Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Keqinterpretimi i fjalëve të Macronit për vizat nxit valë reagimesh

Fotografi nga konferenca e Ramës dhe Macronit. Burimi: Kryeministria e Shqipërisë

Media të ndryshme e politikanë kanë rënë në grackën e keq përkthimit të një deklarate të presidentit të Francës, Emanuel Macron, lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Macroni vizitoi Shqipërinë më 17 tetor në kuadër të Samitit të Berlinit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Macroni ka folur rreth vendimit të BE-së që kosovarëve tu hiqen vizat nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Presidenti francez këtë çështje e ka ndërlidhur me zotimet e pa përmbushura të palës kosovare sa i përket dialogut me Serbinë. Në linjë me këtë, ai tha se Franca e ka mbajtur fjalën duke i hequr vizat për Kosovën, por nuk ka thënë se vendimi është tashmë pezulluar nga vendi i tij, ashtu siç u përkthye fillimisht deklarata e tij.

Ne ju kemi besuar për çështjen e vizavve. Çështja e vizave është pezulluar nga ana e Francës, sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë. Fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecet përpara”, ishte përkthimi i deklaratës së Macronit e publikuar në faqen e kryeministrisë së Shqipërisë.

Por me këtë Macron, i është referuar heqjes së vizave për Kosovën e jo pezullimit të tyre tash nga Franca, siç u interpretua nga disa media. Megjithëkëtë presidenti francez nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të ndodh nëse siç ka thënë, “nuk mbahet fjala e dhënë” në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato (vizat) janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete (Kosova dhe Serbia) që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, është përkthimi i saktë i deklaratës së Macronit.

Kjo u pa si kërcënim se vizat mund të suspendohen nëse Kosova nuk i përmbush obligimet e marra përsipër, për të cilën gjë raportoi edhe medium i njohur francez “Le Figaro”.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në bazë të bisedës që kanë pasur, pezullimi i vizave mund të ndodh “nëse në Prishtinë s’janë të gatshëm që t’i hapin rrugë planit franko-gjerman”.

Macron listoi edhe veprimet që duhet t’i ndërmarrë Kosova në mënyrë që mos të vihet në dyshim çështja e vizave pas 1 janarit.

Ajo që presim nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë është e thjeshtë: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat (në veri të Kosovës) ku janë mbajtur në kushte të papërshtatshme. Pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje dhe në Institucione, njohja e Asociacionit të Komunave Serbe nga autoritetet kosovare. Në këtë mënyrë, plotësisht dhe totalisht ”, tha Macron. Ndërkaq prej Serbisë ka kërkuar që ta dënoj sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Me sqarim rreth deklaratës së Macronit doli ambasada e këtij shteti në Prishtinë.

Sipas tyre, Macron e ka përmendur liberalizimin në kontekst të kërkesës drejtuar Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat e veriut, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare.

Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës franceze për mediat.

Ambasada franceze ka shtuar se, theksi i deklaratës së Macron ka qenë më shumë tek kërkimi i përgjegjësisë nga Vuçiqi për aktet e 24 shtatorit.

Përveç reagimeve të shumta në rrjete sociale ku nuk munguan fyerjet e linçimet ndaj Macronit dhe Francës, reagime erdhën edhe nga zyrtarë të lartë shtetëror. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, postoi në Platformën “X” flamurin e Francës me mbishkrimin “Et viola” që në gjuhën shqipe i bie “ja pra”.

Pas këtij postimi, Gërvalla është vërshuar nga komente të shumta duke i kërkuar sqarime se cili ka qenë kuptimi i një deklarimi të tillë.

Lidhur me qëndrimet e presidentit të Francës ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo tha se kjo çështje është sqaruar dhe se institucionet franceze e kanë njoftuar, se ka qenë një lloj dallimi në përkthim. Ajo ka shtuar se çdo lloj qartësimi që kërkon presidenti Macron e institucionet franceze mund ta japin ndërkohë në mënyrë që të hiqen dyshimet të cilat ata i kanë.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u morr në prill të këtij viti nga Këshilli i BE-së dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, që hyn në fuqi nga 1 janari i vitit 2024.

Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Vendimi për pezullim duhet të kalojë përmes vendimit nga anëtarët e Këshillit. Janë katër skenarë kur mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej- Në rast të rritjes së konsiderueshme të migrimit të parregullt; Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%; Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt; dhe në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.

Deri tash vetëm një herë ka ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit.

Në vitin 2019, Holanda pati kërkuar që të pezullohej liberalizimi i vizave për Shqipërinë me arsyetimin se shtetasit shqiptarë të përfshirë në krim të organizuar, paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të këtij shteti. Komisioni Evropian e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.