Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kush përfitoi nga demonstratat e vitit 1981?

Gjatë viteve ‘70 Kosova përjetoi transformim të gjithmbarshëm politik, ekonomik, social e kulturor. Në fakt, ky transformim nisi në fund të viteve ’60, por kulmoi në vitin 1974 me miratimin e Kushtetutës së Jugosllavisë, ku Kosova fitoi statusin e autonomisë në kuadër të Serbisë e të Jugosllavisë. Ky status nuk ishte në përputhje as me kërkesat e shqiptarëve, as me të sërbëve. Kryetari i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, krahas përgjegjësive për gjendjen e rëndë të shqiptarëve të Kosovës në periudhën 1944-1966 (të njohur ndryshe si “Koha e Ranković-it”), ka edhe merita për avancimin e të drejtave të tyre në periudhën 1966-1980. Madje, Tito ishte i mendimit se Kosova duhet të ishte republika e shtatë në Jugosllavi, mirëpo kjo qe e pamundshme për shkak të kundërshtimeve të forcave shoviniste serbe. Në njërën prej intervistave të fundit, dhënë më 1978 për profesorin amerikan me origjinë austriake, George W. Hoffman, i pyetur cila kishte qenë detyra e tij më e vështirë në politikën e brendshme, Tito ishte përgjigur: “T’i bindja sërbët që ta pranonin autonominë e Kosovës”.

Dhjetë muaj pas vdekjes së Tito-s, situata politike, ekonomike e sociale ishte e rëndë dhe njëfarë ndjenje e pasigurisë dhe paperspektivës ishte e gjithëpranishme. Papunësia në Kosovë ishte dy herë më e lartë sesa në republikat përreth: 4-5 herë më e lartë sesa në Kroaci, e plot 17 herë më e lartë sesa në Slloveni. Më 11 mars 1981, pak pas ndeshjes futbollistike Prishtina-Partizani (ku Partizani fitoi me golin e shënuar nga Xhevat Prekazi), qindra studentë të Universitetit të Prishtinës protestuan për shkak të cilësisë së ushqimit dhe kushteve të dobëta në Menzën e Studentëve. Ç’është e drejta, një grup studentësh kishte protestuar edhe më 12 dhjetor 1980 për kushtet e rënda aty. Në shikim të parë, këto demonstrata duket se ishin spontane dhe të karakterit social e ekonomik, por thyerja e kornizës së fotografisë së Josip Brozit brenda menzës, brohoritjet pro Enver Hoxhës, si dhe thyerjet e panove të reklamave për filma porno në qendër të qytetit, japin një tablo krejt tjetër.

Më 26 mars 1981, ditën kur Prishtina ishte mbushur me spektatorë për manifestimin ‘Stafeta e Rinisë’, të organizuar në nderim të Titos për të nxitur ndjenjën e ‘vëllazërim-bashkimit’, mijëra studentë e qytetarë protestuan në Prishtinë, kësaj radhe me kërkesa eksplicite politike. Dominonin parullat: ‘Kosova Republikë’, ‘Për kë punon Trepça?’, ‘Ne jemi shqiptarë, jo jugosllavë’, ‘Bashkim me Shqipërinë’, e me radhë. Në organizimin e kësaj demonstrate ishin përfshirë edhe grupet dhe organizatat ilegale të shqiptarëve që vepronin gjatë pothuajse gjithë viteve ’70.

Kësaj radhe policia ndërhyri edhe më brutalisht se herën e parë. Serbia e mobilizoi policinë përreth kufirit me Kosovën, mirëpo në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nuk kishte të drejtën ta fuste në Kosovë. Prandaj, Kryesia e Jugosllavisë vendosi që me aeroplanë t’i dërgonte në Kosovë njësitë speciale të Sekretariatit Federativ për Punë të Brendshme. Këto njësi mbërritën në Prishtinë më 25 mars 1981 dhe të nesërmen ndërhynë brutalisht duke rrahur këdo që u dilte përpara, sidomos studentë në konvikte. Pas ndërhyrjes u përhapën fjalë se ishin vrarë qindra shqiptarë dhe se policia kishte hyrë edhe në konviktet e vajzave, duke ua futur kërbaçët mes këmbëve dhe duke i goditur me ta në gjinj.

Kjo ndërhyrje brutale pezmatoi rënde shqiptarët. Prandaj, më 1 dhe 2 prill 1981 demonstruan dhjetëra mijëra qytetarë, gati në të gjitha qytetet e Kosovës, duke u dhënë kësisoj demonstratave karakter gjithëpopullor. Në to u vranë dy policë dhe nëntë demonstrues që, për fat të keq, nuk përkujtohen pothuajse kurrë: Afrim Abazi, Asllan Pireva, Ibrahim Krasniqi, Naser Hajrizi, Riza Matoshi, Ruzhdi Hyseni, Salih Abazi, Sherif Frangu dhe Xhelal Maliqi. Ndërkaq, u arrestuan mijëra e, nga prokurorë e gjyqtarë shqiptarë, u hetuan dhe u dënuan qindra pjesëmarrës, si dhe u inicua procesi i diferencimit ideo-politik në të gjitha strukturat politike e shoqërore të Kosovës.

Zyrtarët e lartë politikë shqiptarë të Kosovës i cilësuan demonstratat si armiqësore, destruktive, nacionaliste, irredentiste madje. Organet e atëhershme krahinore, republikane e federative, i quajtën ‘kundër-revolucionare’, çka në legjislaturën komuniste nënkuptonte të drejtën që pushtetmbajtësi t’i përdorte të gjitha mjetet për ta shtypur. Për më keq, edhe Kryesia e Jugosllavisë mori mandej vendim të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe të urdhëronte ndërhyrjen e Armatës Popullore Jugosllave (APJ).

