Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Si të çrrënjoset klientelizmi

Në Kosovë po e shijojmë çdo ditë realitetin e hidhur me shifra papunësie marramendëse, gatishmërinë e madhe për migrim jashtë vendit të të rinjëve shkaku i mungesës së ndonjë perspektive të denjë, katrahurën në sistemin arsimor dhe shëndetësor dhe bllokadat e vazhdueshme politike. Përditshmëria, parë nga ky këndvështrim, është bërë një barrë e rëndë, një kafshatë e pakapërdijshme, një mjerim migjenian. Rrugën e rezistencës dhe luftës për liri dhe pavarësi e përshkuam për të ikur nga mjerimi, por kaluam nga një lloj mjerimi në tjetrin. Mjerimi i pasluftës dhemb më shumë, sepse janë njerëzit tanë, ata që po na e shkaktojnë. Dhe kjo vetëm e vetëm që të mbesin në pushtet dhe të shijojnë privilegjet që kishin siguruar për vete dhe të afërmit e tyre që prej kohës së paraluftës e deri më sot.

Të heqësh dorë nga privilegjet dhe pushteti nuk është e lehtë. Për partitë politike kjo edhe mund të çojë në zhbërjen e tyre, sepse vetëm pushteti që ato kanë ju mundëson të kenë qasje në burime shtetërore dhe t’i shpërndajnë ato asisoji që përfitues të jenë përkrahësit e tyre, gjë që partisë i siguron mbijetesën politike dhe riprodhimin e vetvetes. Shpërndarja e burimeve (vende të punës në administratë dhe ndërmarrje publike, qasje në kontrata prokurimi, lehtësime në taksa si dhe në procese gjyqësore etj.) për një rreth të ngushtë njerëzish të afërt me partinë, quhet klientelizëm.

Termi klientelizëm përshkruan një marrëdhënie afatgjatë, personale dhe asimetrike mes dy akterëve (patronit dhe klientit) në sferën publike, qëllim i së cilës është shkëmbimi reciprok i burimeve. Në literaturë, koncepti klientelizëm përdoret shpeshherë në lidhje të ngushtë me konceptet tjera si patronazhi dhe korrupsioni, gjë që ka dëmtuar qartësinë konceptuale të tij. Klientelizmi politik përshkruan ofrimin e favoreve, shërbimeve dhe mallrave nga ana e personave udhëheqës të partive politike në shkëmbim të përkrahjes politike ose lojalitetit. Kësisoj, klientelizmi politik është një formë e korrupsionit. Korrupsioni, së këndejmi është përfitimi i një përparësie (materiale apo jo-materiale) të një pale përmes keqpërdorimit të detyrës së palës në pozitë të lartë politike, ekonomike etj. Nëse marrim sigurimin e një vendi të punës si ilustrim, atëherë klienti (qytetari) e shet votën e tij (përkrahjen politike) për një vend pune të ofruar nga patroni (personi zyrtar). Ky proces ka të bëjë me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe prandaj mund të definohet si korrupsion. Prandaj, për hir të qartësisë së koncepteve, unë këtu procesin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare për interesa të përfitimit të partisë e quaj korrupsion, ndërsa akterët janë klienti, respektivisht patroni, varësisht nga cila perspektivë vështrohet ky fenomen. Klientelizmi dhe patronazhi përshkruajnë pra të njejtin fenomen, vetëm perspektiva ndryshon, pra janë dy anë të një medaljeje.

Një thyerje e qarkut vicioz të klientelizmit nuk do të jetë as i lehtë as i shpejtë. Megjithatë, ekzistojnë mundësi reale që kjo të ndodhë. Së pari, partnerët ndërkombëtarë duhet të ndryshojnë qasjen e tyre në raport me skenën aktuale si dhe të ndihmojnë në reformimin e sistemit gjyqësor në Kosovë. Faktori i dytë është vetë vota e qytetarëve, e cila në të ardhmen duhet të përkrahë alternativat e reja me program politik, të cilat janë jashtë strukturës klienteliste të deritashme. Faktori tjetër që mund të ndikojë është ngritja e vazhdueshme e cilësisë së arsimit, e cila do të përforconte procesin e vetëdijesimit politik që qytetarëve.

Roli i partnerëve ndërkombëtarë

Përkundër faktit se institucionet kosovare ishin nën mbikëqyrje të UNMIK-ut, dhe pas shpalljes së pavarësisë nën mbikëqyrje të ICO-së, sistemi klientelist vazhdoi të forcohej. Edhe vetë akterët ndërkombëtarë, shpesh pa vetëdije, janë bërë pjesë e jetëzgjatjes së strukturave klienteliste, sepse partitë klienteliste përmes marrëdhënieve që kishin me akterët ndërkombëtarë kishin mundësinë të avokojnë për ligje, politika apo projekte, përfitues të të cilave ishin kryesisht vetë partitë e tyre politike dhe klientela përkatëse. Prandaj, qasja ndërkombëtare ndaj Kosovës duhet të ndryshojë asisoji që të mundësohet një dalje nga stagnacioni shoqëror aktual, duke qenë të hapur ndaj alternativave të reja në skenën politike dhe të gatshëm të ndërhyjnë në zinxhirin klientelist të ndërtuar nga partitë e mëparshme. Për të ndërprerë zinxhirin klientelist nevojitet ngritja e integritetit dhe performancës së sistemit gjyqësor në Kosovë. Një nga favoret e ofruara nga partitë për klientelën e tyre është marrja në mbrojtje nga pasojat ligjore të veprimeve të tyre penale përmes neutralizimit të sistemit gjyqësor shkaku i marrëdhënieve informale mes politikës dhe gjyqësorit. Po flasim pra këtu për korrupsion dhe klientelizëm në sistemin gjyqësor, i cili përmes organeve të tij do të duhej të luftonte këto dukuri negative, por përkundrazi është vetë pjesë garantuese e jetëgjatësisë së korrupsionit dhe klientelizmit. Për këtë arsye partnerët ndërkombëtarë duhet të përqëndrohen dhe të investojnë më shumë në reformimin e gjyqësorit në Kosovë.

