Nacionalizmi është kthyer, por askush nuk duket se e di se çfarë do thotë. Një ese i harruar që shënon 40 vjetorin mund të na ndihmojë.
Artikulli origjinal në Foreign Policy
Në tubimin e mbajtur në Hjuston më 22 tetor, presidenti Donald Trump mori brohoritjet më të zëshme kur përdori ‘fjalën me n,’ një tjetër fjalë që figurat e respektueshme publike nuk do të duhej ta përdornin. Duke ngacmuar publikun e tij fytmadh, Trump-i kakariti: “Përnjemend? S’duhet ta përdorim atë fjalë? Pas një pushimi të shkurtër, klithi: “E dini çfarë? Unë jam nacionalist. OK? Unë jam nacionalist.”
Natyrisht, turma buçiti ndërkohë që komentatorët bluanin në mendje domethënien e fjalës. Çfarë do të thotë, saktësisht, të jesh nacionalist? A përmban të njejtin kuptim për ata që çirreshin me aprovim për Trump-it apo, sa për atë punë, për ata që vajtuan ndikimin e tij në politikën Perëndimore? Përgjigjja është shumë ashiqare jo – por shumë pak ashiqare është në e kupton qartë secila palë se çfarë është kombi.
Udhëzuesi më i mirë për ballafaqimin e tashëm me nacionalizmin ngjan të festojë 40 vjetorin e lindjes. Më 1978, shkencëtari i njohur politik dhe historiani i ideve Isaiah Berlin botoi “Nacionalizmi: Shpërfillja e kaluar dhe pushteti i tashëm,” [Nationalism: Past Neglect and Present Power] shpjegimi i tij përfundimtar dhe më i plotë për nacionalizmin. Berlin-i provoi të kapte drejt atë që e quante “lëvizjen e vetme më të fuqishme të gjallë në botën e sotme.” Ajo është një lëvizje e tillë, paralajmëronte Berlin-i më fjalë që sot kumbojnë, që për ata të cilat dështuan së parashikuari rritjen e saj “paguan çmimin me lirinë e tyre, ç’është e vërteta, me jetët e tyre.”
Për Berlin-in, interesantja me nacionalizmin është që atij ende i duhet të flasë për të në mes të shekullit të 20-të. Kur u shfaq së pari në skenën europiane – dhe kjo skenë rajonale, thënë të vërtetën, qe e vetmja që vërtet i interesonte Berlin-it – as aktorët as publiku nuk parapriten që do të vazhdonte për një kohë të gjatë. Vëshguesit liberal në veçanti e nënvleftësuan nacionalizmin si fazë kaluese – një reagim ndaj sundimit despotik të froneve e altareve mespërmes kontintentit. Sapo këto gjurmë reaksionare të së kaluarës së errët të ktheheshin thjesht në garderobë, roli i nacionalizmit do të bëhej i tepërt.
Megjithatë, mes shumë izmave të formuara në vatrën e Revolucionit Francez, nacionalizmi u dëshmua të ketë jetëgjatësinë më të madhe. Prej komunizmit te totalitarizmi, socializmit te liberalizmi, ai është izmi më i madh që ka mbetur. Për Berlin-in, burimet e kësaj qëndrueshmërie kanë bazë në vet natyrën tonë. “Dëshira për t’u bërë pjesë e një komuniteti apo ndonjë lloj njësie, e cila … ka qenë kombëtare në 400 vitet e fundit,” thotë Berlin-i, (http://berlin.wolf.ox.ac.uk/lists/nachlass/probnati.pdf), “është nevojë ose dëshirë bazike njerëzore.” Për Berlin-in, ky është më pak një argument se sa pranim – thënë troç, kjo është mënyra se si jemi të ndërtuar. Nevoja për komunitet është rrembi i përbashkët që kalon nëpër drurin e shtrembër që përbën njerëzimin.
Sa për përkufizimin e nacionalizmit, Berlin mund të tregohej po aq i vështirë për t’u mbërthyer sa edhe vet koncepti të cilin e ndiqte. Madje, edhe kritikët e tij përkrahës vërejtën se mund të binte në kundërshti me veten jo vetëm nga një artikull te tjetri, por ndonjëherë edhe përbrenda artikullit të njejtë. Për më tepër, Berlin-i nuk ofroi taksonomi aq sa ofroi tregime. Shkrimet e tij mbi nacionalizmin, me kaskadat e tij të njohura të fjalive dhe nënfjalive janë diskursive dhe shpesh digresive. (Pa dyshim se Berlin-i do të pajtohej me pohimin e Herodotit se digresionet e tij të shumta janë historia e tij.) Në fund, si student i nacionalizmit, ai ishte më rehat në shoqërinë e atyre që mendonin dhe shkruanin rreth nacionalizmit se sa me ata që thirreshin e vepronin në bazë të tij.
