Pjesën e parë mund ta lexoni këtu.
Fjala e shkruar dhe profetët e apokalipseve
Gjatë të 90-ave, njerëzit në Kosovë librave, gazetave e përgjithësisht gjërave të shkruara u kanë mveshur njëlloj fuqie gati mitike. Botimi i revistës politike Alternativa u zhvendos në Lubljanë, ngase për shkak të qëndrimeve kritike ndaj politikës zyrare, botimi në Kosovë ishte i pamundur. Mirëpo, ajo vinte në Kosovë ilegalisht, siç vinin asokohe edhe shumë produkte të tjera, të cilat, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Jugosllavisë, nuk gjendeshin më në treg. Po të kapeshe me Alternativën, mund ta pësoje pak a shumë ngjashëm sikur po të kapeshe me një armë zjarri. Megjithatë, Alternativa gjendej, qarkullonte e lexohej dorë më dorë. Njerëzit blinin gazetat e revistat dhe pasi i lexonin mirë e mirë, i ruanin e i arkivonin. Ishin dy gazeta ditore të cilat lexoheshin gjerësisht, Bujku dhe Koha Ditore. Kjo e fundit ishte gazeta e parë e pavarur në Kosovë.
Veprimtaria botuese, edhe e gazetave e librave, gjatë të 90-ave, ishte tkurrur e reduktuar skajshmërisht dhe kjo tkurrje ua kishte shtuar urinë njerëzve për fjalën e shkruar. Njerëzit u obsesionuan pas ruajtjes së gazetave të përditshme dhe kjo duhet të jetë padyshim nisma më e madhe e arkivimit privat në historinë e njerëzimit. Tavanët e shtëpive, bodrumët dhe kudo ku kishte pak hapësirë, u mbushën me gazeta. Ishte kjo një përpjekje biblike për ta prezervuar historinë që po ndodhte para syve të njerëzve. Fjala nuk kishte më peshë, nëse ajo nuk ishte e shkruar. Dhe ishte fjala e shkruar ajo që duhej t’i kundërvihej territ informativ që kishte kapluar vendin, por duhej t’i kundërvihej edhe rrëfimeve e miteve urbane që nisën të qarkullonin, për ca pleq të arrirë a profetë, që shfaqeshin urave të drunjta, udhëve të shkreta, apo mëngjeseve të hershme dhe që jepnin parashikime ogurzeza për luftën që do t’ishte një kasaphanë... Këta pleq legjendash, shfaqeshin krejt papritur, në intervale të ndryshme kohore dhe rrëfimet e profecitë e tyre që bartnin tek ne të gjallët kishin në vete fjalë të frikshme: gjak, luftë, kasaphanë, zjarr, rrafsh me tokë, shpërngulje, apokalipsë, nëna që qajnë, fëmijë të mbetur jetimë, xhami e kisha të shembura, fusha me varre e male të djegura…
Tmerri i luftës po jetohej e përjetohej akoma pa ndodhur në realitet. Legjendat po e ushtronin pushtetin e tyre të plotë mbi të gjallët e frikësuar nga ajo që pritej të vinte. Prandaj duhej fjala e shkruar. Kush më mirë se sa ajo mund t’i kundërvihet frikës? Kush më mirë se fjala e shkruar do të mund të ishte dëshmitare për atë dramë që po ndodhte – dhe atë dramën më të madhe, që pritej të ndodhte? Fjala e shkruar, meqë dëshmonte qartë dhe me përpikmëri atë çfarë ndodhte, dhe shërbente si antipod i atyre legjendave urbane që vinin nga mjegullat.
Shqiptarët e Kosovës, kur në të rrallë duan t’ia faturojnë vetes ndonjë lëshim a të metë, shpesh ndalen tek mungesa e librave dhe e dokumenteve të shkruara nga e kaluara. Epikën e tyre të pasur gojore e përmendin me krenari, por edhe si pikë të dobët. “Ne”, thonë, “s’kemi dashur t’i shkruajmë historitë e të bëmat tona, i kemi transmetuar ato gojarisht, por fjalët i merr era”.
