Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Perspektiva e bashkëpunimit Kosovë-NATO

Ilustrimi nga Big Eye.

Më në fund ka arritur të “thyhet” bllokada që ka mbizotëruar tash e disa vite në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe NATO-s. Në konferencën ndërkombëtare për çështje të sigurisë, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë javën e kaluar në Prishtinë (me temën “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Rajoni përballë sfidave bashkëkohore të sigurisë”), për herë të parë përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe zyrtarë të nivelit të lartë të NATO-s kishin rastin të diskutojnë hapur për çështje me interes të sigurisë për vendin dhe rajonin e Ballkanit.

Sikurse dihet, NATO vazhdon të mbajë qëndrim neutral në raport me institucionet e Kosovës – si pasojë e mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga katër vende anëtare të NATO-s – dhe nuk duket në horizont se do të ketë marrëdhënie kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe NATO-s. Kjo nuk nënkupton që Kosova duhet vetëm të presë derisa t’i jepet programi i Partneritetit për Paqe nga ana e NATO-s për arsye se edhe platforma të tilla, si konferenca e javës së kaluar mund të ndihmojnë përfaqësuesit e institucioneve kosovare për zgjerimin e bashkëpunimit, ndonëse të kufizuar, me NATO-n.

Bashkëpunimi Kosovë-NATO në formën e ndërveprimit të fuqizuar që ka nisur në vitin 2017 pas shkëmbimit të letrave të ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, do të duhej të shfrytëzohet nga institucionet e vendit për thellimin e bashkëpunimit të Kosovës me NATO-n përtej bashkëpunimit tashmë 18-vjeçar me forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Në këtë mënyrë, fushat e bashkëpunimit përmes këtij ndërveprimi të fuqizuar duhet t’i shërbejnë Kosovës për të hapur rrugën drejt vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale dhe politike me NATO-n.

Sidoqoftë, hapja e marrëdhënieve kontraktuale Kosovë-NATO nuk pritet të ndodhë së shpejti për shkak të vendimmarrjes mbi bazën e konsensusit në kuadër të organeve vendimmarrëse në NATO. Krahas kësaj, një nga zërat më të fuqishëm brenda NATO-s kundër Kosovës vazhdon të jetë Spanja e cila kundërshton çfarëdo avancimi të raporteve politike të Kosovës me NATO-n. Rrjedhimisht, ngritja e paraleleve ndërmjet dhënies së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga Bashkimi Evropian për Kosovën me mundësinë e hyrjes së Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s nuk duket reale, së paku jo në periudhën e tanishme.

Përveç vendimmarrjes me konsensus në NATO dhe kundërshtimit spanjoll, edhe pamundësia e NATO-s për të “kushtëzuar” Serbinë e vështirëson edhe më tepër vendosjen e marrëdhënieve politike të Kosovës me NATO-n. Kjo për shkak se Serbia nuk ka për qëllim të anëtarësohet në NATO dhe për dallim prej BE-së ku Serbia mund të kushtëzohet me lehtë, strukturat e NATO-s nuk kanë ndonjë instrument përmes të cilit do të mund të jenë më fleksibile (si BE-ja) për t’i mundësuar Kosovës vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale. Edhe pse duket se situata nuk është optimiste sa i përket anëtarësimit në NATO, megjithatë institucionet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë ngushtë me vendet anëtare të kësaj aleance që kanë njohur pavarësinë e Kosovës me qëllim shtyrjen përpara të agjendës së pjesëmarrjes së Kosovës në programet e ndryshme të NATO-s për t’i hapur rrugë integrimit të Kosovës në NATO.

Derisa nga NATO nuk pritet të ndryshojë qëndrimi sa i përket Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), kjo nuk duhet t’i “frikësojë” institucionet e Kosovës. Përkundrazi, ato duhet të fuqizojnë bashkëpunimin bilateral me vendet e NATO-s në mbështetje të ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse e ushtarake të Kosovës qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese ose ndryshimit të Ligjit aktual për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Në të njëjtën kohë, institucionet shtetërore të Kosovës do të duhej të zhvillojnë konsultime edhe me komunitetet pakicë në Kosovë, veçanërisht me komunitetin serb për t’i njoftuar në lidhje me rëndësinë e FAK-ut dhe integrimit tashmë të qytetarëve të komunitetit serb në radhët e FSK-së.

Të gjitha këto çështje do të duhej të çonin drejt avancimit të marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n. Kjo do të mund të arrihet vetëm nëse institucionet vendore arrijnë t’i shterrin fushat e bashkëpunimit me NATO-n në kuadër të ndërveprimit të fuqizuar, por edhe nëse NATO arrin të tejkalojë mospajtimet e brendshme në lidhje me Kosovën. Për më tepër, vazhdimi i politikës se “NATO ka qëndrim neutral ndaj Kosovës” do të mund t’i hapë rrugë ndikimeve të tjera në vend, përfshirë ndikimit të Rusisë e cila tashmë ka shtrirë ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke sfiduar vetë NATO-n dhe partnerët e saj përmes metodave të ndryshme për të penguar integrimin e vendeve të rajonit në NATO.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.