Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Të prekshëm dhe të paprekshëm

Ky asht nji tregim për nji grue, e cila nën frikën e zhurmave të luftës prej larg dëgjon piskamat e tmerrshme të disa burrave që po i afrohen shtëpisë së saj. Në shtëpi ajo asht me fëmijët e saj dhe nanën. Nanën plakë, vajzën e mitur dhe djalin e vogël që s’po flen në djep. Mbyllni sytë dhe paramendojini ata burra të armatosun, tue këndue e tue piskatë qysh po i afrohen derës së shpisë. Nuk ka trokitje, nuk ka pritje. Ata futen brenda tue bërtitë e tue qeshë. Ajo nuk ua kupton gjuhën, por ua kupton fytyrat dhe forcën që ndiejnë, e ma së shumti i kupton gjunjët e saj që dridhen prej frikës dhe që nuk ka çka me ba. Ata i afrohen asaj, njani ia kap fytyrën me dorë dhe ia shtrydhë faqet deri në asht, tjetri ia kap gjinjtë dhe ia shtrëngon me forcë e ajo të vetmen dhimbje që ndien asht vajza e saj e re, nana plakë dhe djali në djep që ka net që nuk po flen.

E kapin zhag dhe e çojnë në njanën prej dhomave. Të tjerët qeshin dhe i vërsulen vajzës. Vajza bërtet, por kjo grue nuk ka çka me ba, as me shpëtue vajzën, as nanën, as djalin në djep që ka net që nuk po flen. Djali qan. Njani prej burrave të armatosun i afrohet dhe e „përkund” me nji shkelm. Djepi rrotullohet bashkë me të edhe djali, që tash qan edhe ma shumë. Dy krisma. Djali pushon. Në dhomën ku e futën atë, ajo e din që djalin ia vranë. Ajo vdes aty, por trupi vazhdon me dhimbtë. Përderisa ata ia zhveshin rrobat prej trupit, tue ia çkye lëkurën në trup ajo lutet për za, don me bërtitë në kupë të qiellit, por trupi i asht mpi, zani i asht mbytë në fyt, ajo ulërin me shpirt por nuk e dëgjon askush.

E përdhunon i pari, pastaj i dyti, pastaj i treti, dhe secili kafshon ku të mundet, secili e pret ku të mundet. Paramendojeni nji burrë tue e përdhunue nji grue. Ajo ia ndien erën atyne trupave mashkulli që i vërsulen mbi të sajin, ajo e ndien shtrëngimin e duerve që e lidhin dhe jargët e tyne tue i ra mbi lot. Ajo don me u çmendë por nuk mundet. Ajo don me u lirue, por liria asht iluzion. Prej dhomës dëgjon piskamat e vajzës së saj në dhomën tjetër. Nanës zani nuk po i ndihet. Duhet ta kenë vra edhe atë. Paramendojeni nji grue tue u përdhunue, prej nji, dy, tre … burrave, dhe pastaj prapë tue u përdhunue prej nji, dy, tre … burrave, trupi i saj i mavijosun tue u mundue mu zhdukë para syve të tyne dridhet dhe lahet në gjak. Tani paramendojeni këtë grue si gruen tuej, nanën tuej, motrën tuej, bijën tuej.
Jepni fytyrë kësaj grueje. A po e shihni? A po e shihni tue jetue në mesin tonë?

Tashti paramendojini politikanët tanë tue mbajtë fjalime për padrejtësinë që i asht ba kësaj grueje dhe për drejtësinë, që nuk do t’i jepet kurrë, sepse tregimi i saj sot asht veç armë e mirë politike në gojë të interesave partiake, sikur që ishte dje përdhunimi i saj instrument lufte. Dhe pastaj pyetni veten kush ka faj dhe tregoni me gisht kah vetja, ju lutem!

