Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Qeveria e Kurtit po i zbeh shpresat për një politikë të jashtme të mirëfilltë

Gjatë vitit të parë të qeverisjes së Kurtit, Kosova nuk pati ndonjë përparim të dukshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk arriti ndonjë rezultat konkret dhe pati skandale e dështime të shumta protokollare, duke vënë në pah një nevojë urgjente për një qasje të re.

Në vitin e dytë, Qeveria kërkoi anëtarësimin në NATO si pasojë e realitetit të ri gjeopolitik të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Tutje, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës në maj 2022 dhe për anëtarësim në BE në dhjetor 2022.

Megjithatë, anëtarësimi në këto organizata mbetet një detyrë e zorshme, duke pasur parasysh mungesën e progresit në dialogun Kosovë-Serbi dhe mosnjohjen nga pesë vendet e BE-së.

Gjatë vitit të dytë të qeverisjes së Kurtit, Kosova nuk fitoi asnjë njohje të re, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk mori as liberalizimin e vizave dhe, më kryesorja, dëshmoi një përkeqësim të marrëdhënieve me aleatët e saj kryesorë.

Një ministre e jashtme e papërgatitur

Politika e jashtme e Kosovës ka qenë një nga hallkat më të dobëta të Qeverisë Kurti – nëse jo më e dobëta.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka dëshmuar të jetë e papërgatitur për t’u përballur me kompleksitetin e nevojshëm për një vend që kërkon njohje të reja shtetërore dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Skandali më i fundit i Gërvallës lidhet me incidentin e bombardimeve në Poloni, në nëntor 2022, kur dy civilë u vranë nga raketat. Në prag të incidentit, Polonia dhe vendet anëtare të NATO-s u përmbajtën nga komentet për të konfirmuar atë që ndodhi dhe bënë thirrje për një takim urgjent.

Megjithëkëtë, Gërvalla nuk u përmbajt dhe shkroi në Twitter: “BE-ja duhet të veprojë me më shumë vendosmëri që ta ndalojë Putinin përpara se ai dhe përfaqësuesit e tij të shkaktojnë luftë në tërë kontinentin”.

Ministrja e Jashtme u lëshua në përfundime pa një konfirmim zyrtar të asaj që ndodhi në Poloni, dhe në mënyrë indirekte bëri thirrje për një konfrontim ushtarak me Rusinë.

Shfaqje me një personazh

Për të shmangur gafa të mëtejshme diplomatike, kryeministri Kurti ka hedhur mënjanë ministren e Jashtme Gërvalla dhe ka marrë në duart e veta timonin për përfaqësimin e interesave të Kosovës jashtë vendit, duke e drejtuar shfaqjen kryesisht vetë, e nganjëherë me presidenten Vjosa Osmani, e cila duket se e validon çdo qëndrim të kryeministrit.

Gjatë muajve të fundit, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani janë shfaqur nëpër media të njohura ndërkombëtare për të shprehur opinionet e tyre lidhur me politikën rajonale në Ballkan dhe politikën ndërkombëtare në relacion me luftën në Ukrainë dhe ndikimin rus.

Mes lulëzimit të skenës artistike dhe kulturore në Kosovë – me shumë festivale që po zhvillohen, si Festivali i Filmit Dokufest dhe Manifesta Biennial – Kurti u bë kryefjalë në mediat ndërkombëtare me deklaratën e tij se Kosova është në rrezik të luftës me Serbinë.

Retorika e Kurtit po e dëmton përparimin minimal të vendit dhe është dëshmuar të jetë e rrezikshme jo vetëm për imazhin e Kosovës, por edhe për marrëdhëniet e saj bilaterale me aleatët kryesorë.

Sjellja idiosinkratike e Kurtit

Në nëntor 2022, Qeveria e Kosovës çoi përpara planin e saj për të zëvendësuar përfundimisht targat ilegale të automjeteve në veri të vendit, me targa zyrtare të Kosovës. Si kundërpërgjigje, qindra serbë të Kosovës nga policia, gjyqësori dhe institucione të tjera dhanë dorëheqje.

Kurti fillimisht e kishte shtyrë vendimin deri më 21 nëntor, por më vonë deklaroi se do ta zbatonte atë, pavarësisht thirrjeve të shumta nga Perëndimi për ta shtyrë vendimin edhe për disa muaj.

Më 21 nëntor, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ftoi Kurtin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave. Pas takimit gjithëditor, Borrell dha një deklaratë të ashpër për Kosovën.

“Do t’i informoj shtetet anëtare… për sjelljen e palëve dhe mungesën e respektit për detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare – dhe, më duhet ta them, kjo vlen veçanërisht për Kosovën. E di se kjo dërgon një sinjal politik shumë negativ”, deklaroi Borrell.

