Zemërimi qytetar përballë keqpërfaqësimit të shtetit
Vështirë është të diskutohet përkitazi me incidentin ku një qytetare amerikano-kosovare që demaskoi një pjesë të realitetit socio-politik të Kosovës, sulmoi me fjalë e vezë ambasadoren e Kosovës në Uashington, në shenjë proteste ndaj kësaj gjendje. Si të shtrohet diskutimi për incidente të këtilla? A mund të thuhet se ambasadorja nuk është adresa e duhur e shprehjes së revoltës, meqë është vetëm përfaqësuese diplomatike, e jo përgjegjëse për gjendjen për të cilën reagoi qytetarja e zemëruar?
Personalisht ambasadorja mund të mos ketë faj për gjendjen në Kosovë, ose mund të ketë, nuk më intereson (s’është punë e imja me i gjetë fajtorët individualë për këtë gjendje). Mirëpo, ambasadorja përfaqëson një shtet. Shtetin tonë. E përfaqësimi (reprezentimi) ka dy kuptime, i pari diplomatik, domethënë zyrtarisht me përfaqësu një shtet, dhe i dyti siç përdoret në teorinë socio-kulturore në kuptimin e paraqitjes, përshkrimit e portretizimit.
Pra, ambasadorja përfaqëson shtetin në dy forma ose nivele. Së pari, ajo është e autorizuar të veprojë e të flasë në emër të shtetit tonë në një shtet tjetër. Së dyti, bashkë me këtë, ajo përfaqëson edhe aparatin ideologjik propagandues të tij që përpiqet ta paraqesë e përshkruajë (reprezentojë) shtetin tonë në shtetet e tjera ashtu siç nuk është në realitet. Në formën e dytë, përfaqësimi në të vërtetë nuk i referohet gjendjes reale, por përfaqësimit të imazheve të rrejshme për shtetin e shoqërinë, dhe atë jo në interes të përgjithshëm të qytetarëve, por për interesa të tarafeve sunduese.
Prandaj, ambasadorja (kuptohet si post zyrtar shtetëror) është target legjitim i kritikës, për aq sa përfaqëson shtetin në mënyrë të shtrembëruar, pra merr pjesë në ndërtimin e ofrimin e një imazhi të rrejshëm për shtetin. Kjo vlen sidomos kur një përfaqësim i tillë bëhet në një vend të cilit i detyrohemi për ekzistencën tonë si shtet, me të cilin mendoj se na duhet ndërtuar marrëdhënie të sinqerta. (Është për t’u përshëndetur vendimi i ambasadores për të mos ngritur padi ndaj qytetares, gjë që tregon se ambasadorja nuk e ka marrë personalisht sulmin ndaj saj.)
Ky imazh i rrejshëm më përpara kishte të bënte me “Young Europeans”, domethënë “kosovarët e rinj, të hareshëm, plot optimizën e të europianizuar/uesternizuar”, imazh i cili shpejt u zbeh nga kosovarët e rinj në ISIS e në autobusa për në Hungari, nga rezultatet e dobëta në PISA dhe nga aktivisti i ri politik, që vdiq në burg të shtetit.
Meqë paraqitja e Kosovës si vend i prosperuar perëndimor nuk po pin ujë më në rrafshin ndërkombëtar, tani po synohet të prodhohet një imazh i shtetit pionier i luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar islamik, e i murit të gjallë përballë marshit rus në Ballkan, ndërkohë që gjendje e mjerueshme zotëron në të gjitha fushat e jetës në Kosovë.
Kushdo që e demaskon këtë paraqitje të rrejshme të vendit, është në nivel detyre si qytetar. Mund të qortohet, ose jo, sulmi i ambasadores me vezë. Personalisht, më duket e shëmtuar të gjuhet dikush me gjësende. Por, ky koment për situatën nuk është në rrafshin personal dhe nuk synon të paraqesë e të argumentojë pikëpamjet personale për format e aktivizmit qytetar dhe përdorimin e dhunës në politikë. (Fundja, çfarë rëndësie ka gjykimi im estetik këtu?)
Duhet të pyesim përse qytetarja ishte e zemëruar dhe çfarë deshi të tregonte ajo me këtë gjest. Kështu pyesin shoqëritë demokratike e të emancipuara kur ndodhin indicidente të këtilla. Besoj se kështu do të pyesë edhe ata që u gjendën në vendin e incidentit.
Kjo është me rëndësi, e jo gjykimet tona etike e estetike për incidentin. Ajo çfarë mbajmë mend nga incidenti, kur qytetari irakian gjuajti me këpucë ish-presidentin amerikan para gati nëntë vitesh, nuk janë gjykimet se a pati të drejtë ai a jo, apo nëse meritoi qortim e ndëshkim për atë gjest, por çfarë deshi të thotë me të.