Tashti kur ta keni paramendue atë grue, si gruen tuej, motrën tuej, bijën tuej, nanën tuej, paramendojeni sikur ajo të jetë nji grue serbe. E baba juej të ishte burri që e përdhunoi! Paramendojeni atë, sikur të ishte nji vajzë rome e djali juej të ishte burri që e përdhunoi! A po e ndieni brenda vetës të njejtin mllef o njerëz? Sepse nëse jo, aty e keni arsyen pse gratë e përdhunueme gjatë luftës, kudo që janë në botë, nuk do të marrin kurrë drejtësinë që u takon. Sepse, çka sot definohet si krim ndaj njerëzimit, nuk do të ndëshkohet si i tillë, përderisa njerëzimi nuk e kupton se grueja që sistematikisht përdhunohet nëpër luftëna nuk asht viktimë civile e rastit, por çdo herë viktimë e nji instrumenti sistematik ushtarak dhe ndëshkimi i dhunuesve duhet me qenë në radhë të parë ndaj atyne që legjitimojnë këtë instrument, qoftë edhe tue heshtë.

Në Kosovë asht raportue nga organizata të ndryshme që rreth njëzetmijë gra e vajza të reja janë përdhunue gjatë luftës. Deri sot ato nuk e kanë pa asnji fije drejtësi me sy. Ligji që parasheh me i ofrue përkujdesje grave të përdhunueme gjatë luftës, sot e kësaj dite nuk asht miratue dhe ndër argumentet kryesore kundër miratimit asht thanë se ekziston frika që: „ka me u rritë numri i viktimave të dhunës seksuale për shkak të përfitimit financiar.“

Qysh po duem m’e arritë nji fije drejtësi, qysh po duem me mbërri aty kur nji ditë dikush na kërkon falje për krimet e bame ndaj nesh, kur ne po vazhdojmë vetë me paturpsinë ma të madhe të mundshme me ba krime ndaj këtyne grave?

Mungesa e përkujdesjes institucionale nga shteti i Kosovës për gratë e përdhunueme gjatë luftës sot e shtatëmbëdhjetë vite, barazohet me mungesën e ndëshkimit të këtyne krimeve nga gjykatat ndërkombëtare përballë asaj që quhet drejtësi, sepse kjo injorancë e jona dhe ajo e botës ndaj vuejtjes së këtyne grave asht krim në vetvete dhe do të pengojë ndërtimin e shëndoshë të paqes e do të viktimizojë edhe gjeneratat e ardhshme me nji narrativë të shtrembënueme politikisht për interesa partiake, tue shndërrue viktimën në heroinë, përderisa krejt çka ajo dëshiron të jetë asht nji arsye ma shumë për ndërgjegjen njerëzore me i thanë luftës „kurrë ma“!

Jemi tue dështue me e ndërtue këtë shtet, sepse sot, − shtatëmbëdhjetë vite mbas luftës, − ne akoma nuk thamë asnjiherë “kurrë ma luftë”. E kemi harrue paqen si synim. Kemi vendosë me lavdue luftën. Atë luftë, në të cilën nuk kishte kurrgja të lavdishme. Atë luftë, në të cilën u përdhunuen rreth njëzetmijë gra e vajza; atë luftë, në të cilën u masakruen edhe fëmijët; atë luftë, e cila nuk na ktheu akoma eshnat e vëllezënve, baballarëve, fëmijëve tanë.

A e keni pa qysh mbas çdo lufte, nji grusht njerëzish bahen milionerë shumë shpejt? Të tillët zakonisht këtë karrierë e fillojnë gjatë saj. Paramendojeni sikur njerëzimi me e transformue luftën në
diçka tjetër. Sa për hatër të argumentit: Për shembull konfliktet që dështojnë në prehën të diplomacisë me i zgjidhë tue luejtë futboll. Thjesht si ide. Në vend se me vra njerëz, me shutue nji top dhe aty-këtu me lëndue ndoj gjymtyrë të kundërshtarit. Por jo, njerëzimi ma përpara e shndërron futbollin në luftë. Sepse, lufta asht tregti.

