Është bërë një lloj mode në Shqipëri që zhvillimet dhe ngjarjet që ndodhin në Kosovë ti trajtojnë njësoj si të jenë në Shqipëri pra me të njëjtin kut matës e sistem reference. Pra është krijuar një bindje që, meqënëse jemi një komb dhe flasim një gjuhë, atëhere edhe problemet i kemi njësoj , me të njëjtat përmasa dhe intensitet. Po ashtu vazhdon njëfarë inercie për sa i përket trajtimit të Kosovës nga shumë në Tiranë me qasje paternaliste me idenë se ky shtet i ri po ndjek nga pas shtetin amë. Këtë gjë e intensifikon më shumë akoma prezenca e Vetëvendosjes në mediat e Shqipërisë, me një ligjërim shumë të ashpër që e njollos dhe e sterros Kosovën duke mbajtur një qëndrim nihilist ndaj çdo arritje që është bërë atje. Po ashtu një pjesë e raportimeve dashakeqe ndërkombëtare ndaj Kosovës raportohen në Shqipëri pa u përpunuar apo u filtruar duke mos marrë parasysh faktin që shumë prej sulmeve që i bëhen Kosovës janë në kuadër të anti-amerikanizmit, islamofobisë etj e s’lidhen detyrimisht me realitetin.
Loja politike në Tiranë ka një impakt më të madh në Prishtinë sesa e kundërta për shkak të televizioneve më të fuqishme që janë ndërtuar në Shqipëri. Emisionet kryesore politike në televizionet e Shqipërisë kanë një audiencë besnike tek qytetarët e Kosovës të cilët shpesh kur flitet për Kosovën ballafaqohen me komente të shumta analistësh të cilët flasin gjithë kompetencë pa e njohur mirë realitetin kosovar. Madje shpesh e kontaminojnë opinionin kosovar me të njëjtat komente apo me të njëjtin repertor përshtypjessh që përdorin për politikën e Tiranës pa marrë në konsideratë diferencat e shumta.
Për këtë arsye shpesh flitet për Kosovën me të njëjtat tone apo terma siç bëhet në Shqipëri pa u marrë asnjë mundim që të bëhët ndonjë krahasim për të parë nëse situata atje përtej kufirit është njëjtë apo jo. Faktikisht, edhe pse jemi një komb, për arsye nga më të ndryshmet të historive të shkëputura prej më shumë se një shekulli si pasojë e padrejtësive historike që na janë bërë, ka shumë elemente që dallojnë qoftë në mënyrën si funksionon shteti i ri i Kosovës por qoftë në kulturën e shoqërisë. Kuptohet që ato që na bashkojnë janë shumë më shumë se dallimet e këto diferenca kurrsesi nuk mund të konsiderohen si dëshmi të krijimit të kombit kosovar apo elemente kundër idesë së solidaritetit apo bashkimit kombëtar. Dallimet janë të shumta në shumë rrafshe që vijnë si pasojë e dy përvojave shumë të ndryshme të qeverisjes, megjithatë pesha e këtyre dallimeve është minimale për sa i përket ndjesisë së bashkimit apo afrimitetit shpirtëror. Mirëpo gjithësesi e vërteta që duhet thënë është se Kosova si shtet por edhe populli i atyshëm si shoqëri, në shumë aspekte të tranzicionit, nuk ka bërë gabimet e Republikës së Shqipërisë.
Kështu për shembull sikurse flasin, me të drejtë, se korrupsioni në Shqipëri është kapilar, nuk kanë aspak të drejtë kur thonë të njëjtën gjë për Kosovën, pa u bazuar në ndonjë evidencë të saktë. Në raportin e Transparency International Kosova e ka perceptimin e lartë të korrupsionit të ngjashëm me të Shqipërisë,por se kur shikohet tek përqindja e popullsisë që raporton për përvoja personale të korrupsionit, del se ajo është disa herë më e ulur në Kosovë. Pra në Kosovë, korrupsioni është shumë më pak i pranishëm për qytetarin, mirëpo prapëseprapë qytetarët janë shumë të revoltuar më aq pak përvoja që kanë të korrupsionit. Nga ana tjetër, diferenca mes përvojave dhe perceptimit është shumë e ulët në Shqipëri çka tregon që në njëfarë mënyre shoqëria e konsideron normalitet të pashmangshëm korrupsionin.
Janë të shumtë ata në Tiranë që e quajnë Kosovën njësoj shtet të korruptuar, pa e ditur që në Prishtinë ndryshe nga Shqipëria, ka pasur zyrtarë nga më të lartit të akuzuar e dënuar për korrupsion duke përfshirë kryetarë kuvendi, zv/ kryeministër, ministra, deputetë, kryetarë komunash etj etj. Po ashtu, ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë nuk bën vaki që të të kërkojnë rryshfet nëpër spitale për të bërë ndonjë serum apo të ketë raste të shpeshta të korruptimit të policisë rrugore. Nuk është aspak rastësi që dy institucione që konsiderohen prej natyrës së tyre strumbullar të korrupsionit në Shqipëri, në Kosovë konsiderohen shumë profesionale a madje raportet e ndryshme ndërkombëtare i nxjerrin si modele për gjithë rajonin ballkanik.
