Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Kalda dhe mëkati i madh i ngjizjes

***

Në serinë e botimeve Letërsi Bashkëkohore nga Ballkani botuar nga Poeteka dhe Ideart, mund ta gjeni një libër që do të ju luaj mendtë e kresë. Quhet Kalda, histori nën lëkurë. Shkruar nga Edo Popoviç, i lindur në jugperëndim të Bosnje Hercegovinës por ama që gjallon ashtu si mund të gjallojë vetëm ai, në Zagreb. Po ta shohësh në përgjithësi letërsia ballkanike është fund e krye letërsi e zhgënjimit. E pamundësisë për të jetuar dinjitetshëm. Letërsi e shqetësimit. Dhe e mohimit të çfarëdo pritshmërie. Gjithnjë flasë duke u mbështetur tek kjo seri botimesh, krijuesit ballkanas janë të mbështjellur me lëvorën e tragjizmit. Dhe si të tillë realiteti i tyre e dëbon ose nuk ka nevojë fare për imagjinatë, në mënyrë që historitë e treguara të na joshin. Letërsia  bashkëkohore ballkanike është fund e krye nihiliste (kurrë nuk kam prekur librin e Niçes mirëpo shprehja është e duhur). Dhe nuk kërkon shteg për dalje nga kriza e fortë njerëzore. Ajo sall jep atë që është. Mungesën e lirisë. Ndërgjegjen sakate. Fajet. Parehatinë e popujve. Gabimet dhe humbjen e secilit në këtë lëmsh te egër human. Të turbulluar nga luftërat, të trishtuar nga rrënimi i së ardhmes, të shpërfillur nga sistemet, shkrimtarët ballkanik (e kam fjalën për ata që janë normal, që kanë shkërdhyer nacionalizma dhe vaki të tilla), mezi shpëtojnë nga kthetrat e çmendurisë. Duke adhuruar neutralitetin dhe duke hequr qafe përgjegjësinë. Dezertojnë nga jeta. Ata heqin dorë nga shëtitja nëpër rrugët e shëmtisë. Të bëhemi si ta. Në mënyrë që të qetësohemi dhe ta marrim vesh se çfarë na bën keq dhe pse gurgullon kaq shumë gjaku ynë i bollshëm. Si një riosh që jam përballë tyre, përpiqem t’i kuptoj. Dhe i nënshtrohem preokupimeve tyre letrare. Po të shtrembëroja fjalët e Popoviçit serioz për teket e mia, duket se këtu nuk ka më, as çfarë dreqin të ndiejmë. Të gjithë këta viktima të këtij realiteti, kanë zërin e tyre ngjashëm me tingullin e parë njerëzor. Por si duket barra jonë është më e madhe se e paraardhësve të lashtë.

***

Kalda, histori nën lëkurë është një rrëfim i shkëlqyeshëm mbi jetën e një fotografi me pikëpamje të errëta. Dëshpërimi i Ivan Kaldës duket se merr formë që nga çast i ngjizjes së tij. I hedhur padëshirueshëm këndejpari ai ngre krye mbi misterin e jetës. Dhe përdor grushtat mbi fytyrat njerëzore. Jo se është i dhunshëm. Por ngase ai beson se ashtu fillohet në jetë. Ai thjeshtë merr pozicione ngase mbron heroikisht radion, letrën e toaletit, zemrën, shpirtin apo shishen e birrës gjendur në frigoriferin e tij. Ivani qysh si fëmijë është i baktisur nga babai. Një kloshar absurd që endet kot shtigjeve të humbura. Më pas i lënë pezull edhe nga nëna, e cila përfundon në krahët e një ndihmës magazinieri që Kalda e nokauton, ai detyrohet të jetoj me dajën e tij.

Një homoseksual që parapëlqen ta ketë shpinën më butë se barku. Ivan Kalda është rob i barbarizmit të fatit. I ngujuar në një mes që fare nuk i takon shpërngulet në Gjermani dhe jeton si një punëtor krahu, zhytur në substanca që hapin portat e perceptimit. Por perceptimit i jep fund lufta. Dhe Kalda me aparatin e tij në dorë përjetëson njerëzit e pajetë, shtrirë si stërvina nëpër llogoret e luftës. Asgjë e mirë nuk i reziston dot budallallëkut dhe forcës së masës idiote. Imagjinata për një jetë të mirë është cilësi e vetmitarëve. Dhe me gjak në shuplakat e dorës ata përsëri lëmojnë fytyrën bastarde të asaj që rëndomtë e quajmë jetë. Ivan Kalda është mishërim i njeriut i cili kërkon funksionin e tij. Në një botë e cila sheh veten në pasqyrë dhe çmendet. Por ama letërsia mbetet letërsi. Kush po merret me të. Përderisa fëmijët ecin dhe nuk e dinë se çfarë i pret pas qoshes. Në mes tjerash nuk është mirë të shëndrrohemi në qenie vajtuese. Në fund të fundit një shi i madh do të bie.

 

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.