Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Mendoj, prandaj jam produktiv

U ktheve n’shpi, masdite apo vonë natën. Teshat i ndërrove, u ule në kauq edhe e more llaptopin për me kqyrë çka ka t’re në reddit. Kur rahatohesh, mendimi i parë që e ki është: “Khuu, sen s’bona sot..”, e përcjellë me një ndjenjë të letargjisë. E krahason çka ki punu sot me çka ishe dashtë (në mendjen tënde) me pasë punu – edhe e gjen veten tu menu që nuk e ki mrri idealin tënd. Në këtë mënyrë stresi i punës kurrë s’të len vet, e merr me veti kudo dhe në çfarëdo forme. Nëse nuk je tu mendu për qysh ke me i m’rri të gjitha qëllimet, ke me e dënu vetën për qysh po pushon kur kishe mujt me punu. Produktiviteti yt bëhet matësi i vlerësimit tënd personal.

Kur jeton në një botë ku qëllimi është prodhim e zgjerim i vazhdueshëm nuk është çudi që vlera kryesore e një qytetari është sa mundet me kontribu (lexo: sa produktiv është). Natyrisht, kur një punëdhënës fillon me kërku punëtor ai/ajo ka qef që me e marrë personin që mundet më së shumti punë me kry me pagën që po i jepet. Në sipërfaqe kjo konsiderohet tipar pozitiv i sistemit në të cilin jetojmë, askush nuk mundet me sukses me argumentu që është mirë mos me pasë dëshirë për me punu; n’fakt njeri ka nevojë që me pasë arsye pse zgjohet çdo ditë, koftë parja apo ni kauzë për të cilën po lufton.

Problemi shfaqet kur fillojnë shtytjet e vazhdueshme për rritje të efikasitetit. Nuk mjafton që një kompani të qëndrojë me një nivel, rritja duhet të jetë e vazhdueshme. Njëjtë edhe për ata që shtyjnë përpara ndryshime sociale; lufta kurrë nuk ndalet, vetëm intensifikohet. Kërkesat vazhdojnë të rriten për individin prej ambicieve personale ose shoqërore, prandaj edhe produktiviteti duhet të rritet. E nëse nuk i arrin pritshmëritë më të larta? Ndërrohesh apo dështon.

Presioni për të vazhduar një jetë produktive kryesisht vjen prej burimeve të jashtme – shoqëria, familja, etj. Zakonisht ato janë burime ndaj të cilëve nuk kemi kontroll, prandaj le t’fokusohem aty ku mundemi me ndrru diçka – kur presioni vjen prej vetvetes. Në doza normale mundet me qenë motivim i shëndetshëm, po, shkaku i rrethanave ne thellohemi në idenë e produktivitet si diçka që merr prioritet mbi shëndetin tonë mendor apo fizik. Këtu, pra, fillon problemi me perceptimin që u krijua.

Kur kthehesh në shpi e mbetë në mendime për qysh nuk ki punu sa duhet sot je tu lidhë vlerën tënde personale me çka ki prodhu brenda ni dite. Çka është ma keq, vlerësuesi kryesor i saj jemi ne, e shpesh herë mundemi me qenë pa mëshirë për vetveten. Vlerësimi ynë është i ashpër, pa u varë prej realitetit. Gjithmonë ka pasë mundësi pak diçka ma shumë me bo, pak ma shumë me e shty vetën drejt ndjenjës së plotësimit prej punës.

Po, ka disa persona që janë pak shumë të relaksum, e që kishin mujtë me qenë pak ma reflektues, po ekstremi tjetër është edhe më i dëmshëm për vetveten. Çdo pushim ndërprehet prej mendimeve e ndjenjave se qysh hala ma shumë duhet me bo. Pushtohesh prej mendimeve vetëkritike, e si pasojë besimi në vetën bie dukshëm; çdo hapësirë kohore që ka ekzistuar për vetëkujdesje fillon të zhduket, e në zbrastësirën që ka mbetë e gjenë vetëm duke punu ose duke mendu për qysh s’po punon boll. Çka është edhe ma ironike, përderisa shëndeti ynë mendor përkeqësohet edhe produktiviteti ynë bjen – dyjat e fusin njëra tjetrën në një cikël të pafund.

Është mirë që n’këto raste me pasë shoqëri rreth vetes që na njoftojnë se pasqyrimi jonë nuk e reflekton realitetin. “Pusho pak, e ki meritu.” edhe “Nale veten, ka me tu hargju benzina.” janë thanie t’mira për me na kujtu që ka sene të vlefshme edhe jashtë punës. Ndodh që pushimet tona, hobit e vogla apo kohët me miqtë s’janë të vlefshme për shoqërinë ku jetojmë, por janë për neve – kjo është më se në rregull. 

Padyshim se është mirë me pasë qëllim në jetë, po mos harro puna jote ose produktiviteti yt është vetëm një aspekt i kush je, krejt jemi më shumë se çka punojmë. Shpes herë kam ni njerëz duke u lavdu për “sa puntor je!”, njëherë kisha pasë qejf me e pa dikon tu degju ni lavdat për sa mirë dikush ka mujtë me u kujdesë për shëndetin e vet mendor.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.