Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Vota në zgjedhjet lokale, për kandidat apo për parti?

Jemi në kohë fushate të zgjedhjeve lokale dhe dilema që shfaqet është se për kë të votohet. Natyrisht këtë dilemë nuk e kanë “besnikët” e partive politike. Këtë dilemë nuk e kanë as grupet e interesit të lidhura ngushtë me partitë politike. Këtë dilemë e kanë të gjithë qytetarët që nuk u përkasin këtyre dy grupeve. Në vazhdim do të përpiqem të argumentoj se, bazuar në ligjin për qeverisje lokale në Kosovë, si dhe bazuar në sjelljen e partive politike, për të pasur një qeverisje të mirë lokale shumë më i rëndësishëm është vet kandidati për kryetar komune sesa partia se nga ai vjen.

Me ligjin aktual mbi qeverisjen lokale në Kosovë, pushteti lokal është një lloj “sistemi presidencial në miniaturë”. Kjo, jo vetëm sepse kryetari zgjedhet drejtpërdrejtë nga populli dhe se ka kompetenca ekzekutive, por edhe sepse kryetarin nuk mund ta shkarkojë kuvendi komunal. Sa për informatë, një ndër dallimet kyçe ndërmjet sistemit politik parlamentar dhe presidencial qëndron në atë se kush e shkarkon ekzekutivin, parlamenti apo presidenti. Te sistemi presidencial, parlamenti nuk mund ta shkarkojë ekzekutivin, e te sistemi parlamentar po.

Prandaj, siç thamë, në Kosovë kryetari i komunës zgjedhet drejtpërdrejt nga populli, ka kompetenca ekzekutive dhe thamë se atë nuk mund ta shkarkojë kuvendi komunal. Meqenëse s’mund të shkarkohet nga kuvendi, shkarkimi i tij nuk varet nga partitë politike përbërëse të kuvendit. Sipas teoricienit gjerman Schmidt “një ndër dobësitë e sistemeve parlamentare është vënia në radhë të parë e partisë, e cila mund të degjenerojë në pushtetin e gjithë-pranishëm të partive në pushtet, në një klikë meskine, në një patronazh të paturpshëm, në një financim të harbuar partish, dhe në korrupsion që mbulohet nga partitë edhe pse kjo nuk është e pashmangshme” (Manfred Schmidt, Teoritë e demokracisë). Andaj, kryetari i komunës së bashku me ekipin e tij ekzekutiv të zgjedhur prej tij, pavarësisht raporteve zyrtare që duhet të ketë me kuvendin, me ligj është imun nga kontrolli i partive në kuvend. Si pasojë pozitive e këtij ligji, të paktën pushteti lokal mund të mbrohet nga dobësitë që sjell sistemi parlamentar përmes “gjithë pranisë” së partisë në ekzekutiv.

Për më tepër, po ta kemi parasysh faktin se partitë në Kosovë pushtetin e shohin vetëm si mundësi për plaçkë (përmes tenderësh, punësim pa kritere ligjore, emërim/shkarkim drejtor shkollash, etj..), pamundësia e shkarkimit të kryetarit nga partitë është një mbrojtje e fuqishme e pushtetit ekzekutiv nga vet partitë. Sa për të dëshmuar pengesat që partitë i shkaktojnë ekzekutivit komunal, siç kuptohet nga mediat, të gjitha rastet e qeverisjes së mirë në Kosovë janë sporadike, dhe se vijnë për shkak të meritave individuale, e jo për shkak të përkrahjeve partiake për të qeverisur mirë.

Nga faktet e mësipërme mund të konstatohet se, për interesa të qytetarëve, më e rëndësishme është se cili është kandidati sesa cila është partia nga ai vjen. Madje, në kushtet tona (se jo në një ambient normal politik), as programet qeverisëse, nëse veç ato njëmend ekzistojnë, nuk janë më të rëndësishme sesa vet kryetari. Sepse, është kryetari ai i cili mund t’i zbatojë ose jo ato programe. Në fund të fundit, çfarë rëndësia ka një program i mirë nëse s’do të këtë një kryetar që mund ta zbatojë atë?

