Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Politika e Frikës (Pjesa I)

Politika e Frikës (Pjesa I)

Njer?zit reagojn? ndaj frik?s, jo ndaj dashuris?. At? nuk e m?sojn? n? shkoll?n e s? diel?s, por ?sht? e v?rtet?. ?Richard M. Nixon

Zgjerimi në terren i partive të ekstremit të djathtë në Evropë dhe jo vetëm, po shoqërohet me një populizëm të theksuar frikënxitës e ultranacionalist. Populistët e kohëve të sotme po i shërbejnë me të madhe frikë opinionit duke adresuar si kërcënim ndaj mirëqenies dhe sigurisë kryesisht faktorë të jashtëm.

Frika ka zënë hapësirën më të madhe në diskursin publik në botën perëndimore, e sponsorizuar  nga politikanë të ekstremit të djathtë (ndonjëherë edhe të majtë) të cilët problemet e globalizmit, liberalizmit politik dhe ekonomik ngarendin t’i paraqesin si kërcënime ndaj identiteteve kombëtare e kulturore. Sociologu polak, tashmë i ndjerë, Zigmund Bauman, duke analizuar ngjarjet e kohëve të fundit thekson se: “Frika është ndoshta gjëja më e keqe e demonëve që ka ndërtuar fole në shoqëritë e hapura të kohës së sotme.” Ngjarje si fluksi i emigrantëve apo dyndjet e refugjatëve, sulmet terroriste dhe pasiguria ekonomike kanë krijuar terren të përshtatshëm për shfaqjen në skenë të kuazi-kujdestarëve (lexo: demagogëve) të kombeve perëndimore.

Në Evropë e Amerikë sot mund të dëgjosh kudo për “rinacionalizim” apo mure “mbrojtëse”, me qëllim të mbajtjes së të “tjerëve”, të ndryshëm, dhe shpesh të cilësuar si devijantë, jashtë.  Politika e kufijve nuk është trumbetuar pothuajse asnjëherë më shumë që nga lufta e ftohtë. Parti dhe liderë populistë që evokojnë të kaluarat nacionaliste në formën e narracioneve identitare në forma dhe vende të ndryshme. Disa duke rritur përkrahjen përmes valëvimit të lidhjeve ambivalente me nazizmin dhe fashizmin (p. sh. në Austri, Hungari, Rumani, Itali), të tjerë duke u fokusuar në konceptimin e një feje (islami) si kërcënim (Holandë, Danimarkë, Poloni, Suedi, SHBA etj.) apo duke përqendruar propagandën e tyre në perceptimin e rreziqeve ndaj identiteteve nacionale nga minoritetet etnike, emigrantët dhe refugjatët (Greqi, Britani e Madhe, Itali, Francë, SHBA).

Por, çka në të vërtetë fshihet pas kësaj shfaqjeje politike që po merr terren gjithnjë e më të madh në skenën politike perëndimore, dhe cilat janë pasojat e saj?

Arritjes së një përgjigje eventuale i nevojitet fillimisht një vështrim mbi procesin dhe mënyrën e përdorimit të frikës në politikë. Dick Pels, sociolog holandez, thotë se do të ishte e rrezikshme ta trajtojmë populizmin modern në mungesë të përmbajtjes dhe ta reduktojmë në një ‘mendjelehtësi të shprehjes, dukjes apo stilit’ pa shikuar terrenin (kornizën), mesazhet dhe rezonancën e tij. Është esenciale të njihet, thotë ai, substanca prapa kësaj shfaqjeje politike, se propaganda populiste përbën një kombinim të formës dhe të përmbajtjes, një cak specifik të audiencës dhe adaptim të caktuar të kontekstit.

Në ecurinë e zhvillimeve politike, kjo përmbajtje përshkohet nga një proces legjitimimi për të shpjeguar dhe justifikuar një rend të supozuar (propozuar) të vlerave/ideve, jo domosdoshmërisht i ri, por i ndryshëm nga ai pararendës ose aktual, në të cilin, sipas propaganduesve populistë qëndron zgjidhja e çdo problemi apo sigurimi i popullit (populistët gjithmonë thirren në vullnetin e popullit/kombit duke pretenduar përfaqësimin e gjerë të tij).

Në kritikën ndaj diskursit legjitimues, studiuesit T. Van Leeuwen dhe R. Wodak [1], theksojnë katër kategori kryesore legjitimiteti: autoriteti, racionaliteti, vlerësimi moral, dhe miti. Në vrojtimin e populizmit, zakonisht hasen vetëm vlerësimi moral, i cili bazohet në një rend moral vlerash, dhe miti ose procesi i mitkrijimit përmes narrativave kryesisht të bazuara në ngjarje të fragmentuara historike. Legjitimimi përmes këtyre dy kategorive vepruese vihet në funksion të ‘kuadratizimit’ të shoqërisë sipas projeksioneve populiste dhe definimit e margjinalizimit “të tjetrit” në koordinata sa më të dallueshme në sy të publikut.

Qartësisht, një ecje e tillë politike synon që rrugën ta bëjë sa më të drejtë dhe të ngushtë njëkohësisht. “Populizmi thjeshtëson zhvillimet komplekse shoqërore duke kërkuar keqbërës”, thotë politologu Anton Pelinka. Kërkimi i keqbërësve ka të bëjë me konstruktimin real të armiqve imagjinarë që në shumicën e rasteve ‘janë’ të jashtëm ose të huaj. Ata ndonjëherë mund të jenë hebrenj, ndonjëherë muslimanë, ndonjëherë romë ose pakica të tjera etnike, ndonjëherë mund të jenë kapitalistë, ndonjëherë socialistë, ndonjëherë organizata të mëdha, ndonjëherë BE ose SHBA, e kështu me radhë. Pra, çdokush mundet potencialisht të jetë ose të konceptohet si “ata” ose “të ndryshmit” e rrezikshëm, të cilët janë fajtorë për problemet aktuale dhe varësisht nga rrethanat politiko-kulturore është edhe ndjeshmëria e popullsisë vendase ndaj njërit prej identiteteve të lartpërmendura e cila ndikon në përcaktimin e armikut nga populistët.

___________
[1] Van Leeuwen, T., Wodak, R. 1999. Legitimizing immigration control: a discourse historical analysis. Discourse studies, Vol. 1, No. 1: pp. 83-118.

16 shkurt 2017
13:52

Lirim Krasniqi

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.