Ndërsa serbët, sipas tyre, kanë shkruar gjithçka, kanë lënë dokumente, natyrisht të shkruara, ashtu siç u ka shkuar përshtati atyre. Shqiptarët këtë argument për paaftësinë e tyre për fjalën e shkruar e përdorin për t’iu kundërvënë historisë dhe për të dëshmuar pronësinë shqiptare të Kosovës, në raport me dëshmitë e shkruara serbe. Kjo është arsyeja që, gjatë të 90-ave, kur ishin dëshmitarë të historisë, ata donin të kapeshin fort pas fjalëve të shkruara. Fjala që vinte nga librat e gazetat bartte gati të njëjtat porosi kobndjellëse si ato që vinin nga ata profetë imagjinarë, sepse realiteti ishte i tillë e lufta ishte në horizont. Megjithatë, njerëzit preferonin fjalën e shkruar, të thënën e shkruar, se tashmë qenë ngopur me fjalë e gojëdhëna të ardhura pa adresë, nga mjegullnajat e kohës…
Siç nisën të besonin se të mirat mund t’u vijnë prej librave, njerëzit besonin poashtu se edhe të këqijat mund t’u vijnë prej librave. Prandaj, atë ditë kur në oborrin e shtëpisë, familjarët e mi digjnin librat e kuq të komunizmit, ata me këtë akt sikur donin të çliroheshin nga një mallkim i moçëm. Ç’është e vërteta, ata kishin jetuar mirë në kohën e socializmit, kishin qenë të punësuar, duke gëzuar shumë privilegje që i ofronte ai sistem. Megjithatë, se ajo periudhë ishte e keqe, ky ishte një konstatim i kohës i shumicës së njerëzve në Kosovë, ishte njëlloj koncensusi publik që duhej pranuar. Prandaj, trashëgimia e atij sistemi duhej flakur, se ashtu kishte gjykuar historia. E çfarë më mirë sesa librat përfaqësonin trashëgiminë e atij sistemi? Dhe çka më mirë sesa djegia e atyre librave mund ta zhbënte trashëgiminë e asaj kohe? Akti i djegies së atyre librave nuk ishte publik, ngase piromanët s’kishin nevojë për ndonjë shfajësim, sado që disa prej tyre kishin qenë anëtarë të Partisë. Akti i djegies ishte më tepër një akt teatral a melodramatik i eksorcizmit – i spastrimit prej asaj trashëgimie të keqe!
Trumpetat e nacionalistëve dëgjohen ende
Amin Maalouf, shkrimtari libanezo-francez, thotë se ne nuk mund t’i lejojmë vetes t’i njohim të tjerët në mënyrë të përafërt, të sipërfaqshme, shkel e shko. Duhet, thotë ai, që t’i njohim në mënyrë delikate, nga afër, madje intime. Mirëpo, kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet kulturës së tyre dhe para së gjithash letërsisë. Ai thotë me të drejtë se intimiteti i një populli është letërsia e tij.
Trumpetat e nacionalistëve të verbër kanë jehuar vazhdimisht, si kundërshtim ndaj iniciativave të bashkëpunimit kulturor Kosovë-Serbi. Në Beograd, në disa raste, kundërshtitë kanë qenë madje edhe të dhunshme. Dhe derisa, qarkullimi kulturor mes Kosovës e Serbisë, për shkak të presionit të nacionalistëve e të politikanëve, shpesh ka hasur në gozhdë, ai mes vendeve të tjera të ish Jugosllavisë duket se është më në binarë dhe rrjedhë pak më normalisht. Në secilin rast, sfidat janë akoma aty dhe ato nuk duhen nënvlerësuar.
Pikësëpari, pjesa më e madhe e politikanëve nuk janë të interesuar për ndonjë bashkëpunim – për kurrfarë bashkëpunimi që do të mund të sillte normalitet e paqe afatgjate. Sepse alarmi i kurdisur i emergjencës kombëtare për shkak të ndonjë sulmi nga brenda apo nga jashtë, atyre u shërben për të mbajtur vëmendjen e publikut larg problemeve reale me të cilat vendet e rajonit ballafaqohen: varfëria, korrupsioni, gjendja e mjerueshme e institucioneve, krimi i organizuar etj. Por nuk janë vetëm politikanët, janë edhe plot mendje të ndryshkura mes të ashtuquaturave elita intelektuale që paqes së brishtë i rrinë mbi kokë si gogolë, duke provuar ta trembin e ta zhbëjnë.
