Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Letërsia e tranzicionit – nga Çapaliku te Ypi

Mund të thuhet se tashmë kemi hyrë në periudhën e letërsisë shqipe mbi tranzicionin. Çdo herë e më të shpeshta po bëhen veprat që shtjellojnë jetën e këtyre 20-30 viteve të fundit, më saktësisht që nga rrëzimi i komunizmit e këtej. Rrjedhimisht, letrat shqipe po hapin një kapitull të ri, me autorë të rinj që po sjellin freski me qasje e tematika të reja. Dy nga këta autorë që kanë shkruar për kohën e tranzicionit në Shqipëri janë Stefan Çapaliku dhe Lea Ypi. Ajo çfarë këta dy autorë kanë të përbashkët është pikërisht tema mbi tranzicionin, ndërsa ajo që i dallon ata është shumëçka tjetër, e ndër to edhe qasja rreth veprës.

Në veprën autobiografike ”Secili çmendet simbas mënyrës së vet” (tri vëllime), Çapaliku rrëfen për Shqipërinë e fëmijërisë së tij, atë të fund-viteve ’80, si dhe atë pas rënies së socializmit. Në një gegnishte të bukur shkodrane, ai trajton absurdin e jetës brenda një shteti të kthyer në burg për popullin e vet, pasuar nga zallahia e ardhjes së lirisë në vitet ’90. Ngjashëm, edhe Ypi në veprën e saj autobiografike ”Free: Coming of Age at the End of History” problematizon konceptin e lirisë nën socializëm e pastaj në demokraci, gjithmonë nga pikëpamja e saj si një adoleshente në atë kohë. Të dy veprat japin perspektiva unike mbi tranzicionin, ato shpalosin aspekte tejet personale se ç’do të thoshte të ishe shqiptar/e në kohë tranzicioni, dhe si të tilla shërbejnë si arkivë e fuqishme orientimi për publikun e sotëm e të nesërm, në vend e në botë.

Në anën tjetër, ajo që i dallon këto dy vepra është qasja e autorëve nga konceptualizimi në publikim. Çapaliku i shkroi tri vëllimet e veta në shqip, ato u publikuan në Shqipëri dhe lexohen nga lexuesit shqip-folës. Disa nga veprat e tij janë përkthyer në gjuhët kryesore europiane, siç thuhet në biografinë e tij. Ypi shkroi veprën e saj në anglisht (tani të botuar edhe në shqip, përkthyer/shkruar nga vetë autorja), vepra tashmë është përkthyer në mëse pesëmbëdhjetë gjuhë, dhe ka tërhequr mjaft vëmendje nga shtypi botëror. Nga një sërë kritikësh e revistash prestigjioze, vepra e saj po konsiderohet si ndër më të mirat e këtij viti.

Të krahasuara nga prizmi i përmbajtjes, formës e stilit, të dy veprat – si ajo e Çapalikut ashtu edhe e Ypit – sjellin risi e cilësi të vyeshme. Madje, do të shtoja se vepra e Çapalikut lë mbresa të veçanta për shtresëzimet e përjetimeve, në kohë dhe në personazhe. Sidoqoftë, duket se strategjia e Ypit që ta shkruajë librin e saj në anglisht, pati sukses në kuptimin e promovimit të veprës së saj. Kësisoj, me një parapërgatitje në marketing dhe në koordinim me editorët e shtëpisë botuese, ajo ka arritur që qysh në start të promovojë veprën e saj në një audiencë më të gjerë sesa vetëm atë shqip-folëse. Mund të duket si jo e drejtë, pasi që shkrimi do të duhej vlerësuar për atë që përmban dhe jo për mënyrën se si promovohet në treg. E vërtetë kjo – vepra duhet vlerësuar në vetvete – mirëpo po aq e vërtetë është se marketingu, përgatitja dhe shitja e produktit (lexo: librit në këtë rast) janë gjithashtu mjaft të rëndësishme, sidomos në kohërat e informatës rapide.

Rrëfimi për vitet e çmendura

Para rreth njëzet vitesh më kishte rastisur të takoja në Londër një gazetar nga Kosova, i cili kishte punuar në Shqipëri gjatë viteve 1996-97. Aq ishte i traumatizuar nga ajo që kishte parë në atë kohë atje, aq ishte demoralizuar, sa që nuk arrinte dot as të fliste për atë periudhë të errët të Shqipërisë. Krejt çfarë mund të thoshte ishte se do të vinte dita kur do të shkruante për ato përjetime. Vrraga ishte tejet e freskët, kujtimet tepër të dhimbshme që të flitej apo të shkruhej për to në atë kohë.