Sido që të jetë, Berlin-i paraqet një shqyrtim përgjithësisht koherent të nacionalizmit, që ai e ndërton prej pohimeve themelore. Së pari, nacionalizmi pretendon se të gjithë qeniet njerëzore i përkasin grupeve të posaçme, të cilët për nga mënyra e jetesës – gjuha, zakonet dhe kultura – dallojnë nga njëri tjetri. Rrjedha logjike me e rëndësishme e kësaj është se anëtarët e këtij grupi thjesht nuk mund të kuptohen jashtë grupit që i ka formuar dhe zhvilluar. Së dyti, e portretizon grupin si një lloj organizmi biologjik, zhvillimi dhe qëllimet e së cilit janë të qëmotshme. Në rast se grupi përballet me vlera të caktuara që nuk janë të vetat, vlerat e tyre duhet të ngadhnjejnë.
Si pasojë – dhe ky është pretendimi i tretë – nacionalizmi deklaron që besimet dhe parimet e këtij grupi duhet të privilegjohen pikërisht ngase janë të këtij grupi. Nuk ka standard më të lartë a më të madh. Krejt në fund dhe në mënyrë vendimtare, pohon se një grup ka të drejtë të detyrëojë grupet tjera t’i nënshtrohen në rast se konfliktuohen me të. “Asgjë që pengon atë që unë e njoh si qëllimin suprem timin – do të thotë, të kombit tim – nuk mund të lejohet që të ketë vlerë të barabartë me të,” shkruante Berlin-i.
Nga vetia e parë në të katrën, Berlin-i pak a shumë udhëton distancën mes asaj çfarë mund t’i quajmë nacionalizma dashamire dhe dashakeqe. Filozofi i parë i vërtetë i nacionalizmit, e mbase edhe i vetmi, Johann Gottfried Herder, të cilin Berlin-i e kishte pikë të dobët, i dha zë formës më të dashur e më fisnike të nacionalizmit. Duke qenë shok i romantikëve e armik i racionalistëve, si dhe njeriu që sajoi termin “nacionalizëm” – Nationalismus – Herder-i përshkruajti njerëzimin si mozaik shkëlqyes i popujve, secili i mbrujtur me vlerat dhe botëkuptimet e veta të posaçme dhe secili i entuziazmuar nga prospekti i bashkëjetesës paqësore. Për të, grupi nuk përkufizohej nga gjaku apo raca, por nga një gjuhë e histori e përbashkët.
Sido që të jetë, i zënë në kthesat ideologjike të 1848, nacionalizmi i Herder-it pati jetëgjatësinë e një mize pemësh. Në mënyrë bukur të shpejtë, kushëriri i tij dashakeq u bë mbizotërues i çështjeve europiane, dërrmoi kontinentin përgjatë pjesës së parë të shkeullit 20 dhe tash, pas 50 vitesh pushim, kërcënon ta zhbëjë Bashkimin Europian dhe për një masë të mirë Shtetet e Bashkuara. Çfarë ndodhi? Për Berlin-in, përgjigjja gjendet në metaforën e thuprës së lakuar. Me këtë figurë, ai ndërtoi rastin për atë që tash mund ta quajmë “kundërplasje kulturore” – akumulimi i ngadaltë i lëndimeve e ofendimeve reale a të imagjinuara të një grupi të posaçëm, i cili në rastin kur faktorët ekonomikë, politikë dhe kulturorë përkojnë me njëra tjetrën, shpërthen në dhunë të ashpër e të papritur.
Siç pranohet, Berlin nuk qe gjithmonë konsistent në qëndrimin e tij ndaj nacionalizmit. Me raste, ai duket ta pranojë, jo ta përqafojë, përderisa në raste të tjera ai e krahason jo për të mirë me atë që ai e quan “vetëdije kombëtare.” Përderisa kjo e fundit është një fakt i ekzistencës njerëzore, besonte ai, e para është një “gjendje patologjike.” Duke u shërbyer me një tjetër metaforë, ai e përshkruante si “gjendje të vetëdijës së plagosur,” e tillë që sulet ose ndaj armiqve të vërtetë ose ndaj atyre imagjinarë. Në të tjera raste, megjithatë, ai duket se beson se nacionalizmi, të paktën në variantin e tij tolerant të asociuar me Herder-in, nuk ishte vetëm i pashmangshëm, por edhe i vlefshëm.