Ma fitimtarët prej çdo lufte, dalin tugjart. A po i njihni të tillët në mesin tonë? Disa bile shiten si patriotë. Pas çdo lufte, të tillët natyrisht do të shkojnë të parët me u përkulë para përmendoreve e vorreve, natyrisht me forcën e dëshmisë. A i keni pa qysh gjunjëzohen para vorrit të Adem dhe Hamëz Jasharit? I keni pa, sepse nuk e bajnë kur nuk i shihni. Ata kujdesen shumë që ju me i pa. A e keni pa qysh u duket vetja e barabartë me ta kur gjunjëzohen para tyne? Përkulen para të mëdhenjve, me u dukë vetë të mëdhenj. Nderojnë të mëdhenjtë, që me u nderue ata vetë. Por vlerën ia dinë veç vetes.

Nuk përkulen para vorreve të fëmijëve, as të fëmijëve të Jasharëve e as të të tjerëve. Vorret e fëmijëve nuk çojnë peshë, vorret e fëmijëve flasin çka ata nuk duen me ndi. Ato thonë „kurrë ma luftë“. Por politikanëve s’u konvenon nji popull që jeton e vepron për „kurrë ma luftë“. Prandaj mbajnë gjallë emocionet tueja me retorikë patriotike, të të lavdishmëve dhe heronjve, të të pavdekshmëve dhe shenjtëve. Ndërkohë që neve na kalon para syve fakti që rreth njëzetmijë gra të përdhunueme gjatë luftës, nuk kanë përkujdesje shtetnore sepse, dikush në qeveri tutet që mundet me u rritë numri i viktimave të dhunës seksuale për shkak të përfitimit financiar.

Neve na servohet para syve fakti që aeroporti i Prishtinës shkruhet  „Pristina…“ edhepse mban emnin e Adem Jasharit, sepse „Sh-ja“ jonë s’qenka mjaft internacionale, por ama kur „vemi o vemi“ nuk harrojmë me u fotografue te përmendorja para aeroportit që mundohet me qenë shqiponjë, por në realitet asht veç nji shpenzim kot financiar me ushqye mburrjen patriotike, pikërisht nji prej atyne shpenzimeve që ka mujtë me shkue në xhirollogari të nji grueje të përdhunueme gjatë luftës, por nuk ka shkue. Sepse, përmendoret shihen. Nuk isha çuditë, nëse nesër edhe mbiemnin e Ademit nuk e shkruejmë Jashari, por Jasari.

Sepse, të „çnderueme“ gra të përdhunueme gjatë luftës, kjo botë ndahet në të prekshëm e të padukshëm, sikur ju, dhe të paprekshëm e të dukshëm sikur politikanët tanë. Në mes ka vetëm hije, sikur na dhe të dekun.

Të gjitha grave të përdhunueme gjatë luftës, secilës prej atyne rreth njëzetmijë, sot u them, na falni që përdhunimi juej që asht „nderi“ i lënduem i jonë, mbetet dhimbje veç e jueja. Ndërkohë që sa për nder, na jemi harxhue moti dhe kemi kompensue ku kemi mujtë. Aty-këtu ndoj kangë kuqezi; aty-këtu ndoj përmendore me krahë shqiponje; aty-këtu ndoj dron në mes të Beogradit, e juve ua kemi lanë dhimbjen që po ua mbushim me heshtje dhe turp çdo ditë.

T’kishte pasë vorr dhimbja e juej, ndoshta ishim përkulë para tij sa për ndoj fotografi, por përmendorja mbi të, − të jeni të sigurta, tue qenë se jeni gra të përdhunueme − nuk kishte me qenë shumë e madhe, sepse fundi i fundit nuk kemi dëshmi që keni qenë njimend të përdhunueme.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.