Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Qëllimi i Përkthimit

A ka bërë gabim Fan Noli që vende-vende, në përkthimet e tij, ka shkuar përtej veprës origjinale? A ka kryer Noli një “mëkat letrar” kur e zhvendosi Don Kishotin në Shqipëri? Po kur i vendosi Hamletit fjalë të pashkruara nga Shekspiri? A duhet të lejohet përkthyesi që t’i japë përkthimit një ngjyrim të ndryshëm nga origjinali? Marr shkas nga rasti i Nolit dhe i shtroj këto pyetje për të drejtuar vëmendjen drejt përkthimit në vetvete.

Dua ta theksoj: Noli nuk ka gabuar aspak me ndërhyrjet vetjake në shqipërimet e tij. Më shumë se kaq: përkthimet e tij na kanë treguar vetë thelbin e përkthimit. Çdo përkthim është një rikrijim. Përkthimi është një zhvendosje në një gjuhë tjetër, me parakuptime të ndryshme. Përkthimi është një pasqyrim, një kthim nga një trajtë në një trajtë tjetër. Pasqyrimi asnjëherë nuk mund të jetë vetë gjëja që pasqyrohet. Si pasojë, qëllimi i pasqyrimit duhet të jetë pasqyrimi i vetvetes.

Ka një mendim të gjithëpranishëm se përkthimi duhet të shërbejë si një dritare e një kulture dhe gjuhe tjetër. Për shembull, Don Kishoti na jep një pamje për kulturën spanjolle. Prandaj, përkthyesi duhet t’i rrijë sa më afër origjinalit, se vetëm ashtu ne mund të kemi një pamje më të qartë të kulturës tjetër. Përkthyesi duhet ta shqipërojë çdo gjë, fjalë për fjalë, si në origjinal. Sipas kësaj pikëpamjeje, të shtosh diçka që nuk ndodhet në origjinal është mëkat vdekatar, t’i japësh përkthimit një ngjyrim jo të pranishëm në origjinal është gabim trashanik. Ky mendim për përkthimin si dritare ku mund të vështrohet kultura tjetër është i përkrahur gjerësisht nga burokratët dhe mjeshtrat e gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët gjejnë çdo rast për ta përdorur letërsinë si mjet politik për të vëllazëruar kombet. Letërsinë: këtë hyjni të humbur e të pakuptimtë që me zor lëviz vetveten.

Mendimet për përkthimin mund të ndahen në dy rryma të mëdha: në një anë, përkthimi që përqendrohet tek përpikmëria fjalë për fjalë ndaj origjinalit dhe në anën tjetër, përkthimi që përqendrohet tek përçimi i frymës së përgjithshme, edhe nëse kjo kërkon prekjen, “ndryshimin” e origjinalit. Fatkeqësisht, sot shumica janë të drejtuar vetëm nga saktësia dhe janë të burgosur tek interpretimi fjalë për fjalë i origjinalit.  Dallimi midis frymës dhe saktësisë në përkthim është një dallim i zbrazët. Ka vetëm një përkthim të arrirë: përkthimi që sjell një vepër të mirë në vetvete. Me vepër të mirë këtu dua të them se vepra arrin të sendërgjojë një gjithësi të mëveçme. Prandaj, përkthimi ose arrin ta shprehë frymën në tërësi ose është i vdekur dhe i copëtuar nëpër fjalë të përkthyera saktësisht.

Dua ta nënvizoj që në këtë sprovë jam duke folur vetëm për përkthime të veprave letrare, jo përkthime të veprave matematikore apo shkencore. Mbase pikërisht këtu qendron edhe problemi: në ditët e sotme kemi një zhvendosje të tepërt të mendimit tekniko-shkencor mbi çdo gjë. Aq të tepërt, saqë fillojmë e shikojmë edhe përkthimin e veprave letare si përfundimin e ndonjë hulumtimi shkencor. Përkthimi nuk është një vëzhgim i stërholluar dhe as një lidhje matematikore mes sendeve. Përkthimi duhet të rikrijojë një tërësi të mëveçme, të sendërgjojë një gjithësi në vetvete. Nëse nuk e arrin këtë, ka dështuar si vepër letrare.

Përkthimi nuk mund të jetë asnjëherë një dritare e kulturës tjetër. Atë ta jep vetëm origjinali. Synimi i përkthimit duhet të jetë shqipërimi i një vepre me aq ëmbëlsi dhe gjuhë aq të përplotësuar saqë të japë përshtypjen se vepra është shkruar fillimisht në gjuhën e përkthyer, e jo në gjuhën fillestare. Pikërisht, këtë ndjenjë më kanë dhënë Iliada e përkthyer nga Gjon Shllaku, Odiseja nga Pashko Gjeçi apo Epi i Gilgameshit nga Anton N. Berisha. I lexon tërë ëndje, jo sepse janë të sakta, por sepse janë sjellë në gjuhën shqipe mjeshtërisht. Me aq mjeshtëri, saqë shpesh të duket sikur veprat janë shkruar fillimisht në shqip. Edhe sikur dikush të dalë nesër e të tregojë se përkthimi i Anton N. Berishës ka pasaktësi, prapë përkthimi i tij ngelet një përkthim hyjnor, pasi ka arritur të krijojë një vepër të jashtëzakonshme brenda vetvetes. Vdekja e origjinalit, është ringjallja e përkthkmit të njëmend: vetëm ashtu mund të gjykohet vepra në vetvete. Nëse një vepër letrare nuk qëndron në vetvete, atëhere ajo është një vepër që nuk ia vlen të lexohet, – sado i saktë të jetë përkthimi. Poezia dhe letërsia nuk janë teori shkencore, ku përpikmëria është parimi që sundon mbi gjithçka tjetër. Në letërsi, shpesh, gënjeshtra është më e rëndësishme se e vërteta.

Një përkthim duhet të japë ndjesinë se vepra i përket gjuhës ku përkthehet. Vetëm atëhere mund të thuhet se ai përkthim është i arrirë. Prandaj, përkthimet e Fan Nolit i shikoj jo vetëm si përkthime të shkëlqyera të veprave origjinale, por edhe si një shprehje për vetë natyrën e përkthimit. Përkthimi është një rikrijim që shpreh vetveten si një gjithësi e mëveçme. Përkthimi nuk duhet të kufizohet nga interpretimi fjalë për fjalë i origjinalit. Përndryshe, vepra humb aftësinë që të flasë e të bashkëbisedojë me ty.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.