Asgjë tjetër më shumë sesa një film, nuk është në gjendje të na transportojë, nëpërmjet fantazisë, në vendet më të paimagjinueshme – Vladimir Prifti, Të dish të lexosh një film
Askush nuk flet për filmin shqiptar me më shumë dashuri, adhurim, dhe admirim sesa kineastja dhe drejtuesja e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi. Është në të vërtetë e admirueshme se si kjo dashuri për artin e shtatë në vendin tonë është e dukshme si në veprën e saj si drejtuese e arkivit, ashtu edhe në mënyrën sesi ajo shpreh dashamirësinë, interesin, shqetësimet dhe frymëzimin e saj ndaj kulturës tonë filmike. Nën ndërgjegjen e saj, Arkivi Qendror në bashkëpunim me Tulla Nouvelle Terrace nisi programin veror Kinematografia e Viteve ’90 të kuruar me projeksione filmash artistik dhe dokumentarësh të prodhuar në këtë periudhë. Nga data 19 qershor deri në fund të verës çdo të martë në orën 21.00 nën qjellin e hapur së tarracës të Pallatit të Kulturës spektatorët morën një shije jo nga vendet më të paimagjinushme por nga vendi jonë gjatë një periudhe të egër dhe të panjohur mirë nga publiku.
Filmat dhe dokumentarët të cilit përbënë programin vijnë nga figurat më të njohura të kinematografisë sonë dhe mund të thuhet se përbëjnë një ‘boys’ club’: Spartak Pecani, Artan Minarolli, Kujtim Gjonaj, Gjergj Xhuvani, Piro Milkani, Saimir Kumbaro, Vladimir Prifti, Besnik Bisha, Esat Musliu dhe Fatmir Koçi. Programi veror filloi me projeksionin e filmit Përdhunuesit (Spartak Pecani, 1994) në 19 qershor ku u ndodhën edhe regjisori Spartak Pecani por edhe aktori Ndriçim Xhepa i cili ka përsosur një nga rolet kryesorë të filmit.
Me këtë rast, dhe duke qenë në proces përgatitjesh për një leksion mbi studimin e spektatorëve dhe audiencave në Universitetin ku po studioj për doktoratën time, po kujtoj fjalët e T.S.Eliot ‘të kuptosh kulturën është të kuptosh njerëzit’, dhe gjithashtu po mendoj sesa larg jemi akoma nga ai moment kur do mundemi të kemi një kuptim më të gjerë dhe të plotë të filmit shqiptar por edhe të spektatorit shqiptar. Nëse filmi si art është një temë e cila po studiohet tanimë, kryesisht falë akademisë të filmit Marubi, mendoj se pozita e spektatorit dhe e audiencës është thellësisht e neglizhuar. Mund të kemi një përshtypje të caktuar mbi emrat dhe figurat e kinematografisë – regjisorë, aktorë, etj. – por nuk kemi asnjë përshtypje mbi figurën e spektatorit si një element përbërës në kulturën e filmit. Dhe nuk mund të ketë kuptim të plotë të filmit si art pa marrë parasysh konsiderime dhe teorizime të spektatorit si një pozicion ku filmi fillon dhe mbaron. Sidomos në një vend si Shqipëria ku filmi ka funksionuar në të shkuarën pikërisht si një vegël propagande për të ‘edukuar’ masat, nevoja për studime mbi audiencat e filmit shqiptar është urgjente.
Kinematografia e viteve ’90 është një perlë e cila tregon jo vetëm momentin filmik të asaj kohe por, më konkretisht, tregon historinë dhe trajektoren e evolucionit të filmit shqiptar, sesi ai kaloi nga Tana (Kristaq Dhamo, 1958) tek Horizonte të hapur (Viktor Gjika, 1968), tek Tomka dhe shokët e tij (Xhanfize Keko, 1977), tek Duaje emrin tënd (Ibrahim Muço & Kristaq Mitro, 1984), dhe ariti tek Përdhunuesit (Spartak Pecani, 1994) dhe Bolero (Besnik Bisha, 1997). Të dish të lexosh një film – të dish të shikosh një film – do të thotë të kesh një njohuri historike kontekstuale dhe të dish ta vendosësh atë në një kontekst më të gjerë kulturor dhe shoqëror pjesë e së cilës je gjithmonë ti si spektator.
Atëherë, si flet filmi shqiptar në spektatorin shqiptar në një mënyrë të ndryshme nga filmi i huaj? Si e kupton filmin e viteve ’90 spektatori shqiptar i vitit 2018 dhe çfarë ndikon mbi mënyrën sesi spektatori e krijon atë kuptim? Çfarë mendojmë sot se filmat e ’90 bënin për spekatotët e asaj kohe dhe si mund të vlerësojmë kontributin kulturor e një filmi të vetëm ose kontributin e tij si pjesë e një grupi filmash të një periudhe të caktuar? Kur, ku, dhe si i ndjekim filmat shqiptarë në kohën tonë, dhe çfarë lloj tregimesh i tregojmë vetes tonë? Janë shumë pyetjet rreth rëndësisë së spektatorit si një pikë divergjente midis prodhimit, shpërndarjes, dhe konsumit të filmave, ndaj është nevojë të krijojmë së pari një kulturë të shikimit, një atmosferë të një audience të veçantë me karakteristikat e veta dhe mënyrat e veta të të shikuarit një film. Jo çdo spektator është i vetëdijshëm se është pjesë e një audience më të gjerë, se sjell në sallën e kinemasë përvojat, paragjykimet, përshtypjet, dhe interpretimet e veta, dhe se janë këto pikërisht që krijojnë vlerën e një filmi në vetëdijen publike.
Si studiuese e filmit artistik mund të them se asnjë film të Hollivudit klasik nuk më ka prekur si Tana, asnjë film i regjisorit tim të preferuar nga neorealistët Italianë, Vittorio De Sica, nuk shpreh gjendjen njerëzore si filmat e Xhanfize Kekos, asnjë film të Agnes Varda, nënës së valës të re të filmit francez, nuk krijon shijen që më lë një film i Piro Milkanit osei Kujtim Çashkut, dhe asnjë film i Ingmar Bergman nuk mund të tregojë një tregim në të njëjtën mënyrë siç e tregon një tregim Viktor Gjika apo Dhimitër Anagnosti. Sepse, sado i ‘vogël’ mund të quhet filmi shqiptar para gjigandëve botërorë, ai flet në një gjuhë të veçantë, dhe sfidon mënyrën sesi deri sot kam shikuar dhe kam kuptuar filmin si produkt kulturor. Mbi të gjitha, filmi shqiptar më mësoi si të jem shikuese shqiptare.