerë njerëz solidarë? Edhe mund të ketë, por mjaft vështirë, duhet të kërkojmë shumë, dhe atë t’i paralajmërojmë qysh në fillim se për kë bëhet fjalë (nuk po më besohet që po e shkruaj këtë, por nuk guxojmë të na përsëritet befasia e njejtë edhe nesër)… po pra, në vendin tonë është normale të mos e mirëpresësh dikë që e ka lëkurën me ngjyrë të ndryshme nga e jotja. Solidariteti ka racë. Ndoshta organizatat e shoqërisë civile – janë të ekspozuara vazhdimisht ndaj komuniteteve të ndryshme, pra janë më pak të prirur t’ua dallojnë ngjyrën e lëkurës. Ndoshta asnjëri. Apo të gjithë. Nuk e di.

Krejt çka di është që para se t’i godiste, termeti nuk e kishte pyetur askë se çfarë ngjyre të lëkurës kishin. I kishte çarë gjithë ato shtëpi për gjysëm. A thua shtëpitë e kujt më shumë?

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.