Përkrahja e partive programore

Partitë politike duhet të kujdesen të kenë përkrahje politike, sepse vetëm ashtu mbijetojnë. Për të qenë atraktive për qytetarët, ato duhet të ofrojnë arsye pse duhen përkrahur. Megjithëse arsyet për përkrahjen e një partie mund të jenë nga më të ndryshmet, ato mund të kategorizohen në dy lloje, nëse si pikënisje marrim motive racionale. Sipas Simona Piattonit (2001) „arsyeja e llojit të parë është përfitimi individual siç janë mundësitë për karrierë, qasja në shërbime dhe fonde apo favore tjera, të cilat sistemi administrativ mund të sigurojë për anëtarët e partisë politike. Arsyeja tjetër është funksioni i programit partiak, pra shpërblimi që merret nëse angazhohesh për një kauzë“. Pra, qytetarët mund të fillojnë të ndëshkojnë partitë klienteliste, duke përkrahur partitë programore dhe kështu të bëhen faktorë për përmirësimin e jetës së tyre. Nëse vota jepet vetëm në shkëmbim të përfitimit afatshkurtë klientelist, partitë politike në pushtet zakonisht e shpërfillin opinionin e qytetarëve gjatë vendimmarrjeve, të cilat nuk kanë të bëjnë me shpërndarjen e burimeve gjatë tregtisë së votës. Prandaj klientelizmi e lehtëson sundimin autoritar. Kjo mund të shkaktoje protestë nga ana e votuesve, të cilët fillojnë të përkrahin alternativa të reja politike, të cilat ofrojnë një program politik.

Partitë politike me funksionim klientelist e kanë gati të pamundur të funksionojnë në bazë të ndonjë programi. Ato janë jo-programore, meqë edhe janë jo-parimore. Qëllim i tyre final dhe i vetëm është mbijetesa e partisë politike dhe sigurimi i privilegjeve për veten dhe klientelën e tyre. Prandaj në Kosovë dhe gjetiu ku lulëzon klientelizmi, administrata shtetërore jo vetëm që është e fryrë, por edhe ekziston një rezistencë e vet kastës politike ndaj reformave në sektorin publik, sepse partitë klienteliste nuk kanë tjetër për të ofruar përpos favoreve klienteliste. Ndërsa partitë programore mund të arrijnë një numër më të madh të elektoratit me premtimet e tyre programore dhe rrjedhimisht janë më pak të varura nga punësimi në sektorin publik. Prandaj një nga mënyrat si të çrrënjosim sistemin klientelist në Kosovë është pikërisht përmes përkrahjes së partive me një program dhe profil të qartë politik.

Cilësia e arsimit dhe edukimi politik

Një zhvillim pozitiv, por i cili kërkon shtytje të vazhdueshme shkaku i rëndësisë vitale të tij, është arsimimi i gjeneratave të reja, ndikimi i të cilit ka rezultuar në vetëdijesimin në ngritje të shoqërisë rreth proceseve dhe strukturave politike si dhe rëndësisë së votës së tyre. Qytetarët votën e tyre në vitet e fundit nuk e kanë dhuruar aq lehtë, dhe mbi të gjitha e kanë orientuar tjetërkah, jo tek partitë klienteliste. Vota ka rrjedhur në masë të madhe në drejtim të një alternativave të reja. Arsyet e ndryshimit të votimit janë të shumta, por kanë të bëjnë kryesisht me mohimin e përkrahjes së partive të vjetra klienteliste,  pra me kundërshtim. Kjo ka të bëjë me kuptimin e proceseve dhe strukturave politike në ngritje nga qytetarët, një zhvillim i lidhur drejtpërdrejtë me arsimimin e gjeneratave të reja. Një aspekt i edukimit, i cili do të kontribuonte në mënyrë më të shpejtë në këtë zhvillim është i edukimit politik, i cili në Kosovë akoma nuk përmendet fare, përkundër peshës që do të kishte për ngritjen e vetëdijes dhe jetës demokratike të mirëfilltë. Edukimi politik duhet të avancohet nga institucionet e arsimit, por edhe përmes projekteve të ndryshme të shoqërisë civile.

Muajve të fundit ishim dëshmitarë të veprimeve puro klienteliste të elitave tona politike. Nuk do shumë mend të kuptohet kjo. Koalicionet e bëra brenda natës, pa ndonjë program politik, akomodimi i partive më të vogla klienteliste, presioni mbi deputetët – të gjitha këto u bënë vetëm për qëllimin e ruajtjes së pushtetit dhe sistemit klientelist ekzistues. Siç e ka thënë Besnik Pula, „sa më i mangët organizimi partiak mbi premisa ideologjike e programore, aq më i lehtë është akomodimi i rivalëve mbi baza të thjeshta transakcionale“. 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.