Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Sporti për burra

Ilustrimi: Big Eye

Portalet tona janë vërtetë të pasura me lajme sportdashëse. Rubrikat e sportit pasqyrojnë kulturën e flaktë sportive të shtetit të ri. Vetëm se, kur duam të mësojmë rreth të rejave nga sporti, vështirë të gjejmë lajme tjera përveç futbollit. Sigurisht që futbollit, dhe pse jo futbollit?!

Ne mundohemi ta promovojmë futbollin kombëtar. Kur futbolli kombëtar nuk jep material të mjaftueshëm për t’i mbushur rubrikat informative, atëherë promovojmë futbollin ndërkombëtar. Hapësirat kryesore në kategorinë e sportit mbulohen me tituj si “Cili lojtar ka parë ëndërr që do të blihet nga ky ekip?”, apo “Me kë po lahet në det këpuca e artë?”

Dashuria jonë ndaj sportit shkon akoma më larg. Kultura sportive është aq e pasur saqë ne nuk kemi informata sa sportistë kosovarë marrin pjesë në Lojëra Olimpike sivjet, apo që vajzat e kategorisë U16 shkojnë në gjysmëfinalen evropiane të basketbollit. Nuk kemi informata as kur një atlete nga Kosova fiton kampionatin botëror për U20 në disiplinën 400 metërshe në Poloni. Këto informata nuk i kemi sepse hapësirat kryesore mbushen me lajme që i ushqejnë bisedat e bastoreve sportive.

Për ironi, problemi nuk qëndron vetëm te kultura sportive që promovohet. Problemi nuk është as te portalet tona që nuk dinë për sport tjetër përveç futbollit. Fundja, ky është sporti i cili Kosovës i ka sjellë shumë medalje. Prit pak, futbolli apo xhudo?! Nejse. Problemi kryesor është te përjashtimi i grave nga rubrikat sportive me lojën jo-fairplay të portaleve.

Në ditën kur vajzat kosovare U16 luanin për vendin e tretë në basketboll kundër Maltës, nuk gjindeshin në asnjë rubrikë. Po atë ditë, i vetmi lajm sporti që kishte të bënte me gra titullohej “Ekipi seksi i SHBA-së në Lojërat Olimpike”. Natyrisht që lista e sportistëve nga Kosova që marrin pjesë në Lojëra Olimpike në Rio dominohet nga gra të cilave nuk ua dimë as emrat. Nuk ua dimë emrat, por e dimë se “Çfarë i ndodhi Suarezit në zhveshtore”. Artikulli më i klikuar ky, së bashku me fotografinë e trajnerit gjerman që fut gishtat në hundë.

Sidoqoftë, sportistet tona nuk injorohen përgjithmonë. Ato injorohen deri në ditën kur fitojnë ndonjë titull botëror dhe atëherë fillon gara e portaleve për ta glorifikuar fituesen. Të kujtojmë sa shpesh zinte hapësirë Majlinda Kelmendi në portalet tona deri sa ajo përfaqësoi Shqipërinë në Olimpiadën Verore në Londër. Lëre që nuk zinte më shumë se një katror të vogël diku nën hije të rubrikës së sportit, por vendosej në fokus për “humbje qesharake” nga një garuese më e dobët. Kur Majlinda e bëri Rusinë ta vendosë flamurin e Kosovës dhe ta intonojë himnin e shtetit që nuk e njeh, atëherë dhe vetëm atëherë portalet tona e vendosën Majlindën para Murinjos.

Sigurisht që futbolli është sporti më i dashur ndërkombëtarisht dhe kombëtarisht, dhe është fjala për futbollin e burrave. Por nuk është futbolli i vetmi sport i dashur. Dhe nuk janë sportet veç për burra. Kryesisht medaljet e sukseset e deritanishme në Kosovë u takojnë grave. Përkundër mbështetjes së paktë morale e financiare, promovimit e tifozllëkut të munguar, suksesi ka ardhur nga gratë. Por si duket kjo nuk mjafton që gratë të zënë vend në hapësirat e surprizave sportive të portaleve. Ndonjëherë, u ofrohet pak vëmendje për veshje ose reklamë produktesh, por jo për t’i mbështetur e fuqizuar.

Ta kemi të qartë që Nora, Majlinda, Vijona dhe Distria nga ekipi jonë olimpik kanë korrur sukses edhe pa vëmendjen tuaj. Ato i sjellin medaljet në Kosovë edhe pa mbështjeten tuaj me shkrime bombastike. Për këto lajme kanë nevojë sportistët e rinj e sportistet e reja që kërkojnë model e inspirim.

Për model ka nevojë një dhjetëvjeçare që bën stërvitje me atlete të shqyera në një sallë gati të rrënuar. Për inspirim ka nevojë një vrapuese që mbi supe mban presionin e përfaqësimit dinjitoz të Kosovës në Rio. Për inspirim kanë nevojë të gjithë, ashtu siç Evropa pati nevojë ta shohë Islandën e vockël t’i përmbysë gjasat e lojtarëve të mëdhenj në Kampionatin Evropian.

Inspirim është të shohësh të vegjlit, të panjohurit e të papërfaqësuarit t’i përmbysin gjasat. Nuk na inspiron villa ekzotike e Suarezit, por na inspiron një notuese si Rita Zeqiri që notin e ka mësuar në Kosovën tonë të vogël. Na inspirojnë Urata, Vijona, Majlinda, Rita e Nora, të cilat faktin që nuk përfaqësohen në portale e mposhtin duke na përfaqësuar në Rio 2016.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.