Jo më pak i rëndësishëm është fakti që Berlin-i argumentonte se përderisa demagogët mund dhe do të eksploatojnë vetëdijën e plagosur, nuk janë ata që e kanë shpikur. Këto plagë janë pasojë e ritmit të egër të ndryshimeve financiare, teknologjike e shoqërore në demokracitë liberale. Politikanët ambiciozë të cilët pozojnë si nacionalistë ose popullistë nuk shkaktojnë plagë të tilla por i përndezin ato për qëllimet e veta. Ata që Berlin-i i quajti “popullistët falso” [“faux populists”] kërkojnë të krijojnë (http://berlin.wolf.ox.ac.uk/lists/bibliography/bib111bLSE.pdf) “regjim elitist ose të pabarabartë në aspektin shoqëror ose racor, që është tërësisht në mospërputhje me egalitarizmin themelor, nëse jo vëllazërinë, atëherë gjithsesi egalitarizmin pasionant të lëvizjeve të vërteta populliste.”
Së bashku me Richard Hofstadter-in, Berlin-i kuptoi më herët se shumë të tjerë mërinë në rritje të qytetarëve kunderjt elitave kozmopolitane. Në një konferencë të vitit 1966 dedikuar popullizmit, Berlin vuri në dukje armiqësine e asaj që vetëm së fundmi u emërua si “shumica e heshtur” ndaj “qytetërimit të tepër të Bregut Lindur, kapitalizmit të saj të centralizuar, Wall Street-it, kryqëzimit të formave të arta, të shkujdesura, të sjellshme e të qeta të sjelljeve të pasinqerta në anën e profesorëve të Harvard-it e Yale-it, apo anëtarëve të Departamentit të Shtetit.”
Në shikim të parë, pozicioni i Berlin-it mban erë ironie. Në fund të fundit, vet jeta e tij, si personalja ashtu edhe profesionalja, ishte dukshëm kozmopolitane. Prapë se prapë, ai përbuzte kozmopolitanizmin si pretendim “të zbrazët”. Njerëzit, ngulmonte Berlin-i “nuk mund të zhvillohen nëse nuk i përkasin një kulture”. Në këtë kuptim, Berlin-i mund të kishte konkluduar se të vërtetat e vëtëkuptueshme të Deklaratës së Pavarësisë janë homazhi që partikularizmi amerikan i paguan univerzalizmit filozofik.
Por ky qëndrim nuk e bëri Berlin-in konservator – ose, në fakt, e bëri atë konservator po aq të çuditshëm sa edhe liberal. Ndërkohë që ishte thellësisht skeptik ndaj mulitikulturalizmit, ai përqafoi pluralizmin e vlerave që pohon se vlerat njerëzore nuk rrjedhin të gjitha nga një burim i vetëm. Në të vërtetë, vlerat janë gati po aq të larmishme sa edhe popujt dhe si pasojë shpesh “të pakrahasueshme” [“incommensurable”] me njëra tjetrën – një prej fjalëve më të dashura të Berlin-it. Nacionalizmi, besonte ai, nuk ka nevojë të jetë dashakeq. Për të njejtën arsye, liberalizmi nuk ka nevojë të jetë i verbër ndaj nevojës njerëzore për t’u njohur si anëtarë të diçkaje më të madhe se individi dhe zemërimit që qelbëzohet kur kjo njohje mohohet.
Përfundimisht, Berlin-i besonte se ilaçi për nacionalizmin është më shumë nacionalizëm. Megjithatë, jo format e mbyllura dhe agresive të nacionalizmit politik që po vlojnë tash në Perëndim, por nacionalizmi i hapur dhe defanziv i mishnuar prej Herder-it. Kjo formë e nacionalizmit liberal, ose qytetar ose kushtetues, i marrë më pas prej mendimtarëve si Jurgen Habermas, ngulmon në rëndësinë ekzistenciale të individit që identifikohet me një grup të përkufizuar nga gjuha dhe vlerat e përbashkëta, por gjithashtu ngulmon në rrezikun ekzistencial të shndërrimit të kësaj ndjenjeje të përkatësisë në refleks të të urryerit të grupeve të tjera.
Është një pyetje e hapur se a mund të ndërtohet një urë drejt kësaj forme dashamire dhe të mbarë të nacionalizmit, draftuar nga Herder-i e zhvilluar nga Berlin-i, në një kohë të lemeritur nga tehu i mprehtë i joliberalizmit dhe nacionalizmit që po rropos Amerikën dhe Europën. Sidoqoftë, çfarë nuk vihet në pyetje është parashikimi i vërejtjes së fundit të Berlin-it: “Pak gjëra kanë bërë dëm më të madh se besimi në anën e individëve apo grupeve (klaneve, apo shteteve apo kombeve apo kishave) se ai ose ajo ose ata janë të vetmit që posedojnë të vërtetën.” Natyrisht, truku nuk është vetëm të bindësh grupet e tjera për këtë pohim por edhe grupin tënd poashtu.
***
Robert Zaretsky është profesor i historisë në Universitetin e Hjustonit dhe autor i librit Katarina dhe Diderot-i: Perandoresha, Filozofi dhe Fati i Iluminizmit [Catherine & Diderot: The Empress, the Philosopher, and the Fate of the Enlightenment.]
Përktheu: Bardhi Bakija