Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Vështrim mbi imagjinatën dhe pushtetin

Imre Kertesz e ka një rrëfim fantastik mbi fytyrën e mizorisë. Në vitin 2002 ai e mori çmimin më të madh letrar nën arsyetimin “për një vepër që shpalos një përvojë tepër vetjake ballaz tiranisë së pamëshirshme barbare të historisë”. Në të vërtetë Sorstalansag (Romani i një të pafati) është rrëfim i një pesëmbëdhjetëvjeçari mbi kampet e përqendrimit. Nuk është e thënë që të futemi në heqamat dhe në trishtimin që ishte përvojë e vetë Kerteszit. Mund ta marrim me mend. Për mua si lexues i rëndomtë, përveç demaskimit të së keqes, të cilën Kertesz e bën mjeshtërisht, ka edhe diçka tjetër thelbësore që përmendet në veprën e tij. Dhe atë më zë të lartë. Pushteti i imagjinatës.

Kur Gyurka, personazhi kryesor i veprës, detyrohet të kap fijet e fundit të mbijetesës, ai gjen mbështetje pikërisht te ky pushtet, i cili nuk rresht së qeni i yni, nuk rresht së qeni i lirë. Duke qenë në burg me anë të këtij besimi Gyurka, mund të shkojë ku t’ia dojë loçka e zemrës. Pra duke qenë nën ethet e torturave në Aushvic apo në Buhenvald, ai zgjedh që të besojë se është duke fjetur nën ngrohtësinë që ia ofron shtëpia e tij. Duke qenë nën majën e thikës së mprehtë, ai zgjedhë që të besojë se është nën gjinjtë e fqinjës së tij. Nuk ma ha mendja se ka gjetje më të fuqishme, për ta shmangur neverinë, që na japin pushtetet e historisë që vijnë nga secila kohë. Sado që ky besim në thelb ka të bëjë me nënshtrimin tonë kundruall një ëndrre, gati qesharake. Sado që jep mundësi për tallje. Asnjë realitet nuk është i kënaqshëm. Dhe në asnjërin prej tyre qenia njerëzore, nuk e ka shporrur të keqen. Duket se e vetmja liri e njëmendtë është brenda nesh. Ajo që vjen nga jashtë meriton ta përqeshim. Ajo që vjen nga jashtë, meriton ta heqim qafe. Dhe atë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

***

Tregimtari sirian George Salim poashtu e ka një rrëfim tejet domethënës që flet mbi raportin e qytetarit me pushtetin. Personazhi i njërit prej tregimeve të tija është viktimë absurde e një urdhri fanatikisht të absurdshëm. Përkundër rezistencës së tij njerëzore, që thirret në emrin e një qytetarie të ndershme; pa marrë parasysh që kurrë nuk e kishte shkelur ligjin, ai ndëshkohet si pasojë e Ndjeshmërisë së madhe. Nëse ndjeshmëria nuk është faj, atëherë ndjeshmëria e madhe patjetër se po, dhe si e tillë meriton të shqyrtohet nga autoriteti i egër dhe banal. Për më tepër, fare papritur i zhduken gruaja dhe vajza. E keqja kur e merr hovin është e pandalshme. Pushteti kur ta lëshon syrin, ke marrë fund. Ngase i zapton të gjitha arsyet. Dhe të gjitha të drejtat. Dhe kështu ai i kalon ditët e fundit në dhomën e tij, që e merr pamjen e një shkretëtire nga pluhuri që mbulon gjithçka. Si një vetmitar për faqe të zezë. Pa asnjë dëshirë për jetë.

Pra në njëfarë logjike të shëndoshë lehtësisht mund të arrijmë tek një konstatim i çuditshëm. Të qenit i ndershëm është e gabueshme dhe e rrezikshme për pushtetin. Të qenit në rregull me ligjin, është e paligjshme. Dhe tek një pyetje e pashmangshme. A duhet të bëhemi të ftohtë karshi natyrës së pushtetit? Gjë që gjithmonë në forma të ndryshme e përcakton atë se çfarë jemi dhe kush dreqin jemi.

***

Dua të them, jam maniak i pushtetit të imagjinatës dhe i ndjeshmërisë së madhe. Sidomos kur kemi të bëjmë me një realitet si ky i yni. Që kalamendet mes frikës dhe cinizmit. Një realitet i dalë mendsh. Dhe i padenjë për ta jetuar deri në fund.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.