Më tutje, Borrell shtoi: “Për hir të transparencës, më duhet të them se ne parashtruam një propozim që do të mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme, të cilën presidenti Vuçiq e pranoi sot, por jo edhe kryeministri Kurti”.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Kurti e akuzoi Borrellin se hoqi dorë nga normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa presidentja Osmani vendosi t’i jepte leksione Borrellit në Facebook, se si ta bënte punën e tij.

Marrëveshja për targat u arrit më në fund pas dy ditësh. Serbia pranoi ta ndalonte lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës, derisa Kosova u pajtua t’i ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrimin. Sidoqoftë, marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj vazhdojnë të përkeqësohen, kryesisht për shkak të përplasjeve të patakta të Kurtit dhe sjelljes së tij idiosinkratike.

Një marrëdhënie e përkeqësuar me aleatin kryesor

Për dekada të tëra, Kosova ka llogaritur në ndihmën dhe mbështetjen e aleatit të saj kryesor, SHBA-së. Mirëpo, me ardhjen në pushtet të Kurtit, kjo marrëdhënie është venitur. Qeveria e Kurtit ka mohuar akuzat e tilla, duke pretenduar se marrëdhënia Kosovë-SHBA mbetet e fortë.

Megjithatë, një raport i dalë në shesh shpërfaq një tjetër pamje. Në raport, ambasadori Ilir Dugolli thekson se trajtimi i Ambasadës së Kosovës nga vendi pritës (SHBA) është “brutal”.

Dugolli nënvizon se ka qenë e pamundur të organizohen takime në nivel shtetëror. Për më shumë, ai thotë se ka pasur përpjekje nga Kosova për t’i përmirësuar marrëdhëniet bilaterale me SHBA-në dhe për të vendosur një kornizë zyrtare për bashkëpunim, por për shkak të zhvillimeve të fundit politike (në Kosovë), përgjigjja nga administrata amerikane “ka qenë më negative se zakonisht”.

Ky raport duhet ta alarmojë Qeverinë Kurti. Kosova nuk mund ta përballojë përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA-në, vendi që mund të ketë ndikimin më të madh për ta ndihmuar Kosovën në arritjen e aspiratave të saj euroatlantike.

Shërbimi i jashtëm i Kosovës i përfshirë në një skandal financiar

Skandali më i rëndë diplomatik në vitin 2022 lidhet me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet se ishte përfshirë në një skandal të shpëlarjes së parave në Slloveni.

Ambasadori Berishaj u raportua se kishte transferuar rreth 600 mijë euro nga llogaria bankare e kompanisë së tij MB Consulting në Mal të Zi, te politikani slloven Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Tutje, Berishaj nuk kishte deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë (siç e kërkon ligji në Kosovë) se është pronar i kompanisë MB Consulting, me seli në Mal të Zi.

Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë ka ngritur një kallëzim penal kundër ambasadorit Martin Berishaj në gusht 2022.

Ambasadori Berishaj i ka mohuar akuzat, kurse ministrja Gërvalla nuk ka ndërmarrë asnjë masë disiplinore, duke u shprehur se i beson ambasadorit. Ngjashëm, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani kanë treguar mbështetje të plotë për ambasadorin Berishaj.

Mbetet ende e paqartë pse Qeveria e Kurtit ka vendosur të mbështesë plotësisht një ambasador që përballet me akuza të rënda dhe kërcënon t’i dëmtojë përpjekjet diplomatike të Kosovës.

Mungesa e koordinimit mes zyrtarëve qeveritarë

Në shtator 2022, nisi të qarkullonte lajmi për një “propozim franko-gjerman”, që do të paraqiste një kornizë të re për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Drafti i propozimit u zbulua nga Euractiv dy muaj më vonë, por autenticiteti i dokumentit nuk u konfirmua kurrë.

Fillimisht, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se “propozimi franko-gjerman është më afër qëndrimit të Serbisë”.

Megjithatë, kryeministri Kurti, në një konferencë për media, tha: “Propozimi franko-gjerman është një hap në drejtimin e duhur”.

Deklarata të tilla kundërshtuese nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës nxjerrin në pah një mungesë serioze të strategjisë dhe koordinimit në trajtimin e sigurisë kombëtare të Kosovës.

Kosova gjendet në një pozitë të vështirë ndërkombëtarisht. Progresi i mëtejshëm për të konsoliduar legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës është i lidhur ngushtë me një strategji të mirëdizajnuar në bashkëpunim me aleatët dhe mbështetësit.

Kosova mund të bëjë më shumë për të arritur përparim në skenën ndërkombëtare dhe për të forcuar legjitimitetin e saj ndërkombëtar. Në këtë drejtim, parakusht është koordinimi midis zyrtarëve dhe institucioneve qeveritare, bashkëpunimi i ngushtë me aleatët dhe mbështetësit kryesorë të Kosovës, si dhe emërimi i një ministri/e të jashtëm/me i/e cili është i/e kualifikuar për ta kryer këtë punë.

Ilustrimet nga: Big Eye

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.