Kur para ca vitesh, në Kanada, takova një profesor universiteti që tha se ishte jugosllav dhe se vinte nga Jugosllavia (pa çka që në realitet Jugosllavi më nuk kishte), ai nisi të ankohej në shqiptarët e Kosovës, për gjithë të këqijat që i kishin ndodhur planetit, por para së gjithash, sepse e kishin shkatërruar Jugosllavinë. Ai po më thoshte: “ne ua dhamë universitetin në vitin 1974, ju mësuam të lexoni e të shkruani, e ju na e kthyet me të keq, duke e treguar fytyrën tuaj të vërtetë”. Me “ne” ai e kishte fjalën për komunistët jugosllavë. Në projektimin e tij të gabimeve historike të Jugosllavisë socialiste, ky ishte njëri prej gabimeve më të mëdha: shqiptarëve në Kosovë nuk është dashur kurrë t’u jipej universiteti, sepse, mu si Prometheu që mori zjarrin nga Zeusi e ua dha njerëzve, ata e morën atë (Universitetin) dhe pastaj flaka e dijes, e shkrimit, e fjalës së shkruar, u përhap dhe më s’u ndal – deri në shkatërrimin e Jugosllavisë, të cilën ai vazhdonte ta kishte për zemër. Mendje të deformuara, anakronike dhe me brumë fashizmi, si kjo e profesorit jugosllav në Kanadë, besoj hasen– nga të gjitha palët. Këta janë produkti më unik që ka mundur të prodhojë politika hegjemoniste, afshi nacionalist e pasioni shkatërrimtar. Ata janë akoma mes nesh, me shpata të ngrehura, gati për marsh.
Ninullat që duhet të shërojnë traumat tona
Shumë njerëz në Kosovë xhamat e dritareve i pastrojnë me gazetë. Gjatë të 90-ave, ca familje më të varfëra që s’ua mbante xhepi të blinin gazeta, vinin dhe na i kërkonin në shtëpi. Ne ua jepnim ato që nuk i arkivonim. Dhe kur ndokush nga këto familje trokiste në derë e pyeste “a keni ndonjë gazetë”, nënkuptohej që po kërkonin gazeta për lexim, por pastaj edhe për pastrim të xhamave. Nuk kishte rëndësi sa e moçme ishte gazeta. Ata njëherë e lexonin mirë e mirë dhe pastaj me të pastronin xhamat e dritareve. Siç e kam kuptuar, xhami njëherë lahet me ujë dhe pastaj, me gazetën e zhubrosur i jepet edhe një pastrim i fundit për t’i dhënë shkëlqimin përfundimtar. Nuk e di në e bëjnë edhe në vende të tjera, as në është fuqia e lëndës me të cilën prodhohet gazeta që ka efekt pastrimi, apo në vetë fjalët e shtypura! Ose ndoshta në asnjërën. Kjo s’do të më çudiste, se ballkanasit dinë të bëjnë gjëra që efektin e prodhojnë vetëm ne mendjet e tyre. Por s’ka rëndësi, unë dua të besoj në fuqinë e fjalëve për pastrim. Fjalët e shkruara mund të na e pastrojnë mendjen e errur e shpirtin e mjegulluar nga urrejtja, smira e dëshira për shkatërrim të tjetrit.
Pas krejt këtyre librave që janë djegur e shkatërruar, seç u kemi hyrë disi në hak fjalëve të shkruara! Ai hak tani duhet larë, duke shkruar fjalë të reja, pafundësisht fjalë. Por jo fjalë që helmojnë, jo fjalë që hedhin mjegull mbi të kaluarën, që thellojnë urrejtjen, që kërkojnë akoma gjak, tash e në të ardhmen. Na duhen fjalë që dëshmojnë për dhimbjen tonë të përbashkët, fjalë që u këndojnë ninulla traumave e vuajtjeve tona, fjalë që shërojnë plagë e që përpiqen ta ndreqin rajonin, ta bëjnë një vend më të mirë!
Na duhen fjalë që kallxojnë tmerrin e përjetuar në këto anë, dhe na duhen fjalë për të bërë me gisht kah fajtorët, ata të dikurshmit dhe ata të ardhshmit që mund të vijnë. Se siç thotë Ernest Gellner te Kondita e Lirisë, “kur shkatërrohen rende e besime shoqërore, zakonisht janë ca ithtarë besnikë të cilët luftojnë deri në istikamin e fundit”. Fantazmat e luftës të këtyre anëve janë ende nëpër istikame, duke pritur të derdhin sërish ca lumenjë të tjerë gjaku… Këndejpari janë edhe piromanët e librave, më pak se ç’ishin dikur, por– të mjaftueshëm për të ndezur flakë të reja…
Prandaj fjala e shkruar.
_____
Fund
*Artikulli “Mbi librat, zjarrin dhe fjalën e shkruar” është pjesë e “Shoqëria e hapur dhe miqtë e saj”, botuar më 2021 me rastin e 30 vjetorit të ardhjes në Balkan të Fondacionit për Shoqëri të hapur”.
Ilustrimi: BigEye