Kosova qëndron shumë përpara Shqipërisë edhe kur bëhet fjalë kriminalizimin. Po të shikohen të gjitha statistikat ndërkombëtare duket qartë që Shqipëria është më afër me republikat ish-sovjetike në fund të listës për sa i përket numrit të krimeve në nivel evropian ndërsa Kosova garon me vendet e Evropës Veriore për nga statistikat. Kështu për shembull, sipas UNODC, Kosova ka pasur në vitin 2016, 1.6 vrasje për 100 mijë banorë ndërsa Shqipëria 2.7. Edhe po të shikohen numrat e të burgosurve del se në burgjet e Kosovës, aktualisht janë 1601 të burgosur që vuajnë dënimin për vepra të ndryshme ndërsa në Shqipëri kemi 5447. Niveli më i ulët i korrupsionit në Kosovë demonstrohet edhe nga fakti që aty niveli i pabarazisë është më i ulti në rajon, gjë që nuk ndodh në vende me korrupsion të lartë ku vetëm një grusht njerëzish me lidhje politike përfiton nga ekonomia. Pra koeficienti Gini i pabarazisë i Kosovës i afrohet vendeve skandinave ndërsa ai i Shqipërisë i afrohet vendeve latinoamerikane. Sipërmarësi më i madh kosovar raporton disa dhjetëra milionë euro pasuri ndërsa në Shqipëri fliten për miljarda. Pabarazia e kufizuar në Kosovë shihet edhe më sy kur udhëton edhe në zonat më periferike të vendit e nuk has prani të varfërisë ekstreme.
Kur flitet për ekonomi, padyshim që Kosova ngelet ende e varfër, gjë që lidhet kryesisht me trashëgiminë e kostove të aparteidit e diskriminimit ekonomik shekullor brenda ish-Jugosllavisë si dhe me pasojat e luftës. Mirëpo, gjithsesi nuk mund të flitet për dështim ekonomik të Kosovës kur gjatë gjithë dekadës së pavarësisë Kosova ka pasur rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe që ndryshe nga Shqipëria ia ka dalë të bëj investime madhështore në autostrada duke mbajtur ndërkohë borxhin më të ulët publik në Ballkan. Përpos kësaj po të shikohet klima e biznesit në raportin Doing Business të Bankës Botërore, Kosova zë vendin e 44-t ndërsa Shqipëria atë të 63-të ndërsa tek raporti Paying Taxes Kosova zë vendin e 44-t ndërsa Shqpëria atë të 122-të.
Kosovën e barazojnë në Tiranë shpesh me Shqipërinë edhe për sa i përket politikës, duke mos i kushtuar vëmendje rrethanave apo konteksteve të ndryshme që mbizotërojnë në skenën politike të Prishtinë e që dallojnë shumë me atë të Tiranës. është e vërtetë që sikurse në Tiranë, ka pasur trazira politike edhe në Kosovë por ato janë lidhur më shumë me ndjeshmëri e plagë të një vendi në proces dialogimi përkundrejt ish armiqve etnik e jo me mangësitë e sistemit politik në vetëvete. Ndrysha nga Shqipëria ku nuk hapen kutitë e votimit për të bërë transparencë, në Kosovë ka lehtësisht hapje kutish, ri-numërime dhe rivotime. Po ashtu kryeministrat nuk ngulin kthetrat me çdo kusht ndaj pushtetit deri në fund të mandatit si në Tiranë, por dendur shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Drejtuesit politik rinovohen e zëvendësohen rregullisht sikurse e treguan rezultatet e zgjedhjeve lokale me shumë kryetarë të rinj të komunave. Po ashtu në zgjedhje parlamentare ka një garë të mirëfilltë ku partitë e reja apo ato të vogla kanë mundësi që ta përmbysin situatën e të mos përjashtohen nga loja politike prej dinosaurve të vjetër sikurse ndodh në Shqipëri.
Lista e dallimeve është shumë më e gjatë dhe e hollësishtme, por kjo ishte vetëm një përmbledhje e disa prej elementeve kryesore ku dallojnë dy shtetet. Për hir të vërtetës mund të thuhet se në shumë aspekte Kosova ka nxjerr mësime nga pësimet e Shqipërisë ose ka ndjekur një tjetër rrugë alternative për të ndërtuar demokracinë. Zhvillimet aktuale konfliktuale, dalja nga parlamenti në mënyrë absurde e opozitës, agresiviteti i skajshëm i ballafaqimit politike e shumë elemente të tjera dallues të lojës politike në Tiranë janë qartazi ndryshe nga praktika kosovare. Madje në shumë aspekte mund të thuhet se është Shqipëria ajo që duhet të mësojë prej Kosovës. Sfidat që po kalon Kosova nuk lidhen vetëm me de-komunistizimin e demokratizimin që i ka kaluar edhe Shqipëria por më shumë me postkolonializmin, postkonfliktualizmin dhe pajtimin ndër-etnik. Prandaj është e nevojshme që kur të flitet për Kosovën të kushtohet më shumë vëmendje ndaj rrethanave të atjeshme e mos të përdoren copy-paste klishetë apo stilemat e Tiranës sepse jo gjithmonë përshtaten me realitetin kosovar.