Andaj, hapi i parë drejt marrjes së vendimit për të votuar në zgjedhjet për pushtetin lokal, është vlerësimi së pari për kandidatët e pastaj për partitë nga ata vijnë. Sepse:

– kjo do t’i privonte partitë (sidomos ato të mëdha) nga komoditeti që aktualisht kanë se  mund të fitojnë me çfarëdo kandidati vetëm pse kanë shtrirje partiake në atë komunë;
– kjo do i detyronte t’i emërojnë kandidatët më të mirë, që sigurisht nuk u mungojnë;
– kjo do t’u jepte rastin edhe kandidatëve nga partitë e vogla pasi edhe ata mund të kenë kandidat të denjë; dhe
– kjo do t’u shtonte shanset për fitore edhe kandidatëve të pavarur.

Argument shtesë në favor të votimit “së pari për kandidat”, është mënyra sesi partitë i emërojnë kandidatë nëpër komuna. Partitë vetëm deklarativisht i respektojnë instancat partiake lokale, pasi emërimet e kandidatëve bëhen kryesisht nga qendra. Por, nga Prishtina nuk mund të dihet kurrë se cili është kandidati më i mirë për një komunë. Sepse, këtë e dinë më së miri instancat partiake lokale si dhe vet qytetarët. Tjetër shembull në favor të votimit “së pari për kandidat” po e marrim rastin e një kryetari, i njohur në opinion si modeli më i suksesshëm i qeverisjes komunale, por që është i vetmi që ka fituar si i pavarur. Pse u tregua i suksesshëm? Sepse, s’ka pasur parti ta pengojë. Nga ana tjetër, si shembull më eklatant në disfavor të votimit “së pari për parti”, kemi pasur rastin e para 4 viteve kur një ministër sapo ishte shkarkuar prej partisë së tij për gjoja paaftësi ekzekutive, e menjëherë pas pak ditësh u promovua prej të njëjtës parti si kandidat për kryetar komune.

Nën kushte të tilla të keq-funksionimit të partive tona politike, edhe pse infrastruktura dhe mbështetja partiake mund t’u ndihmojë shumë kandidatëve për ta bërë fushatën, si me reklama e tubime më të mëdha, prapë se prapë kjo ndihmesë mbetet vetëm në nivel propagandistik, sa për t’i mbuluar dobësitë e kandidatëve.  Kjo lloj ndihme propagandistike më shumë i ngjason zërit të lartë tej mase të muzikës nëpër dasmat tona, që për qëllim kryesor kanë t’i fshehin dobësitë e zërit të këngëtarëve sesa të nxjerrin në pah kualitetin e tyre. Së këndejmi, përkundrejt ndihmës së nevojshme që kandidatëve u vie nga partitë, sapo fillon qeverisja, partitë do t’u shndërrohen atyre në pengesën kryesore në qeverisje. Bile, kemi edhe raste dorëheqjesh nga presione të tilla partiake.

Për fund, është në interesin e qytetarëve që kryetarët e komunave të jenë më shumë menaxherë të mirë sesa politikan të mirë. Zgjedhjet lokale në masë të madhe nuk janë zgjedhje politike. Zgjedhjet parlamentare janë zgjedhje politike. Nga fituesit e zgjedhjeve parlamentare prodhohen politikat në nivel vendi, që në fund të fundit duhet t’i zbatojë njësoj secili kryetar komune, pavarësisht përkatësisë partiake. Andaj, janë zgjedhjet parlamentare ato në të cilat votohet së pari për vizione dhe ide politike, pra parti politike. Fatkeqësisht që, në zgjedhjet tona lokale të gjithë angazhimin partitë e bëjnë vetëm për t’i forcuar pozitat e veta për zgjedhjet parlamentare. Prandaj, zgjedhjet lokale do të duhej më shumë të ishin betejë ndërmjet kandidatëve, e tejet më pak beteja ndërmjet partive.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.