Marrëdhëniet mes shqiptarëve e sërbëve u acaruan edhe më kur Serbia ndërmori fushatën që ta suprimonte autonominë e Kosovës përmes propagandës për “presione, përdhunime, shkatërrime pasurish, vrasje e shpërngulje të sërbëve” prej Kosovës. Më 23 mars 1989, me miratim madje nga Kuvendi i Kosovës me shumicë shqiptare, Serbia e përmbylli përfundimisht procesin e suprimimit të autonomisë.

Sido që të jetë, gjatë gati gjithë viteve ’80 në hapësirën publike mbizotëroi një diskurs negativ për këto demonstrata, kurse pas shembjes së sistemit komunist, në gjithë dekadën pasuese, e veçmas pas luftës 1998-1999, mbizotëroi diskursi pozitiv. Në thelb, në qasjen ndaj këtyre demonstratave ekzistojnë dy rryma: lojale dhe jolojale.

Bajram Kosumi dhe Hydajet Hyseni janë përfaqësuesit më të spikatur të rrymës politike jolojale ndaj Jugosllavisë, pjesëmarrës e organizatorë të demonstratave të vitit 1981, rrjedhimisht të burgosur politikë për një dekadë. Sipas Kosumit, para demonstratave të vitit 1981 ishte hetuar një prirje relativisht e theksuar e ndikimit të kulturës sllave dhe asimilimit të shqiptarëve (“Kosova e vitit 1981”, Zëri, mars ’96). Ndër të arriturat kryesore të këtyre demonstratave, sipas tij, ishte ndërprerja e kësaj prirjeje dhe kthimi i plotë kah trungu i kulturës së mirëfilltë shqiptare. Njëlloj, sipas Hysenit, asokohe përgatitej regjistrimi i popullsisë dhe kishte trysni të fuqishme në favor të jugosllavizimit, prandaj lëvizja ilegale kishte shpërndarë një trakt me moton “Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë”, të kthyer edhe në parullë të këtyre demonstratave (“1981: faqe e re në historinë e Kosovës…”, Zëri, mars 2001). Pra, sipas të dyve, me demonstratat e vitit 1981 u ndal procesi i jugosllavizimit të rinisë shqiptare.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit më të denjë të rrymës politike lojale ndaj Jugosllavisë, Mahmut Bakalli dhe Azem Vllasi, të paktën që prej rënies së regjimit komunist në Kosovë, janë shprehur të bindur se ngjarjet e vitit 1981 ishin inskenuar me qëllim që të destabilizohej Jugosllavia dhe të suspendohej autonomia e Kosovës. Ata këmbëngulnin se demonstratat e vitit 1981 ia humbën Kosovës autonominë, ndonëse, ç’është e verteta, autonomia e Kosovës do të suprimohej nga Serbia edhe pa demonstratat e vitit 1981. Për më shumë, Bakalli e Vllasi pretendonin se në këto ngjarje ishin përfshirë shërbime brenda dhe jashtë Jugosllavisë, në mënyrë që pas Titos, Serbia të kishte rol dominant në Jugosllavi dhe në Ballkan. Sipas tyre, forcat që synonin jostabilitet në Jugosllavi e koncentruan veprimtarinë në Kosovë, hallkën më të dobët të zinxhirit jugosllav, duke kalkuluar me kundërthëniet dhe pakënaqësitë e shumta sociale, ekonomike, historike, nacionale etj., që në Kosovë t’i tregonin dhëmbët dhe të verifikonin fuqinë për hapa të mëvonshëm në mbarë hapësirën jugosllave.

Revista “Liria” 1981

Ndonëse politika në Shqipëri atëherë i mbështeti këto demonstrata dhe kërkesat e tyre, një dekadë më vonë, në shtator të vitit 1992, Presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia, në një intervistë të gjatë të realizuar nga Blerim Shala e Llukman Halili, e të botuar si libër me titullin “Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë”, thoshte: “Mund të them se demonstratat e vitit 1981 për ne kanë qenë krejtësisht të papritura dhe shpeshherë vrisnim mendjen se kujt i interesonin ato, sepse zhvillimi i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës ishte aq i favorshëm, sa këto ngjarje më shumë i shkuan për shtat tjetërkujt sesa shqiptarëve. Personalisht kam menduar disa herë se nga ato ngjarje nxorën përfitime më shumë sërbët”.

Nuk ka dilemë se pozita e shqiptarëve të Kosovës pas demonstratave të vitit 1981 u përkeqësua rëndshëm, por për fat të keq, sot e kësaj dite nuk ka një studim të mirëfilltë për to. Do të ishte mirë që këto demonstrata të hulumtoheshin rrënjësisht, të analizoheshin e të studioheshin mëtimet e të dyja rrymave, pastaj ndikimi i Shqipërisë, i Sërbisë, e i shteteve të tjera, në mënyrë që të krijohet një ide më e qartë se çka fitoi e çka humbi Kosova prej tyre.

Author

  • Shkëlzen Gashi

    Shkëlzen Gashi ka studiu Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, kurse magjistraturën për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në programin e përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe të Sarajevës. Është autor i shumë botimeve (librave dhe artikujve). Në vitin 2010 ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, i cili ka kaluar 28 vjet nëpër burgjet jugosllave. Kohët e fundit, ka botu shumë artikuj brenda e jashtë vendit rreth historisë së Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë dhe në vendet përreth Kosovës – Shqipëri, Sërbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, tani është duke shkruar biografinë e Ibrahim Rugovës, udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës 1989-2006.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.