Është shumë mirë pra – në mes tjerash edhe për katarzën kolektive të shqiptarëve – që në veprat e tyre Çapaliku dhe Ypi flasin për luftën civile të vitit 1997 në Shqipëri. Është pjesa më e dhimbshme e veprave të tyre. Çapaliku duke ndarë me ne ankthin e përjetuar si babë, si burrë, në drojën e tij se nuk do të mund të mbrojë familjen nga çmendia e kalashnikovëve jashtë shtëpisë në Shkodër. Ypi duke ndarë me ne ditarin e saj si 17 vjeçe, kohë kjo kur zëri nuk i dilte dot nga goja (”Kam humbu zërin!”), ndërsa lotët i shkojnë çurg, krejt kjo si pasojë i traumës së përjetuar nga po të njëjtit kalashnikovë të tërbuar jashtë shtëpisë së saj në Tiranë.

Ajo që shpërfaqet nga përshkrimet e të dyve janë dy plagë tejet të rënda të shoqërisë shqiptare, plagë për të cilat kjo shoqëri ende nuk ka gjetur përmbyllje. E para është vrasja makabre dhe e çmendur e njerëzve të pafajshëm civilë nga banditë që kishin marrë pushtetin në duar e sorollateshin rrugëve të qyteteve të Shqipërisë si të përhënur. Kjo plagë e madhe bën që edhe sot e kësaj dite shoqëria shqiptare në një masë ende ta asociojë vendin e vet me një Wild West të pakorrigjueshëm.

Dhimbja e dytë – plagë kronike kjo e shoqërisë shqiptare përgjatë viteve të tranzicionit – është ajo e trafikimit të vajzave e grave dhe detyrimit të tyre të dhunshëm në prostitucion. Ypi shkruan për një shoqe të saj e cila në moshë shumë të re (fëmijë, në fakt!) ikë për Itali me të dashurin e saj, vetëm për t’u detyruar pastaj në prostitucion. Një fat të ngjashëm e ka një e njohur tjetër e saj, e cila e braktisë foshnjen në strehimore dhe i mësynë rrugët e qyteteve greke. Raste të tilla ka shumë në shoqërinë shqiptare, sigurisht me qindra, dhe për këto raste është shkruar shumë pak. Shumë pak është folur për trafikimin e vajzave e grave shqiptare dhe detyrimin e tyre në prostitucion, si dhe për rolin kriminal të shumë burrave shqiptarë në këtë mes. Duhet të trazohet kjo tabu shtypëse e shoqërisë shqiptaro-patriarkale dhe të quhet me emrin e saj – përdhunimi i vajzës e gruas shqiptare në periudhën e tranzicionit.

Po me Kosovën, ç’u bë të keqen?!

Në fund, ajo çfarë bie në sy nga leximi i dy autobiografive është mungesa totale e temës së Kosovës. Ta kujtojmë, veprat flasin kryesisht për periudhën post-komuniste të fillim-viteve ’90, kohë kjo e fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë fqinje. As në veprën e Çapalikut e as në atë të Ypit nuk ka ndonjë referencë për Kosovën dhe shqiptarët atje. Ka raste kur përmendet ish-Jugosllavia, por kryesisht në kontekst të përcjelljes së programeve televizive, këngëve apo sportit nga TV Titogradi i atëhershëm apo TV Shkupi. Çapaliku e përmend një a dy herë Malin e Zi e Kroacinë, por në kontekstin e ikjes ilegale të disa të rinjve shqiptarë për në Evropë nëpërmjet këtyre vendeve.

Thënë shkurt, Kosova nuk ekziston në këto vepra. Dhe kjo nuk është kritikë ndaj autorëve. Se në fund të fundit, ata kanë shkruar autobiografi dhe, duke vepruar kështu, i kanë qëndruar besnik përshkrimit të jetërave të tyre në Shkodër dhe në Tiranë respektivisht, ashtu siç kanë qenë ato. Por nëpërmjet këtyre veprave ne kemi një qasje sado momentale mbi jetën në familje të rëndomta shqiptare, dhe ajo që bie në sy është se ato familje nuk e kishin preokupim Kosovën. Ose, thënë edhe më drejtpërdejtë, Kosova dhe shqiptarët e saj ishin jo vetëm një temë e ndaluar por gati edhe tërësisht e panjohur për shumë nga ta. Tridhjetë vite pas rënies së regjimit socialist, është ende befasuese dhe tmerruese njëkohësisht se deri në ç’masë kishte arritur ai sistem që të lakuriqojë popullin e vet nga çdo dromcë dinjiteti, dhe madje të arrijë të groposë thellë në harresë gati të plotë gjysmën e kombit që jetonte jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.